Teknologjia dhe varësia e fëmijëve ndaj saj

Teknologjia po e zëvendëson një pjesë të mirë të dashurisë së përgjithshme tek njerëzit tonë dhe sigurisht ne duhet të mendojmë më shumë për këtë për arsye sepse nganjëherë më ngjanë se do të krijohet apo të formohet një brez i cili i bindet vetëm teknologjisë dhe i jep më pak rëndësi familjes dhe jetës në komunitetin rreth tij

Ky vit ka pasur një fillim të lodhshëm për të gjithë ne, si nga ana psikologjike, mendimeve të kufizuara rreth temave shqetësuese për ekonominë, shëndetin, politiken, të ardhmen, ekzistencën e qëndrueshmërinë normale të familjes etj. Disa nga ne, si pasojë e pandemisë së Covid-19 kanë humbur njerëz të njohur apo edhe familjarë dhe kanë kaluar shumë çaste të vështira. Pavarësisht të gjithave që na ndodhin në jetën tonë, ne duhet të përqendrohemi të gjithë ndërtimin e një shoqërie të fortë, të një familjeje të fortë, posaçërisht fëmijë të fortë dhe të ditur. Në këtë kuadër, duhet t’i mbrojmë ata nga rreziqet që ju kanosen edhe nëse ata vetë iu prijnë atyre përmes teknologjisë dhe përdorimit të saj të pakontrolluar.
Një nga karakteristikat themelore të këtij shekulli që ne po e jetojmë është zhvillimi i madh teknologjik. Teknologjia ka ardhur në mënyrë të përshpejtuar tek ne dhe nuk na ka lënë kohë për të menduar aspak për të dyja anët e saj (anën pozitive dhe negative ).Ne e kemi përvetësuar dhe shfrytëzuar për kënaqësinë dhe lehtësimin në kryerjen e punëve tona. Teknologjia tek ne pranohet pas asnjë mendim kritik. Ne punojmë çdo ditë dhe proceset tona të domosdoshme për punë janë ngushtë të lidhura me pajisjet ‘’tona’’ teknologjike. Në qoftë se ne nuk posedojmë pajisje teknologjike, gjë që mund të ndodhë rrallë, dhe mund të jetë ekzistente vetëm ne rrethana të jashtëzakonshme menjëherë krijohet paragjykimi se ’’si jeton ky njeri?’’. Jemi lidhur ngushtë me teknologjinë dhe po marrim shumë nga ajo duke e shfrytëzuar deri në maksimum. Por, lind pyetja a po merr teknologjia diçka nga ne? Unë dua të vë në dukje anët negative të teknologjisë apo format në të cilat ajo po na ’’viktimizon’’ edhe neve si komunitet.
Ne si një komunitet jemi mësuar të jetojmë me probleme sociale dhe shumë pak na bëjnë përshtypje gjërat rreth nesh. Çdo gjë ne e përshëndesim me fjalët apo mendimet ’’hajt së mirë është’’. Përdorimi në mënyrë të pakontrolluar i pajisjeve teknologjike tek moshat e vogla mund të ketë pasoja shumë të dëmshme. Në këtë drejtim ne punojmë fare pak në këtë aspekt. Mendoj se edhe institucionet arsimore duhet të tërheqin më shumë vëmendjen fëmijëve se ato mund të dëmtohen nga përdorimi i tepruar i celularit apo kompjuterit. Po ashtu fare pak merremi me aspektin se a mund ta përmirësojmë gjendjen tonë më këtë ’’armë të kohës’’ pasi teknologjia është një problem botërorë. Në këtë kuadër do të ishte e domosdoshme që ky problem në hapësirën tonë të trajtohet më shumë dhe t’i kushtohet një kujdes i veçantë. Sidomos duhet të analizohet se çfarë po merr teknologjia nga ne në këmbim të shërbimit dhe sa jemi të gatshëm t’i bëjmë rezistencë këtij ndikimi. Duhet të shqetësohemi, në radhë të parë për kohën dhe shëndetin.
Kur jemi të lidhur me teknologjinë nëpërmjet formave të ndryshme, lojërave në telefon apo kompjuter, rrjeteve sociale, koha kalon padyshim më shpejt për neve ,sytë lodhen, përqendrimi për në mësime vështirësohet. Nëse analizojmë për shumë aplikacione të lojërave të ndryshme, të cilat përdoren posaçërisht nga fëmijët, nëse lexohen komentet e përdoruesve shpesh mund të takojmë edhe komentin ’’addictive’’ që në përkthim nga gjuha angleze është ‘’varësi’’.
Duhet punuar më shumë me fëmijët, por nëse je një prind që luan tërë ditën në ndonjë pajisje, nuk të shkon mëndja ta këshillosh fëmijën të mos luajë. Këto aplikacione më të vërtetë krijojnë varësi tek përdoruesit e tyre dhe ju marrin gati krejt ditën. Ditët kalojnë, ndërsa nga aplikacionet e lojërave posaçërisht nuk mund të merret asnjë e mirë.
Teknologjia po e zëvendëson një pjesë të mirë të dashurisë së përgjithshme tek njerëzit tanë dhe sigurisht ne duhet të mendojmë më shumë për këtë për arsye sepse nganjëherë më ngjan se do të krijohet apo të formohet një brez i cili i bindet vetëm teknologjisë dhe i jep më pak rëndësi familjes dhe jetës në komunitetin rreth tij. Ne duhet të flasim shumë më fëmijët, të luajmë më to në natyrë dhe ti mësojmë ato të lexojnë. Fëmijët janë gjithçka e mirë për shoqërinë tonë dhe ato janë e vetmja shpresë se më të vërtetë një ditë do të bëhet mirë për nëse familjarët punojnë në vazhdimësi me ata. Fëmijët janë rrënjët e reja që duhen ujitur me dije dhe këshillë që pema e shoqërisë tonë të japë fruta të mira përgjithmonë.

Besmir Asllani

Të fundit

më të lexuarat