Paradigma monumentale e arkitekturës popullore

Akademik Emin Riza mund të quhet, pa ndonjë zmadhim të shkarë dhe as pa ndonjë meritë të ngarkuar për së tepërmi, si një ndër arkitektët shkrues më të mirë të kombit shqiptar. Nëse nuk mund të quhet edhe si themelues i teorisë së arkitekturës popullore, ai me shumë të drejtë mund të dallohet si njëri ndër teoricienët më të spikatur të arkitekturës popullore

Korab Kraja

Binte në sy një citim nga libri “Banesa popullore shqiptare”. Pastaj një citim tjetër nga ky libër. Dhe, menjëherë shfaqej edhe një citim tjetër i tij, që e bënte atë një ricitim të vazhdueshëm. Emri i autorit lakohej shpesh në literaturën tonë profesionale. Literatura e tij e cituar ishte po ashtu e shpeshtë, çka e bënte autorin një studiues serioz dhe studimet e tij dukej që ishin mjaft të rëndësishme, studime të cilat i shtonin veprave që e citonin vlerë të jashtëzakonshme. Disi, nga të gjithë librat, në studimet e monografitë që i kushtoheshin arkitekturës vernakulare, ndërtimeve tradicionale, shtëpive popullore, ishte e pamundur të tejkalohej emri i tij. Ai ishte si një thirrje e heshtur mbi monumentalizmin e shtëpive qytetare dhe fshatare. ”Unë jam një monument“ bëhej një pasthirrmë e atypëratyshme që e tejkalonte Venturin e shekullit të kaluar. Monumenti i Venturit shprehte paradigma komunikuese ndërmjet simbolikave, përmes shenjave dhe elementeve që një ndërtesë mund të rrezatonte më shumë sesa vetë vëllimi fizik i saj. Monumenti i simbolikave të tilla merrte kuptim të spikatur në Berat dhe në Gjirokastër. Emri i tij u bë më i fortë se çdo gur i kalldrëmtë i UNESCO-s të qytetit të një mbi një dritareve dhe të qytetit të gurtë. Emin Riza ishte monument më vete.
Akademik Emin Riza mund të quhet, pa ndonjë zmadhim të shkarë dhe as pa ndonjë meritë të ngarkuar për së tepërmi, si një ndër arkitektët shkrues më të mirë të kombit shqiptar. Nëse nuk mund të quhet edhe si themelues i teorisë së arkitekturës popullore, ai me shumë të drejtë mund të dallohet si njëri ndër teoricienët më të spikatur të arkitekturës popullore. Leximi i studimeve të tij mbi arkitekturën popullore ngjall kureshtje të madhe, aq sa gjatë leximit të bën të mendohesh thellë rreth strukturave, hapësirave, elementeve, simbolikave, konstruksioneve, kompozicioneve, qëllimeve të arkitekturës, ndikimet e saj, gjendjen shoqërore, historike, politike të popullit shqiptar dhe rrethanat e tij në kohezionin material dhe jomaterial që e kanë shtyrë atë të bëjë ndërtime të tilla. Leximi i shkrimeve të tij rreth arkitekturës popullore të nxit kureshtjen edhe që ndërtimet për të cilat lexon t’i vrojtosh me një sy më kritik që të imponon vërejtje të thella mbi kuptueshmërinë e plotë të ndërtesës popullore. Prandaj, shkrimet e tij tingëllojnë si një melodi me një ritëm të vazhdueshëm dhe që nuk ndërpritet, me një ritëm të harmonishëm me goditjen e çekanit të mjeshtrit popullor, njëlloj sikur vazhdueshëm dhe pandërprershëm bëhet ndërlidhja midis marrëdhënieve të dëshmive historike-kulturore, si faktorë ndikues në karakterin e banesës popullore.
Librat e tij ishin thesare të rralla, sidomos gjatë viteve studimore, për studentët e orientuar drejt arkitekturës popullore dhe trashëgimisë kulturore në përgjithësi. Ato kishin një status të veçantë, diçka si suvenire të një kohe të rëndësishme të formimit intelektual dhe profesional, prandaj edhe rastet kur sapo këta libra shiheshin në shitje, ishte shumë e zakonshme që të bëje çmos që t’i blije. Librat e tij thjesht duhet të ishin pjesë e bibliotekës personale. Angazhimi dhe sakrifica për t’i gjetur ku janë dhe ku nuk janë, ishte mundim i madh. Vetëm titujt e tyre të zgjonin kureshtjen, siç është rasti me librat monografikë ”Banesa popullore shqiptare“, ”Arkitektura popullore dhe vlerësimi i saj“, “Qyteti dhe banesa qytetare shqiptare e shek. XV-XIX”, “Qyteti dhe banesa shqiptare e mesjetës së vonë”, apo studimet monografike të kategorizuara, si “Qyteti muze i Gjirokastrës”, “Berati – historia dhe arkitektura”, “Arkitektura popullore e Gjakovës”, “Banesa qytetare kosovare e shek. XVIII-XIX”, “Banesa shqiptare me qoshk”, “Ndërtimet fshatare në Labëri”, ose librat me bashkautorë “Historia e arkitekturës shqiptare” (e ribotuar si “Historia e arkitekturës në Shqipëri”), “Vendbanimet dhe banesa popullore shqiptare” apo librat studimorë si “Teoria dhe praktika e restaurimit të monumenteve të arkitekturës”, “Mbrojtja dhe restaurimi i monumenteve në Shqipëri”, “Restaurimi i banesës popullore” e të tjera. Këta tituj e të tjerë si këta kishin një forcë të jashtëzakonshme tërheqëse, kur një student i arkitekturës ballafaqohej për herë të parë me ta, ose i shihte për herë të parë pas shumë citimeve që kishte lexuar në librat studimorë. Secili libër i tij bartte një peshë të rëndë të përvojës së madhe të Emin Rizës. Dhe, kjo përvojë shfaqet me të vërtetë si një monumentalizëm i autorit, i cili e shpërfaq përvojën e tij mbi udhëtimin e tij jetësor dhe kontributin e tij në studimin, mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore shqiptare, pikërisht në veprën e fundit të tij “Një jetë me monumentet”.
Autor dhe bashkautor i qindra artikujve shkencorë, dhjetëra monografive, kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, nismëtar i ligjit për trashëgiminë kulturore, pra tërë ky bagazh, tërë kjo njohuri, tërë ky personalitet, e bëjnë Emin Rizën të personifikohet me monumentin. Prandaj, ishte ai i cili mund të deklaronte, duke bërë një shpjegim të patjetërsueshëm dhe duke e forcuar mendimin e tij bindshëm me një fjali, që për studiuesit seriozë paraqet një monografi monumentale më vete, se “arkitektura popullore e një etnie është ajo e krijuar prej saj për të. Në rastin shqiptar, me arkitekturë shqiptare quajmë ndërtimet e ngritura nga shqiptarët për shqiptarët.” Është kjo një fjali që mbyll shumë teza. Është kjo një fjali pas së cilës duhet të pushosh dhe të mendohesh. Dhe, vetëm pastaj të ndihesh krenar. Sepse, me të e definon qartë karakterin etnik të arkitekturës dhe me të bën diferencimin kategorik të arkitekturës së një populli. Ndër shumë shpjegime të tjera të qenësishme, me të cilat konkretizon çështjen e kategorizimit të arkitekturës popullore, Emin Riza bën ndarjen kategorike dhe krahasimore ndërmjet arkitekturës popullore, nga e cila janë shfaqur në kohë dhe me përhapje dhe dendësi të ndryshme edhe termat paralele, si arkitekturë folklorike, arkitekturë vernakulare, arkitekturë tradicionale dhe arkitekturë minorene.
Profili i tij profesional, karakteri dhe personaliteti i tij i lartë moral dhe intelektual, ka bërë që Emin Riza të bëhet udhëzues i ngjarjeve më të rëndësishme për trashëgiminë kulturore në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Kontributi i tij i madh është i mishëruar në vetë monumentet e shpallura si pasuri kulturore botërore, si kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve për përfshirjen e Gjirokastrës dhe Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Falë angazhimit të tij profesional, çdo kalldrëm i Gjirokastrës dhe çdo dritare e Beratit bartin peshën mirënjohëse të Emin Rizës. UNESCO-ja u njoh me këto dy qytete me vlera të jashtëzakonshme historike, ndërtimore, estetike, kompozicionale e shpirtërore, prandaj dhe universale falë një shembulli profesional të pashoq të tij. Edhe në arkitekturën dhe urbanistikën e qyteteve të Gjakovës e Pejës, duke shpëtuar çarshitë e tyre përmes përcaktimit të kritereve shkencore për konservimin dhe restaurimin e tyre, si dhe për dokumentimin e angazhimin e shpëtimit emergjent të kullave të Dukagjinit, ka bërë që Emin Riza të dallohet përmes parimeve të restaurimit dhe konservimit, duke u thirrur dhe duke ruajtur gjithnjë me çdo kusht dhe me ngulm origjinalitetin e tyre.
Formimi i tij intelektual dhe profesional, prandaj edhe atdhetar, e shtyn Emin Rizën të flasë shpesh për banesën popullore shqiptare si një njësi të pandarë për tërë trojet shqiptare. ”Arkitektura popullore shqiptare“, shprehet ai, ”është njëmendësi me karakter thelbësisht të veçantë në bashkësinë e gjerë të gjinive të ndryshme ndërtimore…“
Në veprat e tij shpesh trajtohen problemet e çështjes shqiptare, të cilat, në një mënyrë apo tjetër kanë ndikuar edhe në rrethanat politike e historike të mirëmbajtjes së kësaj gjinie ndërtimore. Janë të shpeshta fjalët si ”trojet shqiptare“, ”trojet tona“, ”trojet historike“, ”populli shqiptar“, ”banesa popullore shqiptare“, të cilat e bëjnë figurën e studiuesit të përkushtuar edhe kombëtarisht ndaj fushës së studimit. Këtë e dëshmon edhe shqetësimi i tij mbi banesën popullore shqiptare në hapësirën ballkanike, ku ndër të tjera, në veprën ”Arkitektura popullore dhe vlerësimi i saj“, shprehet se: ”banesa popullore e Republikës së Kosovës, banesat popullore të hapësirave me popullsi shqiptare në shumicë, në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi, janë pjesë përbërëse e banesës shqiptare. Deri më sot, banesa popullore kosovare, po përfshihet në studimet mbi banesën shqiptare, ndërsa ajo e përfshirë në shtetet e lartpërmendura, pret të gjurmohet, dokumentohet dhe studiohet“. Është kjo një thirrje mjaft e qartë dhe e ashpër e tij, sepse Emin Riza e dinte se procesi më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore është pikërisht gjurmimi, dokumentimi dhe studimi. Dhe, ai e dinte, prandaj dhe e bënte këtë me përkushtim, i cili thirrej në profesionalizëm dhe që profesionin ia dedikoi kombit. Prandaj, edhe mund të thuhet se vepra e tij e gjurmuar, e dokumentuar dhe e studiuar përbën një vlerë të jashtëzakonshme kombëtare. Dhe, kjo vepër e tij, së bashku me thirrjen vendimtare të tij, duhet të bëhet obligim moral dhe profesional, prandaj për profesionistët duhet të bëhet edhe qëllim kombëtar.
Si një personalitet i shquar, emri dhe vepra e tij do të mund të personifikoheshin me profetin, i cili vjen për të mësuar njerëzimin duke zbritur nga vetmia e lartësive. Figurën e tij e bën më popullore vetë interesimi i studimit të tij për populloren, sepse lindi nga populli të cilit ia studioi kulturën, e siç ka thënë Mehdi Frashëri, se “shenja e dukshme e lartësimit të një populli është banesa”. Prandaj në fund, mund të thuhet, se çfarë shkruhet për banesën popullore shqiptare, le të thuhet se “kështu foli Emin Riza”.

Të fundit

më të lexuarat