Kalimi “vullnetar“ në fenë ortodokse

Në bazë të dokumenteve arkivore del se pushteti, jo vetëm vendor, por edhe ai në Cetinë, kishte njohuri për çdo veprim që ndodhte në lidhje me keqtrajtimin, çarmatimin dhe kryqëzimin. Lutjet për konvertim i nënshkruanin kinse në emër të myslimanit shqiptar apo katolik vetë nëpunësit, ushtarakët apo edhe individë të ndryshëm të kombësisë serbo-malazeze. Nuk ka asnjë dëshmi se lutjet i kanë shkruar vetë shqiptarët, edhe pse disa kanë ditur të shkruajnë turqisht dhe e kanë përdorur nënshkrimin në çdo dokument

Hajrullah Hajdari

(vijon nga numri i kaluar)

II. 1. Shqiptarët i vendosnin nga frika kapicat malazeze
Si rrjedhojë e këtyre vështirësive me të cilat po përballej populli shqiptar në viset e okupuara, lindi nevoja e kërkimit të mënyrës dhe mjeteve për t’u shpëtuar masakrave e për të krijuar kushte më të mira jetësore. Filloi lufta për ekzistencë. Ndaj s’është e çuditshme se disa që në fillim kërkuan të bashkëpunojnë e të kontribuojnë në vendosjen e rendit dhe qetësisë në këto troje, shpesh edhe për të përfituar personalisht e për të shpëtuar nga të këqijat që po u bëheshin. Po përmendim vetëm rastin e fshatarëve të Arzhanicës së Epërme, të cilët pas vrasjes së 12 gucianëve u frikësuan aq tepër sa të nesërmën, pasi kishin vënë në kokë “kapicat” malazeze, shkuan në Andrijevicë dhe dorëzuan lutjen për kalimin e tyre në fenë ortodokse. (DACG, MUD, 1913, telegram nr. 919 / 19 mars 1913) Kjo argumentohet edhe në telegramin urgjent, nr. 919 / 19 mars 1913:
T E L E G R A M urgjent
Nr. 919 19 mars 1913
Andrijevicë – Cetinë
DREJTORIA KRAHINORE NË ANDRIJEVICË
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
C E T I N Ë

E kam për nder t’ju njoftoj se sot kanë ardhur një numër i madh i muhamedanëve, nga Arzhanica e Epërme, të cilët mbanin kapicat malazeze, dhe kërkuan të kalojnë në fenë ortodokse… nënshkrimi i pa lexueshëm.

Kapicat malazeze, për të gjithë ata që kryqëzoheshin, sado qoftë numri i tyre, duhej t’i blente shteti pasi është e nevojshme që ata të dallohen menjëherë nga të tjerët. (Drejtoria Krahinore Pejë, ministrit Pllamenac, DACG, MUD, 1913, telegram nr. 1553/ 19 mars 1913).
Fillimisht, pushtetet vendore malazeze kryqëzimin e myslimanëve e konsideronin si veprim personal dhe të vullnetshëm. Pushteti në Cetinë njoftohej për çdo veprim të organeve vendore dhe ushtarako-policore, jo vetëm për rendin e qetësinë por edhe për çarmatimin dhe kryqëzimin.

II. 2. Kërkesat e shqiptarëve për kalimin me “vullnet” në fenë ortodokse i nënshkruanin vetë malazezët e jo kërkuesit shqiptarë
Të ndodhur para këtij veprimi johuman të pushtetit vendor në Plavë e Guci, sidomos ata që kishin mundësi financiare, kërkonin rrugë për t’i ikur kryqëzimit, siç kishte vepruar hoxha Abdullah Gruda, imam i xhamisë së Ali Pashës në Guci, i cili për t’iu shmangur kryqëzimit i dha një sasi ari Simo Foliqit. (Matica muslimanska, Iseljavanje muslimana u Turskoj, Podgorica, 2011). Mund të jetë e mundur, referuar dokumenteve arkivore, se disa qytetarë, për t’i shpëtuar së keqes që dita-ditës po u kërcënohej nga pushtetarët malazezë, janë paraqitur vullnetarisht tek organet shtetërore për të ndërruar fenë e tyre. Gjithashtu, dihet, përsëri në bazë të dokumenteve arkivore, se pushteti, jo vetëm vendor, por edhe ai në Cetinë, kishte njohuri për çdo veprim që ndodhte në lidhje me keqtrajtimin, çarmatimin dhe kryqëzimin. Lutjet për konvertim i nënshkruanin kinse në emër të myslimanit shqiptar apo katolik vetë nëpunësit, ushtarakët apo edhe individë të ndryshëm të kombësisë serbo-malazeze. Nuk ka asnjë dëshmi se lutjet i kanë shkruar vetë shqiptarët, edhe pse disa kanë ditur të shkruajnë turqisht dhe e kanë përdorur nënshkrimin në çdo dokument. Kështu, për shembull, të gjithë dëshmitarët apo të akuzuarit që nuk dinin të nënshkruheshin, vinin gisht, ndërsa në emrin e tij nënshkruhej dëshmitari qoftë turqisht apo serbisht. Kështu dëshmitari Shaqir Gruda, në deklaratën e Xhemal Laliçiqit, i cili akuzonte Dimo Nikoliqin për vrasjen e babait të tij, dhënë para Komisionit Hetimor, u nënshkrua me alfabetin arab, ndërsa Xhemali vuri gisht. Të njëjtin veprim Gruda e bëri edhe në lëndën e Ajrudin Lakçeviqit dhe Selman Radonçiqit. Që të dy, në vend të nënshkrimit vunë gisht; Smajl Rexhepagiqi dhe Halil Sharoviqi, në cilësinë e dëshmitarit, në procesverbalin e Komisionit Hetimor për dhënien e deklaratës së Beqo Gutiqit për pushkatimit e djalit të tij 18-vjeçar, i cili e akuzonte komandantin Pantoviq, u nënshkruan me shkronja arabe; Ramo Feroviqi, po ashtu, u nënshkrua me shkronja arabe në lëndën e Syme Kastratit, ndërsa Symja vuri gisht; Ramo Feroviqi, në lëndën e Hava Smajlit u nënshkrua arabisht, ndërsa Havaja vuri gisht; Smajl Rexhepagiqi në lëndët e Zeqë Bakoviqit dhe Bektesh Shalës u nënshkrua në arabisht, ndërsa Zeqa dhe Bekteshi vunë gisht, etj.

