Fituan 12 medalje

Pesë garuesit e Klubit të Karatesë “Ulqini”, të cilët ishin pjesë e Përfaqësueses së Malit të Zi, kanë fituar gjithsej 12 medalje, prej të cilave dy medalje të arta, gjashtë medalje të argjendta dhe katër medalje të bronzta, duke dëshmuar talent, përkushtim, disiplinë dhe nivel të lartë sportiv në arenën evropiane

Pesë garuesit e Klubit të Karatesë “Ulqini”, të cilët ishin pjesë e Përfaqësueses së Malit të Zi, arritën sukses të lakmueshëm në Kampionatin Evropian të Karatesë për Shtetet e Vogla, që është mbajtur në Maltë, më 9-12 tetor 2026.
Ata kanë fituar gjithsej 12 medalje, prej të cilave dy medalje të arta, gjashtë medalje të argjendta dhe katër medalje të bronzta, duke dëshmuar talent, përkushtim, disiplinë dhe nivel të lartë sportiv në arenën evropiane. Kështu Emira Gjoni ka fituar një medalje të artë (kampione evropiane në luftëra individuale, në kategorinë e kadeteve, -54 kg) dhe një medalje të argjendtë (nënkampione evropiane në luftëra ekipore, në kategorinë e kadeteve); Uzejr Sella një medalje të artë (kampion evropian në kata ekipore, në kategorinë U14) dhe dy medalje të bronzta
(në kata individuale, në kategorinë U14 dhe në luftëra individuale, në kategorinë U14, +55 kg); Yllëza Rama dy medalje të argjendta (nënkampione evropiane në luftëra individuale, në kategorinë seniore, +68 kg dhe në luftëra individuale, në kategorinë U21, +68 kg) dhe një medalje të bronztë (në luftëra ekipore, në kategorinë e senioreve); Neira Kollari dy medalje të argjendta (nënkampione evropiane në luftëra individuale, në kategorinë e kadeteve, +61 kg dhe në luftëra ekipore, në kategorinë e kadeteve) dhe Agnesa Kollari një medalje të argjendtë (nënkampione evropiane në luftëra ekipore, në kategorinë e junioreve) dhe një medalje të bronztë (në luftëra individuale, në kategorinë e junioreve, -53 kg).
“Ky sukses është dëshmi se puna, disiplina, këmbëngulja dhe mbështetja e përbashkët sjellin rezultate që na bëjnë krenarë të gjithëve”, thuhet në deklaratën për shtyp të KK “Ulqini”, duke përgëzuar dhe falënderuar trajnerët, prindërit, donatorët dhe të gjithë ata që qëndrojnë pranë sportistëve të këtij klubi dhe kontribuojnë në zhvillimin e tyre.
Një mirënjohje të veçantë nga KK “Ulqini” kanë për donatorët dhe mbështetësit: Komunën e Ulqinit, Fondin Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, SHPK “Veprimtaritë Komunale” Ulqin, Hotelin “Otrant”, Organizatën Turistike Ulqin, Deponinë Sanitare Rajonale “Mozhur” dhe “Ely Tours” – Safari Beach and Camping, të cilët mundësuan pjesëmarrjen e garuesve të tyre në Kampionatin Evropian të Karatesë për Shtetet e Vogla.
“Mbështetja juaj përfaqëson shumë më tepër se një kontribut financiar. Ajo është një investim i drejtpërdrejtë në sport, në rininë dhe në të ardhmen e Ulqinit. Për këtë, ju shprehim falënderimet tona të përzemërta dhe ju konsiderojmë pjesë të rëndësishme të këtij suksesi”, thekson deklarata për shtyp.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat