Studiuesi, shkrimtari, polemisti…

Historian i letërsisë, shkrimtar, mendimtar-filozof, studiues i letërsisë, kritik letrar, profesor i universitetit, eseist, polemist, kronikan, i intervistuar. Këto janë dhjetë gjërat që Rexhep Qosja i bëri në mënyrë të veçantë dhe të papërsëritshme, thjesht siç dinte ai dhe askush tjetër

Dr. Haxhi Shabani

Ka njerëz në këtë botë që vetëm përmendja e emrit të tyre është e mjaftueshme për të përmbledhur rëndësinë e tyre konkrete, peshën e madhe që kanë. Për shqiptarët i këtillë është pa dyshim emri i Rexhep Qosjes, i cili për letërsinë, kulturën dhe mendimin shqiptar paraqet një nga personalitetet më të rëndësishme të shekullit të kaluar. Jo më kot, katundi në të cilin ka lindur, Vuthajt, përkatësisht trevat Plavë e Guci i kanë dhënë historisë e kulturës shqiptare aq shumë figura të shquara, mbase për të bërë një lloj kompensimi, jo vetëm për të kaluarën por edhe të tashmen e të ardhmen, kur lëvizjet demografike po rrezikojnë vazhdimësinë iliro-arbërore-shqiptare në këto treva. Dhe është e pamohueshme që në këtë bujari të mendjeve të ndritura të këtyre dy trevave shqiptare, ndriçimi i figurës së Rexhep Qosjes rrezaton më së shumti, në tërë Shqiptarinë, posaçërisht në Kosovë.
(Renditja e ndihmesave të profesor Qosjes, siç e quanin gati të gjithë, në hyrje të këtij shkrimi është bërë, sipas mendimit tim, në bazë të rëndësisë së tyre, kurse në vazhdim do t’i trajtoj, sipas kronologjisë së jetës dhe veprimtarisë së tij, kur kjo gjë është e mundur).
1, 2. Formimi profesional, përkatësisht ai akademik, gjeti te Qosja autorin me talent të veçantë dhe punëtorin e palodhshëm, duke prodhuar kritikun letrar e studiuesin e letërsisë, i cili vërejti me mprehtësi jo vetëm vlerat e autorëve dhe veprave të letërsisë, por edhe të zhvillimeve dhe problemeve të periudhave letrare. Ai në veprat e para të tij e fillon punën si kritik letrar me librat “Episode letrare” (1967), “Dialog me shkrimtarë” (1968), për të vazhduar pastaj me vepra përmbledhëse studimore si monografia “Asdreni – jeta dhe vepra” (1972), që është studimi i doktoratës së R. Qosjes.

  1. Viti 1974, jo vetëm për krijimtarinë e Qosjes por edhe për letërsinë shqipe ishte me rëndësi të dorës së parë. Botohet vepra e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, romani i parë postmodern, në kohën kur me ndonjë përjashtim të rrallë, si rasti i Ismail Kadaresë, letërsia shqipe në Shqipëri gëlonte nga letërsia e realizmit socialist, kurse në Kosovë, romani ishte në hapat fillestarë. Një roman kaq i avancuar, në shumë drejtime, jo vetëm sa i përket formës, përmbajtjes, por edhe stilit, gjuhës, kompozicionit, siç është “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, ishte një dhuratë e jashtëzakonshme për shëndetin e letërsisë shqipe, në kohën kur u botua, edhe për arsyen se me këtë roman letërsia shqipe po renditej me letërsitë e tjera që përfshiheshin në zhvillimet e kohës. Si rrjedhim, nëse “Gjenerali i ushtirsë së vdekur” i Ismail Kadaresë, botuar më (1963), është romani që sjell modernen në letërsinë shqipe, pas pak më shumë se dhjetë vjetëve, romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974) është ai që sjell në letërsinë shqipe postmodernen.
  2. Në vazhdën e kritikut letrar, përkatësisht studiuesit të letërsisë, Rexhep Qosja botoi në vazhdim të veprimtarisë studimore veprat: “Shkrimtarë dhe periudha” (1975), “Anatomia e kulturës” (1976) dhe vepra “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979). Pikërisht periodizimi i letërsisë nga Qosja u bë shkas për fillimin e një polemike midis studiuesit e shkrimtarit Rexhep Qosja, i vetëm në njërën anë, dhe poetit Ali Podrimja, në anën tjetër; këtë të fundit e përkrahën edhe të tjerë. Mospajtimi themelor midis tyre ishte se Qosja shprehej se letërsia e re në Kosovë kishte vetëm dy shkrimtarë me peshë të vërtetë letrare, kurse Podrimja theksonte se Qosja mohon krijuesit që mbajtën barrën kryesore të zhvillimit letrar. Polemika kulmoi me botimin e veprës “Morfologjia e një fushate” (1980) nga Rexhep Qosja. Duke lënë anash pjesën e kësaj polemike, në të cilën u ngjallën cenet shqiptare, ajo çka prodhoi ajo në thelb ishte se letërsisë shqipe në Kosovë i bëri mirë edhe studimi e trajtimi i saj përmes kritereve të disiplinuara letrare, që mbrohej nga Qosja, sikurse po ashtu i bëri mirë edhe liria e autorit, i cili krijon pa pasur parasysh rregullat e metodave, që e përfaqësonte Podrimja.
    Rexhep Qosja do të vazhdojë me polemikën e tij, duke e ngritur në armë të fuqishme që kishte për mbrojtjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, përkatësisht të Çështjes së Kosovës për vetëvendosje gjatë viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta. Ai u bë zëri më i artikuluar në polemikat e tij me shkrimtarët serbë e maqedonë. Gjatë këtyre viteve Rexhep Qosja, Ismail Kadareja dhe Ibrahim Rugova përbëjnë treshën e autoriteteve që artikulojnë rrugën e shqiptarëve drejt së ardhmes në Evropë, përkatësisht për të drejtën e pavarësisë së Kosovës. Në këtë drejtim duhet parë edhe polemikën Kadare-Qosja (2006) e cila prodhoi një debat për identitetin e shqiptarëve. Nëse Kadareja mbrojti dhe arsyetoi identitetin evropian të shqiptarëve, i cili në pjesën kryesore të historisë është i këtillë; Qosja krahas këtij identiteti pohoi se edhe periudhat e tjera të historisë së shqiptarëve duhet pasur parasysh. (vijon)

(Në numrin tjetër, ndër të tjera, do të lexoni sesi Rexhep Qosja shkroi “Historinë e Letërsisë Shqipe” dhe “Porosia e Madhe”, kushtuar poetit kombëtar Naim Frashëri, që ishte faza e parë për shkrimin e Librit për Shqiptarizmin, të cilin ai e ngriti në filozofi kombëtare).

Të fundit

më të lexuarat