Pishtar i arkitekturës moderne në Ulqin dhe më gjerë

Na shkoi edhe një intelektual i fortë i kohës së artë të qytetit tonë – Ulqinit, por edhe i kohës sonë moderne.
Të premten, më 10.04.2026, në moshën 74-vjeçare ndërroi jetë Selim Resulbegoviqi, njëri nga pjesëtarët e fisit të njohur Resulbegoviq nga qyteti ynë i bukur i Ulqinit. Selimi ishte dhe deri në fund të jetës ka mbetur gjithmonë një ulqinak i vërtetë, me rrënjë të forta në Limanin e bukur, pavarësisht se një kohë ka jetuar edhe në Itali dhe Slloveni, kurse më herët edhe në Sarajevë, ku është arsimuar dhe ka studiuar për arkitekturë.
Me Selimin kam pasur marrëdhënie të mira dhe gjithmonë e kam quajtur Selim Begu II. Jo vetëm për mua, por edhe për shumë banorë të respektuar të qytetit të Ulqinit, atij i shkonte ky titull.
Shpeshherë ishim bashkë edhe në emisione të ndryshme televizive, në veçanti para dhe pas referendumit për Pavarësinë e Malit të Zi, kur kemi folur për bashkëjetesën dhe intekulturalizmin në qytetin tonë. Këto biseda dhe emisione kanë pasur një ndikim të posaçëm për rezultatet e referendumit dhe valëvitjen e flamurit të Malit të Zi para Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
Selimi ka qenë bashkëbisedues i mirë, i pajisur me dije jo vetëm nga arkitektura, por në përgjithësi nga historia dhe kultura. Ka lindur në Ulqin, në një shtëpi të njohur beglerësh, ku ka jetuar dhe e ka kaluar fëmijërinë, rininë dhe deri në fund të jetës së tij i ka mbetur besnik qytetit tonë të bukur.
Pas studimeve në Sarajevë, kthehet në Ulqin dhe më vonë punon si arkitekt me një përvojë të jashtëzakonshme të fituar nga puna dhe studimet në Slloveni, Itali dhe Sarajevë.
Selimin e kam njohur mirë dhe shpeshherë kemi ndenjur bashkë. Më ka mbetur në kujtesë sidomos një takim kur ai ishte në postin e nënkryetarit të Komunës së Ulqinit, gjatë vizitës që shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Mitja Drobniç, i bëri qytetit tonë.
Gjatë vizitës së tij në Kala, ku unë isha në rolin e shoqëruesit, kujtoj se gjatë bisedës u bashkëngjit Selimi, i cili posedonte një kulturë të jashtëzakonshme jo vetëm nga fusha e arkitekturës, por edhe nga fusha e historisë, sidomos rreth gërmimeve arkeologjike të kryera brenda Shkalasë, vendit ku gjendet pjesa muzeale e qytetit tonë. Ai kishte një përvojë të madhe në këtë fushë duke qenë se kishte bashkëpunuar me Pavle Mijoviqin. Qëllimi ynë ishte që ta bindnim shefin e Delegacionit të BE-së të na ndihmojë për kandidimin e kësaj pjese të Kalasë së Ulqinit në UNESCO.
Ai ka qenë po ashtu anëtar i Këshillit Drejtues të NP “Të Mirat Detare”, në një kohë kur kjo ndërmarrje sillej në mënyrë diskriminuese ndaj Ulqinit. Por Selimi me autoritetin e tij bëri që të ndërtohet dhe të rregullohet një pjesë e bregdetit dhe disa pjesë në Pyllin e Pishave.
Selimi e ka dashur dhe ka qenë i dashuruar në Lima, Kala, det, barka, sandalla etj., veti këto të trashëguara nga babai dhe të parët e tij. Këto veti pa dyshim që janë reflektuar edhe në punën e tij si arkitekt, duke “qëndisur” shumë objekte arkitekturore. Një prej tyre është shtëpia e tij e vogël në Lima, ku ka kaluar një kohë të gjatë. Kjo shtëpi, me një pamje të jashtëzakonshme, mbi Lugun e Xhemiles, është si në përralla. Nuk them se kjo shtëpi përbën kulmin e punës së tij arkitekturore, por lagjja dhe pamja ishin burim frymëzimi për shpirtin e tij.
Për mua dhe shumë të tjerë, kulmi i punës së tij si arkitekt është objekti fetar madhështor i Qendrës Islame “Selimija” në Tivar, të cilin e ka projektuar me arkitektin e ndjerë ulqinak Fuad Mavriq. Ky objekt “qëndis” sot pjesën më të bukur të Tivarit, duke e bërë pjesë të realitetit ëndrrën për shumë myslimanë por edhe vizitorë të tjerë. Me këtë objekt, ai ka lënë gjurmë të pashlyera në arkitekturën e Malit të Zi dhe më gjerë.
Ai ka qenë i gatshëm t’i ndihmojë brezit të ri, sidomos në aspektin profesional. Jam i sigurt se të njëjtin mendim ndajnë të gjithë ata që kanë punuar dhe bashkëpunuar me të. Po ashtu ka gëzuar autoritet të madh në mesin e kolegëve të tij. Këtë më së miri e dëshmon fakti i zgjedhjes kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Ulqinit.
Por nuk duhet të harrohet edhe puna e palodhshme dhe kontributi i tij i madh në zhdukjen e pasojave të tërmetit të vitit 1979 dhe rinovimin e qytetit të Ulqinit. Po ashtu, kontributi i Selimit për rivitalizimin dhe kthimin e jetës në Kala ka qenë shumë i madh, në kohët më të vështira për rivitalizimin e saj. Këtë e them me plot gojë, sepse në shumë mbledhje kemi marrë pjesë së bashku, ku fjala e tij si specialist i fushës ka pasur peshë të veçantë.
Selim Resulbegoviqi ishte një njeri me virtyte të rralla, i arsimuar dhe me kulturë të gjerë, një virtuoz në fushën e arkitekturës, i dashur dhe i çmuar nga të gjithë kolegët e tij. Si i tillë, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimimin e shumë arkitektëve të rinj, por edhe si promotor i kulturës dhe arkitekturës në Ulqin dhe rajon. Por edhe për nga pamja dallohej nga të tjerët, sepse kishte një fizionomi karakteristike, me një frizurë unike, i pashëm dhe i qeshur. Pra, një artist i madh në kuptimin e vërtetë të fjalës, i cili ka punuar me zemër dhe pasion për pamjen e qytetit tonë. Për këto arsye, ai ishte i nderuar nga të gjithë.
Vdekja e Selim Resulbegoviqit përbën një humbje të madhe për familjen e tij më të ngushtë, por në veçanti për bashkëshorten Afërditën, heroinën e jetës së tij. Po ashtu edhe për anëtarët e fisit të madh të tij, shokët dhe miqtë, si dhe për komunitetin e arkitektëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ai është ndarë fizikisht prej nesh, por kujtimi për figurën e tij si njëri prej pishtarëve të arkitekturës moderne në Ulqin dhe më gjerë, do të mbetet përgjithmonë. Selimi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë tonë, prandaj largimi i tij nga kjo botë pa dyshim që ka lënë një zbrazëti të madhe në arkitekturën tonë në përgjithësi.
Inshallah shpirti i tij gjen prehje në xhenet!

Ismet Karamanaga

Të fundit

më të lexuarat