Dashuria triumfon mbi çdo konflikt dhe paragjykim

Tuz – Pas një rrugëtimi shfaqjesh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Evropa e deri në Amerikë, premiera e filmit me metrazh të gjatë “Sofia” u shfaq më 14 dhjetor (në dy termine kohore), dhe më 20 dhjetor, në sallën e QKI-së “Malësia” në Tuz.
“Sofia”ka shënuar një histori suksesi kudo që ai është shfaqur, duke u mirëpritur me admirim dhe entuziazëm të madh, ashtu siç u mirëprit edhe në Tuz, ku në të dy terminet kohore të shfaqjes, salla ishte e mbushur plot. Kjo edhe për faktin se në kësten e aktorëve që e realizuan atë kishte edhe interpretues nga Malësia.
Regjisori i këtij filmi Eduart Grishaj, në prononcimin për mediat e pranishme u shpreh se ka tre vjet qëkur ai ka filluar të punojë për të realizuar këtë film, ndërsa rrëfeu se filmi trajton një histori të jashtëzakonshme që ai e ka gjetur teksa ka lexuar një vepër të At Zef Pllumit .
“Ishte një rrëfim, një histori e vërtetë që sapo e lexova thash mepatjetër duhet t’a bëj film këtë vepër, sepse duke pasur arsye se ishte vetëm libër, është shumë më vështirë të depërtojë tek i gjithë publiku, dhe duke e kthyer atë në ekranin e madh mendova se mund t’i përfshij të gjithë njerëzit dhe kështu të bëj maksimumin”, u shpreh Grishaj.
Ai shton se filmi kudo që është shfaqur deri më tani, ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm, që siç tha edhe pse një ngjarje e ndodhur shumë vite më përpara e ka shumë afër aktualitetin e ditëve të sotme.
Ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e Veriut, në kohën kur ish-Jugosllavia vjen për ta pushtuar dhe pastaj aty lindin ngjarjet e një gruaje Sofia që pret në derë një ushtar që vinte nga Mali i Zi, me origjinë serbe, dhe aty ajo merr vesh që pikërisht ai serbi është ai që ia ka vrarë djalin, por ajo e mban në shtëpi dhe i shkon traditës shqiptare dhe ca zakoneve të jashtëzakonshme.
Grishaj tha që ajo që ka qenë më thelbësore për të si regjisor që ta jetësojë këtë vepër kinematografike që pasqyron ngjarje të para tetëdhjetë viteve më përpara, është të tregojë se zemra është ajo më e rëndësishmja, më me rëndësi se gjithë ana materiale që siç tha, i ka deformuar njerëzit dhe i ka nxjerrë nga identiteti që kanë pasur dikur.
Në filmin “Sofia” interpretojnë një këstë aktorësh profesionistë dhe amatorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Me përfshirjen e të gjithë këtyre aktorëve në role të ndryshme, regjisori Grishaj ka pasur synim të tregojë se pavarësisht konflikteve të ditëve të sotme si ato politike dhe paragjykimeve që kemi ndërmjet shteteve dhe me njëri-tjetrin, “nëse ne bëhemi bashkë, pavarësisht se nga cili vend fqinj vijmë, ne mund të bëjmë shumë gjera të mira dhe nga kultura ne duhet ta ndryshojmë këtë koncept”, thekson Grishaj.
Mesazhi që ky film transmeton tek masa është ajo që, pavarësisht atyre çfarë kanë ndodhur në të kaluarën, ne mund të ecim përpara, sepse dashuria ëshë shumë më e rëndësishme se çdo konflikt dhe paragjykim.
Filmi “Sofia” pritet të shfaqet edhe në Serbi, pasi që siç tregon regjisori, mbi këtë janë në bisedim e sipër me Beogradin. Ai tregon se nëse ky film do të shfaqen në Beograd, ai do të ishte filmi i parë shqiptar që do të jepej në Serbi.
Grishaj duke treguar se Tuzi shfaqi një interes të jashtëzakonshëm për të shikuar këtë film, tha se Malësia (Tuzi) ka shumë lidhje me filmin.
“Sepse filmi ka doke dhe zakone të cilat kjo zonë këtu i njeh shumë mirë”, përfundon Grishaj.
Ky është filmi i parë me metrazh të gjatë që ka realizuar regjisori Eduart Grishaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat