Afro-ulqinakët

Në Ulqin, deri vonë ka jetuar një komunitet shumë i respektuar i afro-ulqinakëve. Po çka ishte ky komunitet? Si mbërritën në Ulqin? Kush i solli? Përmes këtij shkrimi do të përpiqem që t’u përgjigjem këtyre dhe pyetjeve të tjera

Gazmend Çitaku

Qytetet bregdetare si Ulqini, historikisht janë marrë me detari dhe kjo ka qenë veprimtaria e tyre kryesore jetësore. Me anë të detarisë ata bënin tregti me qytete të ndryshme të Adriatikut, por edhe të të gjithë Mesdheut. Të lundrosh, apo të merresh me detari nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, sepse kërcënoheshe nga ata të cilët merreshin me piratëri apo kusari. Kështu, ndodhte shpeshherë që një anije tregtare të sulmohej nga rivalet lundruese me flamur kundërshtar. Të tilla sulme bënin të gjitha anijet që lundronin, andaj edhe të flitet se janë marrë vetëm me plaçkitje nuk do të ishte e drejtë, sepse tregtia dhe sulmi i anijeve më të dobëta ishte metodë e të mbijetuarit të detarëve.
Me pretekst për shuarjen e piratërisë, në vitin 230 p.e.r., fillon edhe ekspansioni i Perandorisë Romake në drejtim të lindjes apo më mirë të themi në drejtim të tokave ilire. Më vonë, në Mesdhe ka lulëzuar piratëria në mes të viteve 1500-1800 dhe kjo ka të bëjë kryesisht me piraterinë që organizohej nga vendet e Afrikës Veriore, apo siç kanë qenë të njohura si Bregu i Barbarisë (Tripoli, Algjeri, Tunis, Rabat). E veçanta e kësaj është se piratët barbarë (berberët) i paguanin tatim sulltanit për çdo lloj plaçke dhe pastaj kjo i bënte të ishin të lirë të vepronin më gjatë. Udhëheqësit kryesorë të këtyre piratëve historikisht të njohur ishin shumica renegatë të konvertuar në myslimanë. Këta renegatë merrnin guximin të sulmonin, jo vetëm anijet e ndryshme, por guxonin të bënin edhe sulme ndaj qyteteve bregdetare në të gjithë Mesdheun, madje edhe në Atlantik dhe kështu për një kohë të gjatë ka qenë aktuale piratëria e njohur si Ari i bardhë (White gold), piratëri kjo që kishte të bënte me marrjen rob të njerëzve të bardhë në mënyrë që nga familjarët e tyre të nxjerrin sa më shumë të holla.
Ulqini, duke i takuar rajonit Albania Veneta, së bashku me Tivarin janë dy qytetet e fundit që ranë nën pushtimin osman në vitin 1571, si dhe përfaqësojnë dy qytetet e para që iu shkëputen po kësaj perandorie dhe i bashkëngjiten Malit të Zi – së pari Tivari më 1879 dhe pastaj Ulqini më 1880. Në Adriatik, përveç ulqinakëve, me veprimtari piraterie apo kusarie janë të njohur edhe kusarët e Senjit, pastaj uskokët apo kusarët e Pashtroviqit etj. Mirëpo, para se të vazhdojmë, le të shpjegojmë dallimin në mes të kusarit dhe piratit. Fjalori shqip-shqip jep këtë shpjegim: KUSAR m. sh. – 1. Njeri që vjedh, plaçkit e grabit me dhunë; vjedhës, hajdut. PIRAT m. sh. – 1. Kusar që sillej me anije nëpër dete për të sulmuar dhe për të grabitur anijet tregtare, kusar deti.
Në të vërtetë, nëse e vendosim veten në kohën kur këto dy veprimtari detare kanë qenë aktuale, dallimi në mes tyre ka qenë shumë më i madh. Kusaria ka qenë veprimtari e kontrolluar nga shteti dhe e drejtuar kryesisht në sulmimin e anijeve nën flamurin e shteteve që nuk ishin mike dhe kusarët nuk kishin leje të vrisnin e plaçkitnin. Mirëpo, atë çka grabisnin duhej lajmëruar dhe assesi ta përvetësonin për nevoja personale. Në anën tjetër, piratëria ishte veprimtari që zhvillohej në mënyrë të egër dhe kryesisht për nevoja personale të piratit dhe ekuipazhit të tij. Këta merreshin me punë të ndyra, vrisnin, plaçkitnin dhe zinin rob për t’i shitur në tregjet e ndryshme. Piratët janë pasqyrë e shëmbëlltyrave nga filmat si tipa me mjekrra, këmbë druri dhe papagall.

Po si erdhi në Ulqin komuniteti afro-ulqinak?
Sa i përket origjinës së këtij komunitetit ata kryesisht janë nga Sudani, Çadi, Etiopia dhe të gjithë janë blerë në periudha të ndryshme kohore nga detarë ulqinakë për nevojë pune në anije ose në bujqësi, por edhe për punë shtëpie në Ulqin. Këta afro-ulqinakë janë blerë në tregjet e Tripolit (Tarabulluz), Bengazit, Port Said-it, Aleksandrisë etj, dhe sipas një rregulli të pashkruar të gjithë ishin të moshës 6-12 vjeçe të të dy gjinive. Zakonisht kapidani ulqinak e ka ditur që sipas fesë nuk ka të drejtë të mbajë rob, andaj me të konvertuar në fenë islame, afro-ulqinaku nga pronari i tij fitonte mbiemrin e tij (nëse dëshironte) dhe një copë tokë ku do të krijonte jetën e vet të re. Duke qenë se afro-ulqinakët ishin shumë të rinj kur u sollën në Ulqin, ata shumë shpejt u integruan në shoqëri dhe nuk kanë arritur që të mbajnë mend fjalë nga jeta e mëparshme në Afrikë.
Për komunitetin afro-ulqinak janë bërë disa studime, kryesisht nga autorë të huaj dhe i pari që ka shkruar për këtë komunitet është Tihomir Gjorgjeviq, i cili në një publikim të botuar në Beograd në vitin 1933 e të quajtur “Naš narodni život”, sjell dëshmi nga qëndrimi i tij në Ulqin në vitin 1928. Ai atëbotë tregon se në Shtoj ndodhen 5 shtëpi afro-ulqinake, në tri prej tyre jetojnë të vetëm kurse në dy familje me gra e fëmijë, kurse befasohet shumë kur duke ecur rrugës kryesore të Ulqinit i shoqëruar nga profesor Lubomir Bullatoviqi, ndalon një djalë të vogël negro për ta pyetur se prej nga ishte. Ky me një shqipe ulqinake i përgjigjet nga Ulqini dhe ikën në lojën e tij.
Gjurgjica Petroviq në botimin e saj “Crnci u Ulcinju”, nga viti 1972 sjell të dhëna krahasuese, duke thënë se gjatë periudhës osmane në Ulqin, pra deri para 1880, kanë jetuar rreth 100 shtëpi me afërsisht 500 banorë, kurse menjëherë pas aneksimit të Ulqinit Malit të Zi (1880), evidentohet rënie e numrit të tyre në 50 shtëpi me afro 150 banorë. Kjo do të thotë se ata e lëshuan Ulqinin së bashku me familjet e tjera shqiptare në drejtim të Shkodrës.
Aleksandër Lopaçiq sjell një studim antropologjik më seriozin të quajtur “A negro community in YU”, botuar në vitin 1958 në revistën “MAN”. Gjatë vizitës së tij në Ulqin ai na lë të dhëna të jashtëzakonshme për këtë komunitet. Gjatë kësaj vizite evidenton dhjetëra puro afro-ulqinakë dhe disa melezë. Lopaçiqi përmend faktin se me rënien e Ulqinit vetëm familja e Haxhi Beg Gjylit dhe Haxhi Mehmet Becit gjatë ikjes së tyre për në Shkodër me vete marrin edhe afro-ulqinakët. I pari tetë, kurse i dyti pesë afro-ulqinakë.
Maksut Haxhibrahimi në librin e tij “Detaria e Ulqinit nëpër shekuj”, sjell të dhëna nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX, ku në Ulqin evidentohen 7 puro afro-ulqinakë autoktonë, 8 fëmijë nga martesat e përziera dhe një plak i ve.
Ali Llunji në librin e tij “Harapët e Ulqinit”, na sjell të dhëna për ulqinakun Haxhi Halil Fici, i cili kishte qenë bimbash në ushtrinë e Perandorisë Osmane, dhe me rastin e kthimit të tij në Ulqin ai me vete sjell edhe gruan e tij me ngjyrë të quajtur Zehra dhe vajzën e tyre Zylihaja. Ai e kishte përgatitur atë se kur të kthehej në Ulqin, ky e kishte për obligim familjar së pari të martohet me një vajzë të bardhë e nëse kjo dëshironte, mund ose të vinte ose të priste një kohë në Sudan. Zehra vjen në Ulqin dhe me lejen e Halil Ficit ajo martohet për Jakup Harapin, i cili ishte pronar i kafenesë në Ulqin.
Ylber Hysa në librin e tij “Shqiptarët dhe të tjerët”, na sjell një përmbledhje të studimeve nga autorët e cituar më lart dhe ai në një mënyrë profesionale dhe shumë serioze e elaboron praninë e komunitetit afro-ulqinak në Ulqin duke na përmbledhë këto të dhëna me komentet e tij të qëlluara dhe shumë korrekte. Andaj edhe unë propozoj që kushdo që merret me çështjen e komunitetit afro-ulqinak, duhet patjetër të konsultojë të gjithë këta autorë të sipërpërmendur.

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat