Oazë e dijes dhe shpresës –pjesa e dytë

Luljeta Avdiu – Cura

Unë udhëtoj për çdo vit me bashkëshortin Aliun dhe fëmijët e mi nga Prishtina drejt Ulqinit të bukur. Drejt këtyre krahinave të banuara me popullatë shqiptare nga të cilat krijova shumë përshtypje të bukura dhe të ngrohta. Rrugës ndalem shpesh në Katërkollë për të rikujtuar ditët e bukura të rinisë sime, kur për herë të parë para 51 vjetësh shkela në këto treva të hapësirës shqiptare. Ndalem para portës. E shikoj e përmalluar ndërtesën e vjetër shkollore, aty ku punova 1 vit, mësuese e klasës. Menjëherë mu kujtua ajo hapësirë që i ngjasonte parajsës së vërtetë. Kopshti me qiparisa, rrugicat e shtruara me gurë të bardhë të sheut, të bartur dhe vendosur nga duart e vogla të anamalasve, nxënësit tonë të dashur. Hartat prej gipsi i kanë mbuluar copat e drurëve të thatë dhe shtresat e dheut. Nuk ka më as pushimore, aty ku uleshin në çaste pushimi mësuesit, mësimdhënësit dhe nxënësit e tyre. Është një heshtje e rëndë. Më kaplon një dhembje dhe nostalgji kur vërej ndërtesën e rrënuar nga dhëmbi i kohës, sidomos klasa ku unë punoja, e shembur, pa dyer dhe dritare, pa banka dhe dërrasë të zezë. Dhe pyes veten pse nuk u bënë përpjekje për renovimin e këtij tempulli të dijenisë?!
Ato rrënoja sikur dikush i mbron dhe fton pa zë të meremetohet si një muze i kohëve të shkuara. Dhe ai dikush është një bust, një figurë e madhe, një personalitet qendror që të përkujton krenarinë e një trimi, një njeriu të dijshëm, pedagog i shkëlqyer, udhërrëfyes se si duhet të punohet me brezat e rinj në një mjedis me rrethana të ndërlikuara.
Ai është busti i drejtorit shumëvjeçar të kësaj shkolle Jonuz Divanit. Një udhëheqësi shkollor dhe një pedagogu që në mua la përshtypje si duhet punuar me nxënës për të arritur suksese të lakmueshme. Si mësuese e re dhe me pak përvojë arsimore, drejtori i shkollës la shumë mbresa për punën e palodhshme shumëvjeçare që kishte bërë në mes të atij fshati. Askush nuk e skaliti më denjësisht se gazetari i RTP-së, Ali Llunji me emisionin dokumentar “Makarenko i Ana Malit” figurën madhështore pedagogjike të Jonuz Divanit dhe të kolektivit arsimor të kësaj shkolle.
Në ditët e para të shtatorit të vitit 1961, ne vinim tri fuqi mësimore në Katërkollë për të mësuar dhe edukuar, ishim tre anëtarë të familjes Llunji. Ç’ është e vërteta pesë vjet më parë e kishte filluar karrierën arsimore kunata ime Limone Llunji .Tash vinim unë Lumnija, bashkëshorti im Ali Llunji.
Kolektivi i shkollës më priti shumë mirë. Gati të gjithë anëtarët-mësues, arsimtarë dhe profesorë të kësaj shkolle kishin qenë nxënës të babait tim-pedagogut të njohur pejan të shkolluar në vitet e ’30 në Shqipëri. Ai ishte i madhi Beqir Kastrati, të cilin si mësimdhënës dhe drejtor i parë i Shkollës Normale Shqipe të Gjakovës e quanin edhe baba të arsimit shqiptar.
Ai qe njeriu që mblodhi, tuboi dhe na hapi dyert e Normales së Gjakovës nxënësve që vinin nga të gjitha viset shqiptare, për të arsimuar dhe aftësuar ata mësues të ardhshëm, me qëllim që çdo rreze e dijes dhe e arsimimit të depërtojë edhe në fshatrat më të largëta shqiptare. Në Anë të Malit takoja ish –nxënësit e tij Fadil Taipin, profesor të gjeografisë, Osman Ibroçin, Xhevdet Hollin, Bajram Rexhën, Riza Rexhën mësimdhënës të diplomuar e disa të tjerë.
