Emër i shquar i gazetarisë dhe moderimit në Kosovë

Falë punës së palodhshme, përvojës shumëvjeçare dhe përkushtimit ndaj profesionit, Valbona F. Musliu është renditur ndër personalitetet më të respektuara të gazetarisë dhe moderimit në Kosovë. Ajo gëzon autoritet profesional, respekt të gjerë dhe besimin e publikut, duke qenë një ambasadore e denjë e kulturës, medias dhe vlerave qytetare

Shaban Hasangjekaj

Në historinë bashkëkohore të gazetarisë dhe jetës kulturore të rajonit të Prizrenit, emri i Valbona F. Musliut pa dyshim zë një vend të veçantë.
“Me profesionalizmin, kulturën e lartë, komunikimin e shkëlqyer dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj profesionit, Valbona F. Musliu është afirmuar si një ndër gazetaret dhe moderatoret më të vlerësuara, duke fituar respektin e publikut dhe të institucioneve kulturore”, shprehet në profilin e vet në Facebook, opojani nga fshati Bellobrad, Dr. sc. Muharrem Qafleshi.
Valbona Musliu ka lindur në vitin 1974, në fshatin Zapluxhë të krahinës së Opojës, komuna e Sharrit (Dragashit) në Kosovë, një trevë e njohur për traditat, kulturën dhe personalitetet që i kanë dhënë vlera shoqërisë shqiptare.
Është e bija e gazetarit, publicistit, shkrimtarit, studiuesit dhe përkthyesit të mirënjohur, Fahri Musliu, kolegut, mikut dhe shokut tim të nderuar e respektuar, me të cilin në fundvitet e 60-ta të shekullit të kaluar filluam hapat e parë në të përditshmen “Rilindja” dhe Radio Prishtina.
Është e martuar me këngëtarin e mirënjohur opojan, Masar Sinani nga fshati Bresanë, me të cilin jeton dhe vepron në qytetin e lashtë dhe historik të Prizrenit por edhe në Ulqin.
Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka përfunduar në vendlindje dhe Prizren, ndërsa atë të lartë e ka përfunduar në drejtimin e gazetarisë, duke ndërtuar një karrierë të suksesshme në mediet e shkruara dhe elektronike.
Gjatë rrugëtimit të saj profesional ka punuar me përkushtim në gazetat “Dita” dhe “Koha ditore”, ndërsa si folëse në Radio Prizren u dallua për shqiptimin e pastër, komunikimin profesional dhe prezantimin dinjitoz të programeve informative.
Veprimtaria publicistike e Valbona F. Musliut përfshin artikuj, analiza, reportazhe dhe trajtime të çështjeve me interes shoqëror, kulturor dhe komunitar. Në çdo shkrim ajo ka dëshmuar objektivitet, përgjegjësi profesionale dhe një ndjenjë të theksuar etike, duke e ushtruar gazetarinë si një mision në shërbim të informimit dhe ndërgjegjësimit të opinionit publik.
Një kapitull i rëndësishëm i veprimtarisë së saj lidhet me moderimin e aktiviteteve kulturore me elegancë, vetëbesim dhe aftësi të rralla komunikuese. Valbona F. Musliu është bërë një figurë e njohur e skenës publike. Oratoria e saj e qartë, gjuha e kultivuar, qetësia në drejtimin e programeve dhe komunikimi i natyrshëm me publikun e kanë shndërruar në një moderatore model.
Ajo i ka udhëhequr me sukses të gjitha edicionet e Festivalit Burimor Folklorik “Opoja Vallëzon”, në Bresanë të Opojës, i cili më vonë u shndërrua në Festivalin Ballkanik të Valles “Opoja Vallëzon”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e folklorit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gjithashtu ka moderuar manifestimin tradicional “Ditët e Diasporës”, si edhe dhjetëra ngjarje artistike, kulturore, institucionale dhe humanitare në Prizren dhe më gjerë. Në secilin organizim ajo ka dëshmuar përgatitje të lartë profesionale, kulturë qytetare, seriozitet dhe aftësi për të krijuar një komunikim të ngrohtë e dinjitoz me pjesëmarrësit. Prania e saj në skenë është bërë sinonim i korrektësisë, profesionalizmit dhe nivelit të lartë organizativ.
Falë punës së palodhshme, përvojës shumëvjeçare dhe përkushtimit ndaj profesionit, Valbona F. Musliu është renditur ndër personalitetet më të respektuara të gazetarisë dhe moderimit në Kosovë. Ajo gëzon autoritet profesional, respekt të gjerë dhe besimin e publikut, duke qenë një ambasadore e denjë e kulturës, medias dhe vlerave qytetare.
Kontributi i Valbona F. Musliut nuk kufizohet vetëm në informim dhe moderim, por edhe në promovimin e kulturës shqiptare, të traditës dhe të identitetit kombëtar. Me punën e vet të vazhdueshme ka dëshmuar se gazetaria dhe moderimi janë misione që kërkojnë dije, përgjegjësi, etikë dhe përkushtim.
Për këto arsye, Valbona F. Musliu mbetet një figurë e respektuar e jetës mediale dhe kulturore shqiptare, një profesioniste me integritet dhe një shembull frymëzues për brezat e rinj që synojnë të ndërtojnë karrierë në gazetari dhe komunikim publik.

Të fundit

më të lexuarat