Njoftim për kalimin me vullnet të Lonçareviqit në fenë ortodokse
Nënshkrimi në gjuhën arabe apo vënia e gishtit për ata që nuk dinin të nënshkruheshin, u praktikua në të gjitha lëndët e Komisionit Hetues për Plavë dhe Guci. Natyrisht, Qeveria e Malit të Zi nuk kishte dhënë asnjë urdhëresë zyrtare për kryqëzimin e shqiptarëve dhe myslimanëve, sepse ajo do ta komprometonte rëndë veten në arenën ndërkombëtare. Por fakti se pushteti vendor e lajmëronte për çdo veprim dhe se Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit dhe e Punëve Kishtare, kohë pas kohe jepnin udhëzime për procesin e kryqëzimit, e bën atë përgjegjëse. Aq më tepër shtohet përgjegjësia e Qeverisë së Malit të Zi kur ndaj akteve e presioneve të individëve që në emër të shtetit e thërrisnin popullin që të kalojë në fenë ortodokse, nuk merrte asnjë masë parandalimi ose ndëshkimi ndaj tyre. Ky mosveprim i shtetit dokumentohet me telegramin e brigadierit Radomir Veshoviqit, komandant i qarkut ushtarak Pejë-Gjakovë, dërguar nga Andrijevica, më 17 maj 1913, ministrit të Punëve të Brendshme, z. Labud Gojniq, në të cilin theksohej: “Këtu u njoftova se Vukota Pantoviqi në ditën e kaluar të pazarit urdhëroi telegrafistin në Cetinë dhe thirrte me zë të lartë se çdo turk deri nesër patjetër duhet të vendosë (në kokë, v.j.) kësulat malazeze dhe të kryqëzohen më së largu brenda 10 ditëve, përndryshe do të vritet, e kjo ata pak turq i shqetësoi shumë. Atëherë disa familje turke u çuan (ikën) nga Berana dhe nuk e di kah shkuan. Mendoj se posa të shkoj në Pejë do të duhet t’i ndërroj nëpunësit e postë-telegrafit, ose së paku mënjëherë të largoj Sima Sekuliqin dhe Ilija Boshkoviqin, sepse edhe më herët janë komprometuar në kufijtë e vjetër të Malit të Zi. Ju lus për urdhëresë.” (DACG, MUD, 1913, telegram pa nr. i datës 17 maj 1913).
Bazuar në raportet e disa organeve policore se disa myslimanë në viset e sapoçliruara deklarojnë se më familjet e tyre duan të kalojnë me vullnet në fenë ortodokse të stërgjyshërve të tyre, ministri i Brendshëm në Cetinë, Jovan Pllamenac, u drejtua organeve të pushtetit në viset e porsaçliruara dhe i njoftoi se i është drejtuar Mitropolisë së Hirësishme me lutje që t’u japë udhëzime organeve kishtare të dioqezës së saj, prandaj, thekson ai, drejtoritë krahinore, çdonjërin që paraqitet për këtë qëllim ta udhëzojë te kleriku kompetent i cili do të kryejë detyrën e tij. (DMCG, Fond Nikola I, 1913, f. 1, dok. 194, shkresa “sekret” nr. 7775 / 3 janar 1913).
Në lidhje me shkresën nr. 7775 Milutin Radonjiqi, kryes i detyrës së Krahinarit të Krahinës së Plavë-Gucisë, me telegram, po ashtu me shenjën “sekret”, më 25 janar 1913 njofton ministrin e Brendshëm Pllamenac për kërkesën e Beqo Osman Otasheviqit për të kaluar në fenë ortodokse, por klerikët nuk ishin të njoftuar dhe kërkonin që përsëri t’u japë urdhëresë klerikëve sepse, siç duket, thekson ai, këso kërkesash do të ketë përsëri. Sipas telegramit të dërguar më 27 janar 1913, Beqoja, pasi vullnetarisht kishte nënshkruar pajtimin e tij para myftisë së vendit, kishte kaluar në fenë ortodokse së bashku me vëllain dhe vajzën e tij. Ndërkaq, përfaqësuesi i kryetarit të komunës së Plavës, me shkresën nr. 254/7 8 mars 1913 kërkon nga kapedani Dragoviq urdhrin si të veprojnë pasi Abo Rexhep Omeragiq ka paralajmëruar se me familjen e vet dëshiron të kalojë në fenë ortodokse.
Për masivitetin e kalimit “vullnetar“ në fenë ortodokse dëshmon edhe telegrami i A. Cemoviqit, dërguar nga Gucia Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 20 mars 1913, i cili njoftonte se më 7 mars 1913, kaluan në ortodoksizëm 183 vetë nga qarku i Plavës e Gucisë. (DACG, MUD, 1913, IKPl dhe IKG) (vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat