Në qytetin e Shkodrës, më 21 nëntor 2026, në ambientet e Bibliotekës “Marin Barleti“ u mbajt edicioni VI i Festivalit Mbarëshqiptar të Poeteshave, një ngjarje e veçantë kulturore dhe artistike, kushtuar fjalës poetike, krijimtarisë dhe zërit të gruas shqiptare.
Ky festival, i organizuar nga Lëvizja “Gratë frymojnë vlera“, edhe këtë vit dëshmoi rëndësinë e bashkimit të grave krijuese përmes artit dhe letërsisë, duke sjellë në një hapësirë të përbashkët poeteshat nga të gjitha trojet shqiptare dhe jashtë tyre.
Interesimi për këtë edicion ishte i veçantë. Në fazën e konkurrimit u paraqitën gjithsej 68 poezi, nga të cilat juria përzgjodhi 30 krijimet më të mira. Këto poezi u përfshinë në librin e festivalit, duke u bërë pjesë e një kujtese të përbashkët letrare dhe artistike.
Pjesëmarrja e grave nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora i dha festivalit një dimension të veçantë mbarëkombëtar. Përmes vargut, secila poete solli botën e saj shpirtërore, ndjeshmërinë, përjetimet dhe mesazhet që burojnë nga realiteti dhe përvoja jetësore.
Aktiviteti u hap me një program të pasur artistik dhe kulturor, i cili krijoi një atmosferë festive dhe emocionuese. Në vijim u prezantua krijimtaria poetike dhe u bë ndarja e çmimeve për poezitë e vlerësuara nga juria.
Pas vlerësimit të krijimeve poetike, juria ndau tri çmimet kryesore: Çmimi i Parë iu nda poetes Edlira Gorreja nga Lushnja, Çmimi i Dytë poetes Fjolla Agusholli nga Peja dhe Çmimi i Tretë poetes Nevila Nikaj nga Tuzi.
Tri poeteshat e vlerësuara u bënë pjesë e momenteve më të bukura të këtij edicioni, duke dëshmuar se talenti, përkushtimi dhe ndjeshmëria artistike e gruas shqiptare janë një pasuri që duhet promovuar dhe mbështetur.
Festivali përfundoi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, me një koktej festiv ku pjesëmarrëset dhe të ftuarat patën mundësinë të ndanin emocionet, përvojat dhe përjetimet e kësaj dite të veçantë.
Edicioni VI i Festivalit Mbarëshqiptar të Poeteshave ishte më shumë se një konkurs poetik. Ishte një takim i shpirtit krijues të gruas shqiptare, një hapësirë ku fjala u kthye në urë komunikimi, poezia në gjuhë të përbashkët dhe arti në dëshmi të identitetit tonë kulturor.
Përzgjedhja e 30 poezive dhe përfshirja e tyre në librin e Festivalit përbën një kontribut të çmuar në dokumentimin dhe promovimin e krijimtarisë poetike të grave shqiptare.
Përmes këtij organizimi, Lëvizja ”Gratë frymojnë vlera“ vazhdon misionin e saj në afirmimin e gruas, promovimin e vlerave kulturore dhe krijimin e hapësirave ku talenti femëror të marrë vëmendjen dhe vlerësimin e merituar. Sepse poezia e gruas shqiptare nuk njeh kufij gjeografikë. Ajo frymon në çdo trevë ku flitet shqip, ruan kujtesën, shpreh ndjenjën dhe ndërton ura bashkimi nga një brez në tjetrin.
Donika Lulgjuraj
