Kosova, djepi i diturisë dhe identitetit kombëtar

(Vijon nga numri i kaluar)
Akti i dytë- Prishja e marrëdhënieve Jugosllavi-Shqipëri dhe shkollimi në Kosovë
Shqiptarët në Mal të Zi, siç kemi cekur, përveç jetës ekonomike me Shkodrën ishin të lidhur edhe për interesat e zhvillimit arsimor, kulturor dhe ruajtjes të identitetit kombëtar. Në fillim, sidomos gjatë viteve 1945, 1946, kur vazhdonte hapja e shkollave në gjuhën shqipe, librat, lektyrat shkollore dhe gazetat në gjuhën shqipe silleshin kryesisht nga Shkodra. Madje nga Shkodra vinin edhe ligjërues të ndryshëm për çështje politike, sepse popullata shqiptare në Mal të Zi, sidomos zonat fshatare, nuk e flisnin e as e kuptonin gjuhën serbe, rrjedhimisht as ligjëratat partiake. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve shtetërore Shqipëri-Jugosllavi një gjë e tillë nuk do të jetë më e mundur! Për shqiptarët në Mal të Zi kjo ishte e rëndë, së pari sepse kishte vetëm dy-tre vjet që në shkollat fillore mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe dhe së dyti kthimi i shkollave në gjuhën serbe për shkak të mungesës së literaturës ose kuadrove shqiptare do të ishte vdekje për ata. Por pas çdo të keqeje vjen edhe një e mirë. Kosova i hapi dyert e shkollave të mesme edhe për shqiptarët në Mal të Zi, kështu që u bë i mundur sigurimi i kuadrove profesionale, jo vetëm në arsim por edhe në ekonomi, prodhim apo shëndetësi. Kosova që ishte aq larg tani, më ishte aq afër sepse ku të shkonim tjetër s’kishim. Të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi u nisën për herë të parë për Kosovë në vitin 1948 dhe u regjistruan në shkollën normale në Gjakovë, për të vazhduar pastaj në Prishtinë ku morën diplomat për mësues. Gëzimi ishte i madh jo vetëm për të diplomuarit dhe prindërit e tyre por për gjithë shqiptarët, sepse në shkollat fillore për herë të parë do të japin mësim bijtë tanë, pra kuadrot shqiptare nga Mali i Zi. Të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi, pastaj u regjistruan edhe në shkollat tjera profesionale si: ekonomike, teknike, bujqësore, në mjekësi etj.. Dhe tash jo vetëm në qytetet e përmendura, por edhe në Pejë, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, edhe në Gjilan e Vushtrri, pra kudo në Kosovë.
Para se të fillonin të ndjekin mësimin shqip në Kosovë, ishin të paktë nxënësit shqiptarë nga Mali i Zi, por as të rriturit, që dinin diçka më shumë për historinë dhe letërsinë shqiptare, për simbolet tona apo identitetin kombëtar shqiptar. Ato nuk kishin njohuri për Isa Boletinin apo Shote Galicën, Bajram Currin e Azem Bejtën, Hasan Prishtinën e shumë pak dinin edhe për Emin Durakun, Mastafë Bakinë apo Ramiz Sadikun. Nuk kishin dëgjuar për Fan Nolin, Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Sterjo Spassen e shumë të tjerë. Po ashtu nuk dinim as për Skënderbeun e as për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Me të ardhur në Kosovë nxënësit shqiptarë nga Mali i Zi filluan të lexonin romane, drama e përralla në gjuhën shqipe. Veprat e disa nga figurat e përmendura ishin të ndaluara edhe në Kosovë, por njohuri kishte dhe disi mund të lexoheshin. Këtu mësuan për format dhe dukjen e flamurit shqiptar sepse në Mal të Zi nuk na e kishte përmendur kush, për identitetin kombëtar dhe rëndësinë e ruajtjes së tij. Shumë studentë pas diplomimit u kthyen në vendlindjen e tyre duke dhënë kontributin e tyre në arsimimin e brezave të rinj, duke përcjellë te ata jo vetëm njësitë mësimore, por edhe atdhedashurinë, njohuritë për kombin dhe kombësinë shqiptare. Disa nga ata vazhduan të punojnë e jetojnë në Kosovë. Sot në Kosovë, me prejardhje nga Mali i Zi ka shumë profesorë, juristë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, shkrimtarë, doktorë shkencash e akademikë. Përveçse mësonin në gjuhën e tyre amtare, shqiptarët nga Mali i Zi në Kosovë filluan ta ndiejnë veten shpirtërisht të lirë, duke folur shqip kudo në klasë, librari, teatër, autobus, tren apo rrugë, në fushën sportive e kudo tjetër. Këtu ata mund të lexonin gazetat në gjuhën shqipe e të dëgjonin po ashtu në gjuhën shqipe Radio Prishtinën. Po mos të ishte Kosova arsimim në gjuhën shqipe nuk do të kishte, asimilimi i filluar që nga Mbretëria Jugosllave do të fuqizohej e si rrjedhojë vendet shqiptare do të asimiloheshin e do të boshatiseshin shumë më shpejt.
Për të gjitha këto që përmendëm, Kosova për shqiptarët në Mal të Zi është më shumë se fjala Kosovë. Në të vërtetë ajo është djep i arsimit, sepse aty u shkolluan, është djep i lirisë shpirtërore, sepse aty për herë të parë e ndienim vetën të lirë kudo dhe së fundmi është djep i vetëdijes kombëtare, sepse aty u njohëm me historinë dhe simbolet tona kombëtare, pra u formësuam kombtarisht, përndryshe me politikën që ndiqte Mali i Zi ndaj shqiptarëve procesi i asimilimit do të kishte përfunduar që moti. Falë Kosovës qenia shqiptare në Mal të Zi ekziston edhe sot e kësaj dite.
Cilindo shqiptarë nga Mali i Zi, që u shkollua në Kosovë, ta pyesësh për përkatësinë apo identitetin kombëtar, do të marrësh vetëm një përgjigje: “Në Kosovë u formësuam kombëtarisht! Për këtë arsye e shumë të tjera Kosovës i kemi shumë borxhe”.
Shkollimi i shqiptarëve në Kosovë u bë halë në sy për politikën dhe pushtetin e Malit të Zi, e cila do të tregohej aq e ashpër ndaj shqiptarëve, të cilët për çështje politike u dënuan me më shumë se 360 vite burg. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi shqiptarët të kërkonin më shumë të drejta civile dhe politike, përkundrazi, ata i nxiti edhe më shumë.

