Program për formimin e kuadrove të reja

Nga ky subjekt politik shprehen se qëllimi fillestar i Akademisë Politike ishte organizimi institucional për arsimim shtesë të të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi, pavarësisht anëtarësisë së tyre partiake

Akademia Politike, e organizuar nga Forumi Shqiptar, ka përmbyllur ciklin e saj të parë trijavor, pas të cilit pjesëmarrësit janë pajisur me certifikata të programit të formimit, i cili është zhvilluar me ligjërues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Nga ky subjekt politik shprehen se qëllimi fillestar i kësaj akademie ishte organizimi institucional për arsimim shtesë të të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi, pavarësisht anëtarësisë së tyre partiake.
“Trajnimet u takojnë sferave të ndryshme shoqërore, mediatike, ekonomike dhe politike, si nga ana praktike, ashtu edhe nga aspekti teorik”, shprehet për gazetën “Koha javore” Albert Bikaj nga Forumi Shqiptar.
Sipas tij, e gjithë kjo është realizuar në bashkëpunim me ligjërues të shquar rajonalë që i takojnë botës akademike, mediatike dhe politike.
“Ideja është përgatitja praktike dhe teorike për formimin e kuadrove të reja në sfera të ndryshme të botës publike, qoftë kjo civile apo politike në trevat tona”, thekson Bikaj.
Ai shton se angazhimi i brezit të ri në jetën shoqërore është esencial për zhvillim të mëtejshëm në çdo aspekt.
“Rinia është bartëse e iniciativave dhe e përparimit”, përfundon Bikaj.
Analistët dhe njohësit e çështjeve politike e përshëndesin Akademinë Politike si nismë pozitive, por në vlerësimet e tyre vënë në dukje disa mangësi në përbërjen e ligjëruesve dhe në përfshirjen e kuadrove shqiptare nga Mali i Zi.
Analisti dhe publicisti Nail Draga i tha “Kohës javore” se leksionet në këtë akademi i vlerëson me peshë për të gjithë të pranishmit, e në veçanti për të rinjtë, të cilët në të ardhmen politikën mund ta kenë jo vetëm pasion por edhe profesion.
“Çështja e pjesëmarrësve në këtë akademi paraqet dimension të veçantë. Përvoja demokratike dëshmon se në takime të tilla duhet të ftohen individë të përgatitur dhe të dëshmuar në profesionin e tyre dhe me autoritet shoqëror”, shprehet Draga.
Më tej, ai thekson se nga lista e të ftuarve që kemi pasur rast të njoftohemi nga mediat, “organizatori është përpjekur të ftojë individë nga spektri politik dhe i mediave”.
“Por, bie në sy mungesa e intelektualëve, që në të ardhmen duhet të përmirësohet. Sepse ndryshe prezantohen në diskutime përfaqësuesit nga skena politike e ndryshe nga spektri intelektual”, shprehet ai.
Draga vlerëson se akademitë e tilla politike ndikojnë pozitivisht në ngritjen e kulturës politike, çështje e cila sipas tij ka munguar deri më tash te shqiptarët në Malin e Zi.
“Uroj që kjo nismë të vazhdojë edhe në të ardhmen duke pasuruar përmbajtjen e saj me të ftuar nga hapësira etnogjeografike shqiptare dhe jashtë saj, sepse në këtë formë do të dëshmohej se jemi për zhvillim të komunikimit dhe të debatit sipas standardeve demokratike ndërkombëtare”, përfundon Dr. Nail Draga.
Ndërkaq, gazetari dhe analisti Ali Salaj i tha gazetës “Koha javore” se Akademia Politike është një shkollë për lidershipin, ku të rinjtë përgatiten për ndërveprime politike, ekonomike dhe sociale.
“Këtë formë organizimi e ndjekin gati të gjitha partitë e mëdha të shqiptarëve në rajon, ku përmes ligjëratave përcaktohet edhe kahja politike e partisë që e organizon”, shprehet ai.
Salaj më tej thekson se në këtë akademi nuk u ftua asnjë studiues, profesor universiteti, analist apo gazetar nga radhët e shqiptarëve në Malin e Zi.
“Ligjëruesit në këtë akademi i përngjanin një Akademie Politike të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, thekson ai.
Salaj më tej shton se Akademia Politike ndërthur edukimin politik dhe trajnimin praktik me qëllim të nxitjes së ideve dhe vizionit progresiv të bazuara në vlerat demokratike si liria, drejtësia, barazia dhe antidiskriminimi.
“Mirëpo, nisma e një akademie të tillë nga një forcë politike shqiptare është e mirëseardhur dhe e domosdoshme në kohën aktuale kur Mali i Zi po bëhet gati drejt integrimit evropian”, shprehet Salaj.
Megjithatë, shton ai, mungesa e kuadrove që në vazhdimësi kanë kontribuuar në demokratizimin e shqiptarëve në Malin e Zi dhe në forma të ndryshme i njohin dhe i mbrojnë këto të drejta, “sinjalizon se kjo akademi u përdor për interesa të brendshme partiake dhe për paraqitjen e saj si një faktor i rëndësishëm në politikë”.
Akademia politike e organizuar nga Forumi Shqiptar është e para e këtij lloji e organizuar nga një subjekt politik shqiptar në Malin e Zi.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat