Klubi i Taekwondosë “Ulqini” ka marrë pjesë gjatë fundjavës në Turneun ndërkombëtar “Ilixha Open” 2026, që është mbajtur në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, ku garuan rreth 450 sportistë nga shtatë shtete, duke e shndërruar këtë aktivitet sportiv në një ngjarje të rëndësishme të taekwondosë. Gara u zhvillua në të dy disiplinat e këtij sporti olimpik, ndërsa KT “Ulqini” u përfaqësua nga 24 garues, 19 prej të cilëve arritën të ngjiten në podium. Garuesit e këtij klubi fituan gjithsej 19 medalje: dhjetë medalje të arta, katër medalje të argjenda dhe pesë medalje të bronzta, si dhe tri trofe ekipore dhe një çmim individual.
Sipas deklaratës për media të KT “Ulqini”, garuesja më e suksesshme e këtij klubi në turneun “Ilixha Open” ishte Nejra Dervisheviq, e cila, pas katër ndeshjeve të fituara, përveç medaljes së artë, u shpall edhe garuesja më e suksesshme në kategorinë e kadetëve të rinj. Për drejtuesit e këtij klubi, kjo përbën një arritje e veçantë që dëshmon talentin, përkushtimin dhe nivelin e saj të lartë sportiv.
Medalje të arta për KT “Ulqini” fituan Rea Nelaj, Nejra Dervisheviq, Denis Çoboviq, Rajana Bogdanoviq, Ajan Brashnjani, Amell Nuti, Amella Nuti, Amra Dushku, Hava Malokraja dhe Enes Dushku, medalje të argjendta Ammar Hykaj, Eren Karaminxhoja, Gani Resulbegoviq dhe Leandra Bogdanoviq, kurse medalje të bronzta Xhihan Maniq, Xhenan Tivari, Armend Lula, Jaman Lazoja dhe Diar Bushati.
KT “Ulqini” fitoi edhe tri trofe ekipore falë vendit të dytë në disiplinën e formave, vendit të tretë në kategorinë e kadetëve të rinj dhe vendit të tretë në renditjen e përgjithshme të turneut.
(Kohapress)
