Me punë, durim e besim deri në skenat botërore

Violonçelisti Bledar Zajmi ka lindur në vitin 1973 në Tiranë. Aktualisht është spalë- koncertmaestër në Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Pragës, doktor në interpretim e teori dhe fitues i Çmimit “Ambasador i Kombit” (2019), i çmimeve ndërkombëtare në Itali etj. Me një karrierë në tri kontinente e mbi 30 vende të botës, Zajmi ka një veprimtari të gjerë si solist dhe muzikant i muzikës së dhomës, me mbi 15 CD, bashkëpunime me orkestra e ansamble të njohura, si dhe pjesëmarrje në festivale e skena ndërkombëtare, nga Evropa dhe Azia deri në Brazil e Izrael, me një repertor që shtrihet nga baroku deri te muzika kontemporane

Koha javore: Nga një fëmijë që e nisi rrugëtimin në violonçel dhe u vlerësua që në moshë të re në konkurse kombëtare e ndërkombëtare, deri tek artisti që sot interpreton në skena të rëndësishme evropiane dhe botërore, cilat kanë qenë momentet vendimtare që kanë formësuar Bledar Zajmin si muzikant dhe si njeri?
B. Zajmi: Kontaktet e para me instrumentin e violonçelit i mora në shkollën fillore Kongresi i Përmetit në Tiranë kur isha gjashtë vjeç. Ishte një moshë ku dëshira thurej me kuriozitetin, ishte koha kur hodha hapat e para në mësimin e instrumentit të violonçelit.
Me kalimin e viteve kuptova që vetëm dëshira dhe talenti nuk mjaftojnë për formimin e artistit. Në botën e artit nevojitet shumë punë, durim, vullnet dhe optimizëm. Pjesëmarrja në festivale të ndryshme në Shqipëri dhe çmimet në konkurset kombëtare, më dhanë besimin dhe motivimin e duhur për rrugëtimin tim të mëtejshëm. Pas diplomimit në Liceun Artistik në Tiranë, një moment vendimtar ishte fitimi i bursës së studimit në Pragë në vitin 1992, si rezultat i dhënies me sukses të provimit të pranimit në Akademinë e Arteve të Pragës. Përpara meje u hap një horizont i ri, që kërkonte edhe më shumë përkushtim dhe përshtatje me ambientin e ri artistik dhe shoqëror.
Pas vlerësimeve në turne dhe konkurse ndërkombëtare në Evropë dhe Azi, një tjetër etapë e rëndësishme për mua ishte fitimi i konkursit në Orkestrën e Operës se Teatrit Kombëtar të Pragës, ku prej vitit 2000 jam violonçelist i parë.
Bashkëpunimi me dirigjentë, instrumentistë dhe këngëtarë të shquar nga Çekia dhe e gjithë bota, si edhe repertori i jashtëzakonshëm operistik, kanë ndikuar thellësisht në formimin tim muzikor, por ndoshta ajo që më ka formuar më shumë është vetë koha, komunikimi, reflektimi dhe bashkëpunimi.

Koha javore: Prej shumë vitesh jetoni dhe krijoni në Pragë, një nga qytetet me traditë të jashtëzakonshme muzikore. Çfarë ju ka mësuar kjo përvojë për standardin artistik, disiplinën dhe mënyrën se si ndërtohet një karrierë e qëndrueshme në muzikën klasike?
B. Zajmi: Praga është qyteti ku u rrita artistikisht dhe vendi i cili ndikoi thellësisht në formimin tim dhe në të ardhmen time profesionale. Të gjendesha në Pragë, në një qytet me një traditë të jashtëzakonshme muzikore dhe kulturore ishte njëkohësisht frymëzim dhe sfidë.
Tradita e Mozart-it, Dvorák-ut, Smetana-s, Janáček-ut ndihet edhe sot në sallat e koncerteve, teatrove dhe institucioneve muzikore, duke u bërë pjesë e përditshme e jetës artistike.
Ajo që kam mësuar në Pragë është se standardi i lartë artistik nuk është një status që e fiton një herë dhe e ruan automatikisht. Ai duhet konfirmuar vazhdimisht. Po aq e rëndësishme është të kuptosh që një karrierë e qëndrueshme artistike nuk ndërtohet vetëm mbi talentin ose disa suksese të mëdha, por ndërtohet gjatë viteve. Ajo kërkon përgatitje të vazhdueshme, durim, disiplinë dhe pasion në çdo periudhë të jetës së artistit.

Koha javore: Një artist i madh vlerësohet jo vetëm për çmimet, skenat dhe duartrokitjet, por edhe për gjurmën që lë. Kur e shihni sot rrugëtimin tuaj, çfarë konsideroni arritjen më të madhe: vlerësimet që keni marrë apo mënyrën se si muzika ju ka formësuar si person?
B. Zajmi: Në art nuk besoj se duhet të ekzistojë një pikë ku artisti mund të thotë që “tashmë kam arritur“. Gjithmonë ka vend për të zbuluar, mësuar ose përmirësuar.
Një karrierë e suksesshme nuk mund të bazohet në një çmim ose diplomë, ajo ndërtohet në vazhdimësi, me dëshirë dhe dashuri ndaj artit.
Për mua është gjithmonë e rëndësishme që jeta artistike të mos jetë e shkëputur nga ajo shoqërore. Përpara se të jesh artist, duhet të jesh njeri, i cili është pjesë aktive e shoqërisë, e familjes dhe qytetar i denjë për komunitetin në të cilin jeton. Mund të kesh sukses në skenë, por vlerat që përcjell në jetën e përditshme janë po aq të rëndësishme. Me kalimin e kohës ndoshta fjala “arritje“ ndryshon. Në fillimin e karrierës mendon më shumë për koncertin, konkursin, skenën ose suksesin e radhës, më vonë kupton që gjurma që lë nuk matet vetëm me atë që ke arritur për veten, por edhe me atë që ke qenë në gjendje t’u transmetosh të tjerëve, publikut, kolegëve dhe njerëzve që të kanë shoqëruar gjatë jetës.
Nëse duhet të zgjedh mes vlerësimeve që kam marrë dhe mënyrës se si muzika më ka formuar, kjo e fundit ka për mua më shumë vlerë. Vlerësimet mbeten një pjesë pozitive e CV-së profesionale, ndërsa ajo që arti ndërton brenda njeriut të shoqëron gjatë gjithë jetës.

