Historia ka nevojë për fakte

Duke lexuar tekstin me titull “Histori – Kur është hapur shkolla e parë shqipe në Ulqin?”, të autorit Gazmend Çitaku, botuar në gazetën Koha Javore, Podgoricë, më 7.3.2023 dhe rrjetet sociale, rimësova historinë e shkollës shqipe në Ulqin dhe jo vetëm.
Them rimësova, sepse shkolla shqipe e fshefur, e pa shkruar në kronikat e shkollave, edhe pse me vonesë, falë aktivistëve kërkimorë, dokumenteve origjinale, fjalës së dëshmuar, është zbardhur më parë dhe publikuar për lexuesin. Mbëshetur në atë punë, deri tash të pamohuar, apo tjetërsuar, shtrohet pyetja: Ç’histori tjetër për shkolla kërkohet dhe nga kush?
Sipas titullit autori kërkon datën, vitin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Ulqin.
Në përmbajtje përmbledh shkrime të gatshme dhe referime për mbështetje dhe besueshmëri të fjalës. Mirëpo, ajo hapë shumë pyetje e konkludime që shkojnë përtej titullit dhe për lexuesin bëhet abstrakte dhe e pabesueshme pasi në hyrje, kalimthi flet për analet e gjuhës shqipe, autori konstaton:

  1. ”Sipas disa studjuesve Shkolla e parë shqipe është hapur në Ulqin më 1258”. Vazhdon të numërojë dhe konstaton, ”por këto nuk kanë mbështetje faktografike”.
  2. Bazuar në ref. (Posta e Shqypnies, nr. 67, 28. 7. 1917. f. 4 – N. Draga), autori shkruan:
    ”Ajo çka dimë deri më sot është se shkollat e para në gjuhën shqipe në territorin e Malit të Zi janë hapur në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Deri në fund të qershorit 1917 funksionuan 23 shkolla në gjuhën shqipe”.
    Referenca e sipërme, Posta e Shqypnies… për Malin e Zi në periudhën e Luftës së Parë Botërore përmban shumëçka si: sipërfaqja e tokës, banorët, struktura e vendit, rrugët, zyrat, bujqësia, fabrikat, puna fizike, ndërsa për shkollat thekson vetëm:
    ”Deri n’marim t’Qershorit u majten çilë 23 shkolla qi paten për gjuhë msimit gjuhen shqype”.
    Kjo fjali nuk ofron dëshmi që shkollat e para shqipe në territorin e Malit të Zi janë hapur në periudhën e Luftës së Parë Botërore, siç shprehet autori. Nuk shkruan në cilët vende kanë punuar, çfarë statusi kishin emrat e mësuesve, as numër të nxënësve.
    Ndërsa në Ulqin, në atë kohë, shkolla shqipe s’ka punuar. Pohimi për të është iluzion.
  3. Duke u thirrur në artikullin (Dr. N. Draga ”Shqiptarët në Mal të Zi”), autori referon:
    ”Këtu shkollat e para me mësim në gjuhën shqipe rifilluan të hapën me të përfunduar lufta, pra në vitin shkollor 1945/1946” dhe vazhdon:
    ”Në Ulqin në vitin 1945 rifillon shkolla në gjuhën shqipe… Mësues ishin Antonia Markoviq dhe Minja Nikollaidis e atyre iu bashkëngjitën edhe mësues të ri…”.
    Mirëpo, referenca ”Shqiptarët në Mal të Zi”, fjalët: shkollë, mësimi shqip, vitet 1945, 1945/1946, nuk i shkruan fare. Teksti i dedikohet pavarësisë së Malit të Zi në vitet 1878-1913 e jo mësimit shqip në vitet shkollore të pasluftës, 1945, 1945/1946.
    Teksti është i dërrmuar me emra të mësuesve, nxënësve, shkollave dhe vitet e para shkollore të mësimit shqip. Shikuar në segmente, një nga një, duken mirë.
    Por, zarat e tyre, emri – vendi – viti – kontributi, siç i lidhë autori janë inekzistente.
    Në mes atyre emrave, mua të njohur, të tillë shoh: Shkollën Normale në Gjakovë, mësuesit: Minja Nikollaidisi dhe Daut Hoxhiqi, nxënësit: Bahri Brisku, Bajram e Riza Rexha, Faik Avdiu, Beqir Kasneci, Bajram Sella, Sabri e Xhevdet Holli, Osman Ibroçi, Vatë M. Elezaj.
    Më poshtë autori prekë tentativën famëkeqe që i kanosej shkollës shqipe, ku shkruan:
    ”Në vitin 1956 me një urdhër të çuditshëm mbyllen shkollat në gjuhën shqipe dhe bëjnë që nxënësit shqiptarë të vazhdojnë shkollimin në gjuhën joamtare …”.
    Ekzistimi i asaj keqbërje është i dhimbshëm edhe sot. Ndërsa shtjellimi për të i varfër, sipërfaqësor. Shpjegimi nuk mëson për urdhërin, pranimin, rezistimin, kontributin, cilat shkolla u mbyllen. Për ato, autori nuk i ofron njohuri lexuesit të ri. Atë gjë ai duhet ta ketë të ditur përmes librit referues (S. Kokaj, “Arsimi shqip në Anë të Malit 1945-1985”), i cili, bazuar në prova dhe udhës së diskrecionit, qartë e shpjegon qëndrimin e drejtorit të Shkollës Fillore në Katërkollë, Junuz Divanit, ndaj urdhrit famëkeq dhe mospërfilljen e atij në shkollë. Pasi në një vend e përmend kontributin e për faktin që autori Çitaku është redaktor dhe botues i librit ”Arsimi shqip …”, pashmangshëm lind pyetja, harroi ta thotë apo s’do ta njohë kontributin e famëmadhit arsimor, drejtor Junuzit?
    Nëse shkollat në Ulqin e gjetiu vendimin për tjetërsimin e gjuhës amë e zbatuan, unë dëshmoj se në shkollën e Junuz Divanit, nga klasa I-VIII është mësuar, folur e shkruar shqip.
    Shkenca na mëson të punojmë me korrektësi dhe të besojmë në fakte. Ato duhet të jenë burimore e të ofruara si rrjedha. E njëjta vlen dhe për historinë. Edhe ajo ka nevojë për fakte.
    Përmbajtja e këtij teksti nuk i ofroi përgjegje titullit. Andaj mbetet të shpresohet në kërkime të bazuara në dokumente origjinale të vërtetuara nga koha e tyre.
    Ndërsa ”dokumentari filmik” i paralajmëruar me një koment të autorit, me dallim nga tema ”Historia e shkollës së parë shqipe …”, uroj të jetë autentik i dokumentuar!

Rexhep Lleshi

Të fundit

më të lexuarat