Kjo për mua ishte krenari e veçantë se e shihja në vepër frytin e punës pedagogjike të Beqir Kastratit, babait tim.
Unë punova 35 vjet me ditar në dorë. Pos Normales, gjatë procesit mësimor kreva edhe Akademinë Pedagogjike, rang i shkollës së lartë. Gjatë punës në arsim u përpoqa që sadopak ta çoj në vend porosinë e babait tim. Isha fëmija i parë i tij dhe që në vegjëli ai ma mbolli dëshirën të bëhesha mësuese për të arsimuar filizat e popullit tim. Unë me përkushtim ia plotësova atë dëshirë duke arsimuar me sukses të madh disa gjenerata. Në shkollën tetëvjeçare të Katërkollës isha mësuese e dalluar. Po të shfletohet arkivi shkollor do të gjendet fletënotimi i inspektorit republikan me notë të lartë “Dallohet posaçërisht”. Po me këtë sukses vazhdova deri në pensionim.
Ndoshta ka vend edhe për disa kujtime të paharruara. Në vitin 1961 me bashkëshortin Ali Llunjin konkurruam dhe u pranuam mësimdhënës pranë shkollës në Katërkollë. E filluam punën tri fuqi mësimore dhe vazhdimisht thosha –ne e formuam një trekëndësh shqiptar Prishtinë-Ulqin-Tiranë. Them kështu se isha e lindur në Tiranë, e shkolluar në Prishtinë. Shokët që i gjetëm në Katërkollë dhe së bashku me ta përpiqeshim t’i përgjigjeshim sa me më shumë dinjitet detyrës që kishim përpara. Kam pasur kënaqësi të posaçme të punoj me ata fëmijë, me ata bylbyla të atij kopshti të bukur. Ishin të urtë, të dashur, të zgjuar. Kënaqesha duke dëgjuar kur flisnin rrjedhshëm dhe pastër gjuhën tonë amtare. Hyrja në klasë më ofronte kënaqësi të veçantë. Më dukej vetja se gjendesha në një kopsht me lule shumëngjyrëshe, secila më e bukur se tjetra. Kënaqësi më vete ishte bashkëpunimi me prindërit e tyre.
Unë i nderoja dhe i respektoja shumë ata anamalas. Ishin burra që e donin dhe çmonin arsimin. Ata me sjelljet bujare të tyre më bënë t’i admiroja sa që edhe sot nuk mund t’i shlyej nga mendja e zemra. Unë erdha nga Kosova. Kur ata kuptuan se babai im ishte drejtori i fëmijëve të tyre, nuk kishin fjalë për të shprehur ndaj tij respekt e miradije. Përkrahje të parezervë gëzova edhe nga farefisi i bashkëshortit tim. Nga familjarët e tij u prita jashtëzakonisht mirë. Kjo pritje më la përshtypje të madhe dhe më forcoi të vazhdoja punën në një mjedis tjetër rural, në Katërkollën gurore-kodrinore.
Në Ulqin më mirëpriti vjehrra ime Pashe Llunji, e lindur Karamanaga. Kjo grua me virtyte të larta humane, me ideale, me të cilën jetova 37 vjet, ishte për mua një nënë e dytë. Gjatë punës sime të mësuesisë më ndihmoi shumë. Me dashamirësi më dha përkrahje krejt farefisi, axhallarët, kunatat dhe fëmijët e tyre. Nuk mungoi as respekti i qytetarëve të Ulqinit i disa burrave të ndershëm, të sinqertë e fisnikë. Që prej ditës së parë më thanë fjalë të mira e mikpritëse. Këta njerëz fisnikë si Shyqyri Hoxha, Sabri Hoxha, Selim e Maliq Karamanaga, Daut Mollabeqiri, Qazo Gorana e shumë të tjerë lanë shumë mbresa në mua dhe mbetën të pashlyer në kujtesën time. Pas ndërprerjes arsimore në Katërkollë, punën time pedagogjike e vazhdova në Prishtinë.
Nga përvoja pedagogjike u bëra ndër mësueset më të kërkuara dhe të dalluara. Punova me përkushtim në shkollat tetëvjeçare “Emin Duraku”, “Zejnel Hajdini” dhe “Hasan Prishtina” derisa u pensionova duke kryer me sukses të plotë karrierën time si mësuese, duke çuar në këtë mënyrë në vend porositë dhe amanetin e babait tim-Beqir Kastrati.

Të fundit

më të lexuarat