Koha javore: Në një kohë kur shoqëria po jeton me ritme gjithnjë e më të shpejta dhe vëmendja e njerëzve shpesh shpërndahet mes shumë formave të argëtimit, çfarë roli mendoni se ka muzika klasike sot? A mbetet ajo një nevojë e veçantë shpirtërore për njeriun modern?
B. Zajmi:
Sot, ku e gjithë shoqëria është dëshmitare e zhvillimeve të ndryshme teknologjike dhe të formave të ndryshme të argëtimit, mendoj se muzika klasike merr një rol të veçantë. Në një botë që lëviz me ritme edhe më të shpejta, ajo na jep mundësinë të ndalemi për një çast të dëgjojmë dhe përjetojmë diçka sublime.
Muzika klasike mbetet sa klasike dhe moderne sepse arrin të prek thellësisht ndjenjat e pazëvendësueshme njerëzore, të jetë ushqim shpirtëror dhe qetësie, duke mundësuar që çdonjëri nga ne të mund ta përjetojë atë ashtu siç e ndien.

Koha javore: Si artist shqiptar që ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare, a e keni ndier ndonjëherë se në skenat botërore nuk përfaqësoni vetëm veten, por edhe një pjesë të kulturës dhe identitetit shqiptar? Dhe sa përgjegjësi mbart kjo?
B. Zajmi:
Krahas repertorit botëror, një pjesë të veçantë në koncertet e mia bën pjesë dhe krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë.
Edhe pse pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar jashtë Shqipërisë, identiteti im shqiptar ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim si njeri dhe si artist. Përveç interpretimit në skenë, kam realizuar dhe dy CD kushtuar muzikës së kompozitorëve shqiptarë, të cilat kanë marrë vlerësime të larta nga kritika ndërkombëtare.
Përpiqem që identitetin tim ta përcjell natyrshëm si në podiumet koncertale, ashtu dhe në prezantimet akademike dhe në shoqëri.

Koha javore: Kur flasim për artistët shqiptarë me potencial ndërkombëtar, shpesh përmendet talenti, por më pak flitet për sistemin që duhet t’i mbështesë ata. Nga përvoja juaj, çfarë i mungon më shumë hapësirës sonë kulturore për të krijuar artistë të nivelit botëror?
B. Zajmi:
Talenti është vetëm njëra anë e formimit të një artisti, dhe natyrisht kjo është diçka shumë individuale. Mendoj se duhet të ketë një mbështetje më të madhe dhe më të strukturuar institucionale për artistët dhe sidomos për talentet e reja. Duhet një mbështetje pikërisht në periudhën kur ata formohen, kur kanë më shumë nevojë për mundësi, atëherë kur rruga e tyre profesionale është duke u ndërtuar. E kam fjalën për më shumë bursa studimi, mundësi për specializime, master-classe dhe konkurse jashtë vendit, si dhe krijimin e hapësirave ku artistët të prezantojnë punën dhe artin e tyre para publikut.
Jam i mendimit që arti nuk mund të konceptohet si fitimprurës ose barrë financiare për institucionet e sotme vendimmarrëse. Artistët janë ambasadorët e artit dhe kulturës shqiptare, prandaj investimi tek ata nuk duhet parë thjesht si një mbështetje ndaj një individi, por si një investim afatgjatë në kulturën e vendit.

Koha javore: Pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme, me përvoja, skena dhe takime të shumta artistike, çfarë do t’i thoshit një të riu shqiptar që sot nis rrugën drejt muzikës? Cili është mësimi më i rëndësishëm që ju ka dhënë vetë jeta juaj artistike?
B. Zajmi:
Është në natyrën e një të riu që në fillimet e tij çdo gjë ta ëndërrojë dhe dëshirojë ta arrijë menjëherë, ndonjëherë edhe pa shumë mundim. Pikërisht këtu fillon gjithçka.
Duhet të kuptojmë që rrugëtimi artistik është i gjatë dhe kërkon përgjërim dhe sakrifica. Ai kërkon punë, durim dhe besim, që edhe nëse të ndodhë të rrëzohesh, të gjesh forcën të ringrihesh dhe të ecësh përpara.
Jeta ime artistike më ka mësuar që sukseset të japin kënaqësi dhe energji të reja, por shpesh janë momentet e vështira ato që të formojnë më shumë. Ato të mësojnë durimin, këmbënguljen dhe të bëjnë të kuptosh që gjërat me vlerë kërkojnë kohë.
Me punë, durim dhe dëshirë arrihet gjithçka.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat