Ulqini drejtzhvillimit të qëndrueshëm turistik

Bregdeti i Ulqinit cilësohet si vendi më i preferuar turistik në Malin e Zi. Plazhet me një vijë bregdetare shumë të gjatë dhe me biodiversitet të pasur ofrojnë vlera të veçanta turistike. Në një bisedë, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiqi tha se planifikimi i ndërtimit të urës mbi lumin Buna, e cila do të lidhte Ulqinin me Velipojën, do të zhvillonte turizmin ndërshtetëror duke zvogëluar distancat mes dy vendeve turistike. Z. Hoxhiq vë në dukje se parakusht i rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, është edhe vjelja e taksës, e cila në këtë komunë realizohet on-line duke rritur dukshëm kapacitetet e saja

Bregdeti i Ulqinit cilësohet si vendi më i preferuar turistik në Malin e Zi. Plazhet me një vijë bregdetare shumë të gjatë dhe me biodiversitet të pasur ofrojnë vlera të veçanta turistike.
Planifikimi i ndërtimit të urës mbi lumin Buna, e cila do të lidhte Ulqinin me Velipojën, sipas drejtorit të Organizatës Turistike, Qazim Hoxhiqi, do të zhvillonte turizmin ndërshtetëror duke zvogëluar distancat mes dy vendeve turistike
“Ndërlidhja mes dy vendeve shkurton distancën në disa minuta të Plazhit të Madh që është destinacion i rëndësishëm jo vetëm për turistët në rajon por edhe më gjerë. Ura ofron mundësi më të shpejta dhe nuk ka nevojë të kalohet nëpër disa pika kufitare ku ka flukse të mëdha,” tha z. Hoxhiqi.
Parakusht i rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, sipas z. Hoxhiqi është edhe vjelja e taksës, e cila në këtë komunë realizohet on-line duke rritur dukshëm kapacitetet e saja.
“Vitin e kaluar kemi realizuar një aplikacion on-line, ku jemi të parët si komunë në Malin e Zi që e kemi funksionalizuar. Mënyra e këtillë e vjeljes së taksës, vitin e kaluar kishte një sukses të madh ku 10-15% të taksapagueseve e kanë përdorur këtë aplikacion, ndërsa këtë vit besojmë dhe punojmë për të realizuar 40-50 % të pagesave”, tha Hoxhiqi.
Në bregdetin e Ulqinit turizmi sportiv është mjaft i popullarizuar dhe sipas zotit Hoxhiq Plazhi i Madh është ndër dhjetë plazhet më të mira në botë për sportin Kite Surf (Kajt Surf).
“Që në 2014 Plazhi i Madh për Kajt Surf është dedikuar ndër dhjetë plazhet më të mira në botë. Në këtë mënyrë ky sport në Ulqin po përhapet edhe më shumë dhe aktualisht kemi turistë nga mbarë bota”, tha drejtori i Organizatës Turistike Qazim Hoxhiqi.
Zoti Hoxhiqi vlerëson se falë angazhimit dhe menaxhimit bashkëkohorë, Ulqini është shndërruar në një qendër të njohur turistike duke i ndjekur gjithnjë e më shumë trendët globale të turizmit.

Bisedoi: Ali Salaj

Të fundit

më të lexuarat