Në Ostros uhap ekspozita fotografike “Kraja monumentale”

Ostros – Për nder të 18 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, Dega në Krajë e Shoqatës “Kraja” me seli në Nju Jork ka organizuar të enjten mbrëma (18 prill 2024) në Qendrën e Kulturës në Ostros ekspozitën fotografike “Kraja monumentale”.
Fotografitë e tyre në këtë ekspozitë i kanë paraqitur fotografët Amir Suka, Fisnik Dobreci, Korab Kraja dhe Rina Kovaçi.
Autori dhe kuratori i ekspozitës, arkitekti Korab Kraja, njëherësh kryetar i Degës në Krajë të Shoqatës “Kraja”, ka thënë se ekspozita dhe broshura ku janë përmbledhur fotografitë, e shfaqin Krajën me monumentalitetin e saj kulturor të natyrës ndërtimore.
Sipas tij, secili prej katër autorëve të fotografive të ekspozuara janë të përkushtuar ndaj trashëgimisë ndërtimore, natyrore dhe shpirtërore.
Kraja ka shprehur besimin se duke e ditur se mungojnë edhe shumë fotografi të tjera, të cilat do të mund ta prezantonin trevën e Krajës në mënyrë më të plotë, më të tërësishme dhe më gjithëpërfshirëse, shpresohet që në të ardhmen të bashkohen edhe më shumë fotografë dhe më shumë fotografi.
Ai ka thënë se Kraja është një trevë madhështore, e cila në vetvete përmban një korpus të gjerë dhe të larmishëm kulturor.
“Në të kaluarën, Kraja u ndërtua me një pasuri të bujshme kulturore; në të tashmen banorët bashkëjetojnë me këtë pasuri të rrallë kulturore dhe të përshpirtshme; ndërsa në të ardhmen, Kraja ka gjasë që të bëhet vend i rëndësishëm, me një pozitë të jashtëzakonshme të potencialit kulturor dhe historik, në mënyrë që, dashamirët e historisë dhe kulturës, artit dhe shkencës ta zbulojnë edhe një herë trashëgiminë e saj të mahnitshme dhe ta ngrenë në nivelin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore botërore”, është shprehur Kraja.
Në fjalën e tij, fotografi Fisnik Dobreci ka thënë se edhe ai është krajan dhe se Kraja është shtëpia e tij e dytë.
Ai ka treguar se në këtë ekspozitë janë paraqitur dy fotografi të tij.
“Kam parë shumë punime të bukura prej autorëve të tjerë dhe kjo më jep një shpresë që do të vijë një frymë pak më e mirë në Krajë”, ka thënë Dobreci.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës poeti Ali Gjeçbritaj ka lexuar disa poezi nga vëllimet e tij poetike që lidhen me trashëgiminë ndërtimore dhe natyrore të Krajës.
Organizimi i ekspozitës dhe botimi i broshurës me fotografi është përkrahur financiarisht nga Shoqata “Kraja” në Nju Jork.
Ekspozita fotografike është organizuar në kuadër të shënimit të 18 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, e cila për çdo vit shënohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Lokaliteteve Historike (ICOMOS).

i. k.

Të fundit

më të lexuarat