Shkodra në ëndrrën festive

Gani Karamanaga

Rrëfimi 1
Shkodra në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar
Ulqini ka qenë gjithmonë, që në lashtësi, porta detare e Shkodrës. Kjo i ka afruar dy qytetet, për shkodranët edhe më afër se Durrësi e Shëngjini… Që në kohë të hershme shkodranët e ulqinakët kanë marrë dhe kanë dhënë me njëri tjetrin, e kanë ndjerë veten gjithmonë pranë njëri tjetrit… Në Shkodër dhe Ulqin janë të përhapur mbiemrat e familjeve siç janë: Gjyli, Gjylbegu, Dermani, Basha, Ishmaku, Uruçi, Ulqini, Ulqinaku, Fani, Truma, Shurdha, Bushati, Bakalli, Tivari, Krymi, Luli, Lika, Beci etj..
Historia tregon, por edhe kujtesa popullore nuk e harron se si Shkodra mbarë u gjet pranë Ulqinit të kërcënuar përball Flotës Luftarake të Fuqive të Mëdha nga deti, malazezëve nga toka e turqve otomanë pas shpine më 1880. Është historia e lavdishme, por e trishtuar e “ mbrojtjes së Ulqinit” përball dredhive dhe pabesive të Fuqive të Mëdha…
Fillimi i demokratizimit në Shqipëri. Për herë të parë ishim në Shkodër në vitin 1992. Me veturën “Lada standard” kaluam nëpër kufirin te Hani i Hotit. Shqipëria ka qenë enigmë për ne. Shkodra afër, por shumë larg, këngët shkodrane, të afërmit tonë. Atje. Shkodra ishte dashuria dhe nostalgjia e jonë.
Mbërritëm deri te rrethi para hyrjes në lagjen Ruse. Djathtas shkohej për lagjen “Naim Gjylbegu”, rruga “Fahri Ramadani”. Ishte vizita kthyese e familjes Raboshta. Limone Raboshta ishte mbesa e gjyshit të bashkëshortes sime Fitnetes.
Në vitin 1990 në Ulqin erdhi Limone Raboshta, me djemtë Bashkimin, Fatmirin dhe nipin Arbenin. Ky ishte i sëmurë. Me sukses e mjekoi dhe e shëroi i ndjeri Dr. Rexhep Spuzha, pediatri i njohur në Ulqin dhe Tivar, shoku im qysh nga Shkolla për Infermieri në Cetinë dhe Fakulteti i Mjekësisë në Beograd.
Shtëpia e familjes Raboshta ishte e vjetër. Pritja e mirë. Shtruan drekë për ne. Më vonë kam dëgjuar se për të na pritur është lypur që ta mbledhin ushqimin për drekë nga fqinjtë.
Automobilin , në mbrëmje e linim në oborrin e Bashkimit. Shkodra atëherë nuk ka qenë vend i sigurt.

Rrëfimi 2
Dr.Astrit Beci
Në vitin 2000 në tetor u organizua Seminari Shkodër-Ulqin në hotelin “Rozafa”, Prej Ulqinit ishim: Dr. Simë Dobreci, Dr. Sadije Hollaj, Dr. Reshit Llolla, Dr. Ahmet Maraj, Dr. Fatmir Resulbegu. Mysafiri i jonë ishte edhe Prof. Branisllav Gjuriq nga Sremska Kamenica.
Në mbrëmje shëtitëm në afërsinë e hotelit. Na kanë thënë se kemi gabuar se atëherë nuk ka qenë e sigurt lëvizja-shëtitja natën. Në Shkodër ka pasur pak automjete. Kishin filluar mercedesat e vjetër. Rrugët ishin vende-vende me gropa. Por ne, këto gjëra nuk na kanë penguar.
Dr.Astrit Beci ishte drejtori i Spitalit rajonal në Shkodër. Një vjet më përpara ishin në Ulqin: Dr.Astrit Beci, Dr.Ardijan Dajti, Dr.Agron Luli, Dr.Bashkim Bala dhe Dr.Nadire Suma si pjesëmarrës të Seminarit të Parë Ulqin-Shkodër, i cili u mbajt në Pallatin e Ballshajve në Kala të Ulqinit.
Kështu u hapën dyert e bashkëpunimit. Njëri, më kryesori për këto aktivitete ishte Dr.Astrit Beci. Ai është pasardhësi i Mehmet Becit, i cili erdhi në Shkodër pas dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi.
Mehmet Beci, Mehmet Gjyli nga Ulqini dhe Isuf Sokoli ishin nga Shkodra, ishin në krye mbrojtjes së Ulqinit në vitin 1880. Forcat otomane turke në krye me Dervish Pashën luftuan kundër këtyre trimave dhe vullnetarëve te Ura e Klleznës para hyrjes në Ulqin.
Astriti thotë:
“Mehmet Beci i ka ruajtur opingat të varura në mur, me të cilat mendonte të kthehet në Ulqin”.
Nëna e Astritit e ka pasur prejardhjen nga familja Beqiraga nga Kalaja e Ulqinit.
Më kujtohet: në dekadën e pestë të shekullit XX Fatime Beqiraga e shiti shtëpinë në Kala. Blerësi ishte Hashim Resulbegu.
Me 3 dhjetor isha në vizitë për sy te Dr. Astriti. Ma bëri edhe skanerin e syrit të djathtë. Mbeta i fascinuar, i kënaqur. Prej vitit 2007 kam bërë vizita dhe intervenime në Institutin për sy në Klinikën “Millosh” dhe Klinikën Univesitare për sy në Beograd. Por, shikimin me aparaturë moderne, bashkëkohore-skanerin e syve nuk ma kanë bërë.
Astriti, përveç se është mjek-okulist i dalluar, është më së pari krenar me prejardhjen nga Ulqini. I dashuruar në vendlindjen e stërgjyshave, në Ulqin.

Rrëfimi 3
Shkodra në ëndrrën festive
E gjetëm një vendparkim në oborrin e xhamisë së re. Pamjen tonë e ndaluam te teatri “Migjeni”. Ishte i ndriçuar, shkëlqente.
Filluam të ecnim në Pedonale. Në fillim në anën e djathtë Kafja e Madhe.
Kafja e Madhe, ishte edhe në kohë të mëparshme vendtakim i kulturës dhe aristokracisë. Ndërtesa ndahej në dy kate, ku i pari kishte ambient të bollshëm me kapacitet deri në 200 persona dhe 50 tavolina, plot me dritare dhe pasqyra, ku pranë tyre mund të luaje bilardo apo të pije një kafe në një kënd dedikuar vetëm kafesë. Në katin e dytë ishin 9 dhoma gjumi dhe dy banja të përbashkëta, ku turistët apo të huajt që vinin për punë kalonin ditët. Në vitin 1920, Ndoc Luka, konsulli i Italisë në Shkodër e bleu Kafen e Madhe. Me vdekjen e tij, gjithçka i kaloi së bijës e cila martohet me Muzale (Muzhalë) që trashëguan atë godinë. Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: fillimisht quhej Kafe “Adriatik”. Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savija”.
Por gjithnjë, prej përmasave që për kohën nuk mund të imagjinoheshin, për të gjithë ruajti emrin Kafja e Madhe.
Pedonalja ishte e stolisur, plot njerëz: fëmijë, të rinj, të moshuar. U ofruam godinës Bashkisë të Shkodrës. Në afërsi i rrethuar kopshti i stolisur për fëmijë. Treni i vogël lëvizte nëpër Pedonale. Bashkia e ndriçuar, dukej sikur ndizej nga dritat dhe efektet e lloj-llojshme.
U ndalëm në kafene “Qlushae”( Klishe). Vendtakimi për të rinj, por edhe për ne më të moshuar. Ishin edhe disa tavolina me ulqinakë.
Ky ambient në Shkodër, një gjë që mbush me lumturi, kënaqësi duhet të përjetohet.
Duke u kthyer kaluam nëpër Parrucë. Para disa viteve shoku im Vaso Gjakonoviqi (kryetar i Komunës së Ulqinit 1988-1992) më luti që ta shoqëroj deri në Shkodër. Duke vizituar dyqanet në Parrucë ai u shpreh:
“Ky ambient më pëlqen.. kam bindjen se jam në Paris”
Kaluam urën e Bunës, mbërritëm në kufi .
Ulqinin e gjetëm aty ku e kemi lënë. Në Ranë 2-3 këmbësorë.
Ulqini do të pres që të stoliset për Vitit të Ri.
Vëllai im Ruzhdi një herë ka thënë:
“Në Ulqin vera kalon shpejt. Te ne, dimri fillon me 1 shtator…”

Të fundit

më të lexuarat