Shteti kishte dijeni për veprimet e shëmtuara të pushtetit vendor dhe ushtarako-policor

Nga veprimet e shëmtuara ndaj popullatës shqiptare, populli i kishte braktisur shtëpitë e tyre, kishin ikur e dalë në mal dhe kjo çështje po e komprometonte Malin e Zi në arenën ndërkombëtare, prandaj ministri i Brendshëm kishte nxjerrë vendimin nr. 1716, datë 18 / 31 maj 1913, me të cilin e detyronte kapedanin Gj. Vërbica të hetonte në mënyrë të padiskutueshme punën e organeve të pushtetit në krahinën e Plavës dhe Gucisë

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Edhe raporti i brigadierit Mashan Bozhoviq, komandantit të ri të emëruar për Qarkun Ushtarak të Plavës e të Gucisë, dërguar kryetarit të qeverisë, njëkohësisht ministër i Ushtrisë, Serdar Janko Vukotiqit (DACG, MV – Kabinet, 1913, f. 7), vërteton terrorin, keqtrajtimet e keqpërdorimet e pushtetit malazez ndaj shqiptarëve e myslimanëve. Në raportin e tij, të datës 8 maj 1913, ndër të tjera thuhej: “Për sa kam parë dhe për sa jam i informuar, për gjendjen e kaluar dhe të tashme në këtë qark, në pika të shkurtra po paraqes gjëndjen, edhe pse jo në mënyrë të detajuar e gjithëpërfshirëse, por vetëm sa për dijeni:
Pas një kohe që ju (Janko Vukotiqi) shkuat nga këtu, si duket, sipas udhëzimeve të dhëna nga Ju, punët, sipas rrjedhave të ngjarjeve, shkuan bukur në rregull, deri në një kohë kur disa zyrtarë të caktuar u zëvëndësuan, punët ndërruan dhe ata u bënë terror i vërtetë në çdo pikëpamje.
Si ka ndodhur dhe si janë krijuar komplotet për disa muhamedanë, nuk dëshiroj të hyj, edhe pse kam dyshime… Kanë vrarë njerëz në zë dhe të pasur vetëm për të grabitur atë çka kanë në trupin e tyre, pa i kursyer aspak dhe duke i porositur që të përgatitën për çdo gjë, të shkojnë të bashkohen me Gospodarin, e pastaj në pyll, ua lexonin aktgjykimin ose edhe pa të i vritnin.

Myftiu i Kazasë së Gucisë, Shabani, i dërgon letër Kryemyftiut të Malit të Zi, Ali Myrteza Efendiut (shkresa nuk ka datë, vetëm se është shënuar: muaji maj), të cilin e lajmëron se pasi gjenerali Vukotiq ishte larguar nga Gucia, në vend të tij filluan të qeverisin kajmekami i Kazasë së Gucisë, Milutini, dhe kryetari i Bashkisë së Gucisë, z. Miliq, të cilët po e mundojnë popullin me lloj-lloj torturash


Nga kjo kanë qenë të kursyer vetëm ata të cilët kanë kërkuar të kryqëzohen, ose kanë shpëtuar duke ikur, sepse këtu dhe gjithkund është folur: Kush nuk don kështu, do të shkojë në “kërkim”, çka do thotë do jetë i vrarë.
Qëkur unë kam ardhur dhe kam dhënë shpalljen për sigurinë e jetës dhe pasurisë si dhe për përdorimin e lirë të fesë, populli është qetësuar pak, e sidomos qëkur janë çelur përsëri xhamitë, kanë besimin e plotë dhe nga shkuarja në xhami shihet se sa ka qenë shtrëngesa për ndërrimin e fesë. Akoma nuk mund të them, por si duket, as një e pesta e të kryqëzuarve nuk do të mbesë në fenë ortodokse…”.
Nga ata që kanë ikur, edhe nëse kthehen, sigurisht asnjëri nuk do të mbesë i kryqëzuar, edhe pse, përgjithësisht anëtarët e familjeve që kanë mbetur këtu, kërkojnë që sa më parë të kthehen, dhe atëherë rendi e qetësia do të shkonte mirë…
Po ashtu, me emblema dhe me shpata kam gjetur 5-6 vetë nga Vasojeviqi dhe nga nahija e Beranit, të cilët përpara kanë qenë xhandarë apo ushtarë të thjeshtë, e tani u janë dhënë në shërbim atyre komandantëve të rinj si një lloj adjutanti dhe përkthyesi, por para disa ditësh i ka thirrur Komanda e Brigadës së Beranit”.
Pushteti kishte dijeni për të gjitha veprimet e shëmtuara të pushtetit vendor dhe ushtarako-policor në këto treva. Nga veprimet e shëmtuara ndaj popullatës shqiptare, populli i kishte braktisur shtëpitë e tyre, kishin ikur e dalë në mal dhe kjo çështje po e komprometonte Malin e Zi në arenën ndërkombëtare, prandaj ministri i Brendshëm kishte nxjerrë vendimin nr. 1716, datë 18 / 31 maj 1913, me të cilin e detyronte kapedanin Gj. Vërbica, të hetonte në mënyrë të padiskutueshme punën e organeve të pushtetit në krahinën e Plavës dhe Gucisë, i cili shkoi atje dhe më 20 maj / 2 qershor 1913 i raportoi ministrit në fjalë si vijon: “Gjatë qëndrimit tim atje populli nuk pati dhunë nga ana e pushtetit të atjeshëm, por me sa mora vesh nga persona të paanshëm, pati plaçkitje dhe kërcënime nga ana e pushtetit në kohën e kapitenit të Kapetanisë së Gucisë, Milivoje Dragoviq. Pas kësaj kohe u ndërpre dhuna në pikëpamje të plaçkitjes dhe përfitimit personal. Për këto keqtrajtime përmendën, midis të tjerëve, kapiteni Mileta Grançiq dhe shefi i policisë Milan Veshoviq, po ashtu edhe Milutin Radoniqi dhe sekretari tij Bakiq. Ata e shfrytëzuan pozitën e tyre sikurse edhe kryetari i komunës, Marko Bozhoviq, të cilët ushtronin terror duke i rrahur njerëzit me shkop… Sa i takon kryqëzimit të myslimanëve të atjeshëm, mësova si nga personat pa kompetencë ashtu edhe nga autoritetet e atjeshme ushtarake dhe civile, se pushteti i ra në gjurmë qëllimit të plavjanëve dhe gucianëve për të çuar krye e për t’i vrarë zyrtarët, prandaj erdhi ushtria së bashku me gjykatën ushtarake në krye me brigadierin Cemoviq. Atëherë kjo gjykatë zuri t’i vrasë. Nuk ia dola të informohem se cili ishte numri i saktë i të vrarëve. Thuhej se ishin vrarë 70 apo 100 veta, por flitej se janë vrarë deri në 250 veta, dhe se këto vrasje i detyruan gucianët të kryqëzohen që t’u shmangën vrasjeve të reja….” (Po aty) 20 maj 1913
Myftiu i Kazasë së Gucisë, Shabani, i dërgon letër Kryemyftiut të Malit të Zi, Ali Myrteza Efendiut (Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913, Prishtinë 1977, fq. 205), (shkresa nuk ka datë, vetëm se është shënuar: muaji maj), të cilin e lajmëron se pasi gjenerali Vukotiq ishte larguar nga Gucia, në vend të tij filluan të qeverisin kajmekami i Kazasë së Gucisë, Milutini, dhe kryetari i bashkisë së Gucisë, z. Miliq, të cilët po e mundojnë popullin me lloj-lloj torturash. “Këta pushtetarë për çdo ditë dhe nga 20 herë bënin kontrollimin e qytezës sonë, keqtrajtonin dhe terrorizonin nevojtarët dhe kalimtarët e përditshëm, banorët e pafajshëm si dhe parinë; dhe tregtarët, të cilët i shanin dhe i poshtëronin bile edhe 80-vjeçarëve u jepnin dajak dhe i shkelmonin midis çarshisë. Popullsia e gjorë dhe e pafajshme, e pambrojtur, keqtrajtohej dhe terrorizohej deri në atë shkallë sa as penda nuk mund ta përshkruajë. Duke menduar me lot, me zemër të pikëlluar e të lënduar, me mendje të ndrydhur dhe shpirt të përvëluar se çfarë rrugëdalje duhet kërkuar nga kjo gjendje tragjike, vendosa të njoftoj Hirësinë Tuaj fisnike në mënyrë që të shkoni dhe të ndërhyni sa më parë te mbreti Nikolla i Malit të Zi”.
Më 2 mars 1913 doli një shpallje me të cilën thirrej e gjithë popullsia e krahinës se Plavës e Gucisë që të braktisë menjëherë fenë e tashme. Në shpallje thuhej: “Të gjithë ju banorë jeni të detyruar të vini në selinë e pushtetit. Mirëpo, ne u përgjigjem me fjalë: këtë urdhëresë të pushtetit malazez e refuzojmë në mënyrë kategorike. Të nesërmen, pushteti malazez përdori menjëherë metodat e egra dhe masakruese”.
“Pushtuesit bënë seleksionimin e njerëzve, duke marrë më të zotët e më të mirët: tetë personalitetet më të njohura të Ulemasë, shtatë haxhinj (të pasur), dy profesorë, tridhjetë persona të parisë, pesëdhjetë e dy burra – trima. Dhe jo vetëm kaq, po edhe njëqind meshkuj të tjerë i morën nga krahina e Gucisë dhe e Plavës, dhe të gjithë këta njerëz të pafajshëm i pushkatuan dhe i masakruan në mënyrë të papërshkrueshme.
Nga dhjetëra mijëra njerëz që pushteti malazez i kishte marrë me dhunë për t’i konvertuar, katërqind vetë shpëtuan duke ikur malit, kurse nga dymbëdhjetë mijë veta, burra, gra, që i kishin mbledhur për t’i kryqëzuar, së pari zgjodhën treqind veta, i poshtëruan dhe i dërguan me dhunë në kishën ortodokse. Familjet tona, ndërkaq, u nxorën nga shtëpia me forcën e policisë dhe u dërguan në kishë për t’i kthyer në fenë ortodokse. Për ngjarje të tjera vërtet nuk kam çka të shtoj, vetëm se tashti mbeta pa mend. Zoti qoftë me ne!
Kryemyftiu i Malit të Zi, më 17 maj 1913, e njofton Myftiun e Gucisë, se kishin protestuar rreptë te mbreti Nikolla dhe se me urdhrin e Tij, Mashan Bozhoviqi, ministër i Luftës, kishte shkuar në Plavë e Guci dhe në vise të tjera ku është bërë kryqëzimi i popullsisë. I falem Zotit të Madhërishëm dhe të Gjithëfuqishëm, me ndihmën e tij, shton më tej kryemyftiu i Malit të Zi, gjithë popullsia islame, botërisht, u kthye përsëri në fenë islame”. (DACG, MUD, 1913, telegram nr. 974 / 14 mars 1913)
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat