Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se të premten (3 korrik 2026) kanë dorëzuar në procedurë parlamentare Propozimin e vendimit për themelimin e Institutit Albanologjiko-Kulturologjik në Malin e Zi.
“Besojmë se themelimi i këtij institucioni paraqet një hap të rëndësishëm drejt studimit sistematik, ruajtjes dhe afirmimit të gjuhës, kulturës, historisë dhe trashëgimisë së përgjithshme të komunitetit shqiptar në Malin e Zi. Me këtë propozim do të krijojmë një kornizë të qëndrueshme institucionale që do të kontribuojë në zhvillimin e shkencës, ruajtjen e diversitetit kulturor dhe forcimin e karakterit multietnik të Malit të Zi”, ka shkruar ai.
Camaj ka shprehur besimin se propozimi do të ketë mbështetjen e deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi.
“Sipas marrëveshjeve dhe pozicionit të patneritetit që kemi, jam më se i sigurt se deputetët do ta njohin rëndësinë e kësaj nisme dhe ta mbështesin miratimin e saj”, ka theksuar ai.
Propozimi është firmosur nga tre deputetët e partive shqiptare Nikollë Camaj dhe Artan Çobi nga Forumi Shqiptar, si dhe Dr. Ilir Çapuni nga Aleanca Shqiptare.
Iniciativa për themelimin e Institutit Albanologjik në Malin e Zi është bërë publike në fund të vitit të kaluar nga nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, një nismë që ka fituar mbështetje fillestare në Kuvend.
Për dallim prej iniciativës fillestare, në propozimin zyrtar dërguar në procedurë Kuvendit të Malit të Zi vërehet se emërtimi i këtij institucioni do të jetë Instituti për Kërkime Albanologjike-Kulturologjike i Malit të Zi.
(Kohapress)
