Datë e rëndësishme për historinë tonë kombëtare

“Dedë Gjon Luli me shokët e tij na udhëzuan me trimëri dhe guxim për të luftuar për të drejtat tona dhe për të mbrojtur çdo copë të vendit tonë. Komuna e Tuzit me kujdes dhe përkushtim do të vazhdojë të kultivojë dhe festojë kryengritjen e Malësisë, që kjo datë e rëndësishme të mbetet një shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm, si një kujtim i lavdishëm i guximit dhe vendosmërisë së popullit tonë”, u shpreh kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj

Tuz – Me rastin e 113 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së vitit 1911, Komuna e Tuzit organizoi të shtunën mbrëma më 6 prill 2024, mbrëmje akademike në QKI “Malësia” në Tuz.
Në këtë solemnitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor dhe të atij qendror, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme e personalitete nga jeta politike e publike nga Malësia, Ulqini, Plavë- Gucia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, etj.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj në fjalën e rastit tha se 6 Prilli i vitit 1911 është një datë e rëndësishme për historinë tonë kombëtare.
“Sot kujtojmë dhe nderojmë trimërinë dhe guximin e atyre burrave të Malësisë të cilët u ngritën në kundërshtim me pushtuesit, për të luftuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Kjo kryengritje shënoi një hap të rëndësishëm në rrugën drejtë pavarësisë së Shqipërisë” theksoi Gjelaj.
Ai më tej u shpreh se Kryengritja e Malësisë nuk ishte vetëm një akt kundërshtimi ndaj pushtuesve, por një shprehje e thellë e identitetit dhe vlerave tona kombëtare.
“Dedë Gjon Luli me shokët e tij na udhëzuan me trimëri dhe guxim për të luftuar për të drejtat tona dhe për të mbrojtur çdo copë të vendit tonë. Komuna e Tuzit me kujdes dhe përkushtim do të vazhdojë të kultivojë dhe festojë kryengritjen e Malësisë, që kjo datë e rëndësishme të mbetet një shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm, si një kujtim i lavdishëm i guximit dhe vendosmërisë së popullit tonë”, u shpreh kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Ndërkohë, prof. dr. Teki Kurti (historian), me kumtesës “Kryengritja e vitit 1911 e Malësisë së Mbishkodrës është pararendëse e kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912” u fokusua tek disa momente të rëndësishme të Kryengritjes së Malësisë, që çoi më vonë në Pavarësinë e Shqipërisë.
“Pas kryengritjes së vitit 1910, rrethet atdhetare brenda dhe jashtë vendit, bënë thirrje për një kryengritje të re gjatë së cilës do të kërkohej autonomia e Shqipërisë. Ky plan u shpalos kryesisht në shtypin e kolonive. Në këtë kohë, kudo kërkohej amnisti për luftëtarët e vitit 1910. Liri për gjuhën shqipe dhe alfabetin latin, krijimin e administratave me shqiptarë dhe të përdorimit të armëve për zhvillimin ekonomik e kulturor të Shqipërisë. Kështu, me nisën e Nikollë Ivanait u krijua në Bari, një komitet. Në janar të vitit 1911 u formua në Itali komuniteti Pro Albania rreth së cilit u bashkuan njerëz me bindje republikane, socialiste e demokratike, etj” u shpreh Kurti.
Ai më tutje tha se midis tyre kishte edhe gjashtëdhjetë deputetë, ndërsa komuniteti u shtri në të gjithë Italinë për të mbledhur të holla dhe për të regjistruar vullnetarë për Kryengritjen e Shqiptare.
“Interesat e qeverisë italiane binin në kundërshtim me mbështetjen popullore. Kështu, në vitin 1911, qeveria ndaloi ekspeditën e vullnetarëve. Përgatitja për kryengritje në Shqipërinë e Veriut shqetësoi edhe shtetet ballkanike, pasi përmbushja e kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare do të binde ndesh me synimet e shovinistëve të shteteve të Ballkanit për aneksimin e tokave shqiptare” u shpreh prof. dr. Teki Kurti.
Ai ndër të tjera shtoi se ndërkohë, 7 mijë refugjatë shqiptarë u futën në Malin e Zi, 400 vetë nga Kastrati të prirë nga Zenel Shabani, 400 vetë nga Hoti me Dedë Gjon Lulin, 800 veta nga Shkreli në krye me Prën Marashin dhe 400 të tjerë nga Gruda në krye me Dedë Nikajn, kurse 1200 të tjerë nga Kelmendi.
Ndërkaq, akademik Frashër Demaj (historian), përmes kumtesës “Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 në këndvështrimin e diplomacisë së Fuqive të Mëdha” tha se Kryengritja e Malësisë së Madhe në vetvete ka simbolikë dhe përmbajtje.
“Simbolika dhe përmbajtja e saj nuk konsiston thjeshtë në organizimin e një kryengritjeje shqiptare kundër Perandorisë Otomane. Kjo simbolike dhe përkrahje konsiston në dy elemente shumë të rëndësishme. Elementi i parë është ndërlidhja që bëri Kryengritja e Malësisë së Madhe me Kryengritjen e Kosovës të vitit 1910 dhe kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912. Dhe po ashtu, është tepër e rëndësishme se në Bratilë, në zonën e Deçiqit me krahinën e Malësisë së Madhe u ngrit flamuri kombëtar para se të ngritej më 28 nëntor të vitit 1912, në Vlorë” u shpreh akademik Frasher Demaj.
Kjo ngjarje dhe ky fakt, shtoi ai, tërheq gjithashtu edhe një element shumë të rëndësishëm “demanton çdo spekulim që është pretenduar të bëhet lidhur me kryengritjen e vitit 1911 në Malësinë e Mbishkodrës. Pra, nuk lë asnjë vend për mëdyshje por me saktësi të plotë Kryengritja e vitit 1911 në Malësinë e Madhe ishte kryengritje me premisa, puro kombëtare”.
Akademik Frasher Demaj ndër të tjera theksoi se çdo pretendim dhe tentativë për ta quajtur ose për të bërë analizë ndryshe, është një përpjekje koti sepse, siç tha ai, argumentet historike flasin në favor të Kryengritjes së Malësisë së Madhe me elemente krejtësisht kombëtare.
Në këtë mbrëmje akademike, mbi Kryengritjen e Malësisë së vitit 1911 me kumtesat e tyre janë paraqitur edhe panelistët e tjerë, akademik Anton Kolë Berishaj (sociolog) dhe profesor Mark Junçaj (historian).
Në këtë mbrëmje akademike kushtuar 113 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë në hollin e QKI-së “Malësia” është shpalosur ekspozita e fotografive të kryengritjes së vitit 1911 nga Muzeut Kombëtar “Marubi”- Shkodër.

                                                                                                                                   t. u.   

Të fundit

më të lexuarat