Dr. Behxhet Rasim Mujali

(1942-2024)

Para disa ditëve në SHBA ndërroi jetë Dr. Behxhet Mujali.
Ka lindur në Ulqin në vitin 1942. Gjimnazin e ka kryer në Tivar. Fakultetin e Mjekësisë e ka mbaruar në Sarajevë në vitin 1969. Specializimin nga kirurgjia e ka përfunduar në Beograd në vitin 1977.
Gjatë specializimit në Beograd, çdo javë kemi udhëtuar së bashku me tren prej Tivarit deri në Beograd. Unë isha në specializim në pneumoftiziologji.
Të dy kemi qenë familjarë dhe kështu duke udhëtuar çdo javë për Beograd nuk e kemi pasur lehtë, por njëkohësisht çdo fundjavë kemi qenë në mesin familjar.
Dr. Behxheti nuk ka punuar në Ulqin. Tërë kohën ka punuar në Komunën e Tivarit, konkretisht në Stacionin Shëndetësor në Virpazar. Një kohë të gjatë ishte kirurg në Spitalin e Tivarit.
Duke ditur që spitali i Tivarit është edhe për Komunën e Ulqinit, prezenca e mjekëve ulqinakë i ka ndihmuar të gjithë ulqinakëve, posaçërisht shqiptarëve.
Dr. Behxheti ka qenë komunikues, ”gojë ëmbël”, ishte urëlidhësi ndërmjet Tivarit e Ulqinit, ka kryer edhe kontrollet specialistike nga kirurgjia një herë në javë në Ulqin.
Vajza i ishte martuar në Amerikë. Edhe dy djemtë e tij kishin shkuar në Nju Jork. Për këtë arsye Dr. Behxheti herët pensionohet dhe shkon edhe ai me bashkëshorten mbrapa fëmijëve. Në Ulqin do të mbesë djali i madh Rasimi.
Kontributi i Familjes Mujali në Ulqinin e vjetër.
Në shekullin XVIII formohet qendër e re në Ulqin: ndërtohet Beledija, Sahat Kulla. Në vitin 1728 Haxhi Sulejman Mujali ndërton Xhaminë e Mesgjahut.
Në pjesën e parë të shekullit XX gjurmë të veçanta në jetën fetare, qytetare kanë lënë Kadi ef. Mujali dhe vëllai i tij Selim Mujali.
Binjakët
Në përcjelljen e fundit, pas faljes së xhenazes, në oborrin e Xhamisë së Lamit ishte edhe Behxhete Mujali Karamanaga. Ajo ishte binjake me vëllain Behxhetin.
Mendimi im është: Dr. Behxhet Mujali shumë herët e ndërpreu punën si kirurg në spitalin e Tivarit.
Ishte i aftë për punë dhe prezenca e tij ka qenë e nevojshme, posaçërisht për popullatën shqiptare.
Ngushëllime dhe respekt për familjen Mujali!

Prim.Dr. Gani Karamanaga

Të fundit

më të lexuarat