Akti i tretë – Pavarësia e Kosovës
Pas ngjarjeve në Kosovë në vitin 1981, edhe për shqiptarët në Mal të Zi filloi një periudhë e errët dhe e vështirë, sidomos për ata që guxonin të flisnin apo të kërkonin të drejtat e tyre kombëtare si individ apo komunitet. Në shënjestrën e politikës antishqiptare, kryesisht ishin intelektualët, veçanërisht punëtoret e arsimit, por për të arritur qëllimin nuk u kursyen as fshatarët, madje as punëtorët e krahut. Shqiptarët largoheshin nga puna, denoncoheshin e dënoheshin për vepra penale të propagandës armiqësore dhe nxitjen e urrejtjes, përçarjes dhe mostolerancës nacionale, racore dhe fetare, kundër popullit dhe shtetit apo bashkimit kundër popullit dhe shtetit.
Masat e dhunshme në Kosovë, heqja e autonomisë së saj, largimi i punonjësve arsimorë e të tjerëve nga puna dhe mbajtja e mësimit nëpër shtëpi e objekte tjera private u përjetua keq ndër shqiptarët në Mal të Zi. Vijimi i shkollimit në Kosovë po vështirësohej shumë. Nxënësit e studentët shqiptarë nga Mali i Zi në stacionet policore në Zubin Potok ndaloheshin e keqtrajtoheshin. Vajtje-ardhja në Kosovë ishte e rrezikshme. Numri i shkollarëve që vazhdonin në Kosovë po zvogëlohej saqë në vitet shkollore 1991 dhe 1992 u regjistruan shumë pak, ose aspak studentë shqiptarë nga Mali i Zi. Rruga e mbarë e shkollimit në Kosovë pothuajse përfundoi, e kjo paraqiste rrezik për popullin shqiptar në Mal të Zi. Kërcënohej rreziku se do të mbesin shkollat pa mësues a profesorë, ekonomistë e juristë, pa mjekë të shkolluar në gjuhën shqipe. Shqiptarët e dinin se ky ishte qëllimi i pushtetit malazez, prandaj ekzistonte droja se po na ktheheshin kohët e vjetra, të vështira, po rrezikohej identiteti kombëtar shqiptar. Dhe kështu do të ndodhte, sikurse mos të hapej një derë e re në shtetin amë – Shqipëri. Në vitin shkollor 1993/1994 për herë të parë studentët shqiptarë nga Mali i Zi u regjistruan në universitetet shqiptare dhe kështu u sigurua vijueshmëria e studimit shqip.
Vitet 1998/1999, nga çdo shqiptar do të mbahen mend si vitet e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Shqiptarët u detyruan t’i lëshonin shtëpitë e tyre dhe Kosovën. Shqiptarët në Mal të Zi kudo, në Ulqin, Krajë, Malësi, Rozhajë, Plavë e Guci i hapën dyert dhe strehuan motrat e vëllezërit e tyre kosovarë, duke iu lehtësuar sadopak vuajtjet e dhimbjet që po i përjetonin.
Kosova u çlirua, gëzimi ishte i madh. U gëzuan për vëllezërit kosovarë edhe shqiptarët në Mal të Zi. Komunikimi me Kosovën u vendos përsëri. Nuk kaluan shumë vjet dhe përsëri studentët shqiptarë nga Mali i Zi vazhduan e po vazhdojnë të mësojnë e studiojnë në Kosovë. U lidhën miqësi të reja, ndodhën fejesa e martesa me njëri tjetrin. Sado që Shqipërinë gjeografikisht e kemi më afër, Kosovën falë të gjitha atyre që i kemi cekur më lart, por edhe për rrjedhat e reja shoqërore që po ndodhin, më duket se e kemi më afër. Kosova është e lirë. Ne u rikthyem në Kosovë. Shqiptarët në Mal të Zi tanimë kanë edhe një shpresë tjetër, kanë Kosovën. Ata janë fatlumë që Kosova u bë shtet i pavarur. Përsëri, nxënës e studentë do të shkollohen në Kosovë, disa do të kthehen të diplomuar në vendlindje e të tjerët do të mbesin atje për të begatuar më shumë skenën intelektuale kosovare, ashtu si bënë edhe më parë. Historia po përsëritet, djepi i arsimit, lirisë shpirtërore dhe identitetit kombëtar – Kosova i ka dyert e hapura për shqiptarët në Mal të Zi, ndërsa atyre u mbetet të reflektojnë. Asgjë nga e kaluara nuk duhet të harrohet apo të fshihet, përkundrazi, e mira duhet të kultivohet e të jemi falënderues.

Të fundit

më të lexuarat