Nga zemra e traditës në zërin e sotëm

Karriera e tij, e nisur në vitin 2007 për t’u bërë gjerësisht e njohur në vitin 2010, dëshmon një pasion dhe vullnet të palodhur. Shaptafi nuk është vetëm një interpretues i “Ahengut shkodran”, por edhe një mbrojtës i zellshëm i traditës muzikore ulqinake dhe asaj zadrimore. Ai njihet sidomos për interpretimin e këngëve tradicionale dhe atmosferën e jashtëzakonshme që krijon në gëzime familjare, dasma dhe manifestime kulturore

Ramazan Çeka

Stafeta e interpretimit të këngës popullore po kalon natyrshëm nga brezi i vjetër tek ai i ri, duke siguruar që kjo pasuri shpirtërore të mos shuhet kurrë. Këngët e “Ahengut shkodran” nuk lindën rastësisht si vlerë artistike; ato e morën zanafillën dhe mbështetjen kryesore në odat e nuseve dhe në ceremonitë shumëditore të dasmave, të cilat historikisht janë edhe më të hershme se vetë ahengu.
Nuk mund të konceptohet festë, gëzim apo fejesë pa praninë e ahengxhinjve. “Ahengu shkodran” është më shumë se argëtim; është një moment ku muzika sfidon kohën dhe bëhet urë lidhëse mes rinisë dhe dashurisë. Ky repertor përbëhet nga shtylla kryesore e muzikës popullore qytetare veriore.
Dikur, ahengxhijtë e mbledhur grumbull në dasma u binin instrumenteve ulur këmbëkryq mbi qilima e jastëkë. Ndonëse shpesh i kanë quajtur “amatorë”, sepse nuk kishin arsimim formal muzikor, shpirti i tyre krijues dhe virtuoziteti mbeten sot pikë referimi. Ky stil interpretimi shërben si shkollë edhe për shumë këngëtarë lirikë profesionistë, të cilët debutojnë në skenat botërore duke përcjellë këtë identitet unik kulturor.

Ruajtja e trashëgimisë dhe roli i kolosëve
Kënga popullore nuk njeh kufij. Edhe në kohët më të vështira, ishin zërat e kolosëve si Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, File Gjeloshi, Ismet Peja e Shaban Gjekaj, ata që mbajtën gjallë krenarinë tonë përmes melodisë.
Në këtë rrugëtim të hapur, këngëtarët e Ulqinit kanë luajtur një rol kyç, duke e ruajtur këtë thesar me përkushtim e fanatizëm. Një shembull i spikatur i kësaj vazhdimësie është këngëtari Suad Shaptafi.

Profili i artistit Suad Shaptafi
Suad Shaptafi është një këngëtar i njohur i muzikës popullore dhe i dasmave shqiptare, me origjinë nga treva e Anës së Malit në komunën e Ulqinit. Ana e Malit është një krahinë shqiptare me tradita të forta folklorike dhe patriotike, ndaj edhe muzika e tij lidhet ngushtë me kulturën dhe identitetin e kësaj treve.
Karriera e tij, e nisur në vitin 2007 për t’u bërë gjerësisht e njohur në vitin 2010, dëshmon një pasion dhe vullnet të palodhur. Shaptafi nuk është vetëm një interpretues i “Ahengut shkodran”, por edhe një mbrojtës i zellshëm i traditës muzikore ulqinake dhe asaj zadrimore. Ai njihet sidomos për interpretimin e këngëve tradicionale dhe atmosferën e jashtëzakonshme që krijon në gëzime familjare, dasma dhe manifestime kulturore.
Vlen të përmendet gjithashtu se ai ka bashkëpunuar ngushtë me poetë dhe kompozitorë të njohur, duke e pasuruar vazhdimisht repertorin e tij me krijime të reja. Ndër këngët e tij më të vlerësuara dhe të njohura përmenden: “Diku larg vendlindjes”, “Potpuri dasme”, “Shokët e mi”, “Moj nuse”, “Trojet tona”, “Nanë”, por edhe këngë për dashurinë si: “Një buzëqeshje më mjafton”, “Mori bukuri” etj.
Një ndër bashkëpunimet më të suksesshme të karrierës së tij është ai me kompozitorin e mirënjohur të grupit “Elita 5”, Nexhat Mujovi (Wirusi), në këngën “Trojet tona”, me tekst të Qazim Çelës.
Rrugëtimi krijues i Suadit ka vijuar natyrshëm edhe me tekstshkrues të tjerë të spikatur, si Veneranda Avgustini, Senada Musliq, si dhe nga unë, autori i këtij shkrimi.
Një vend të veçantë në zemrën e artistit zë “Kënga e Nanës”, një perlë shpirtërore me muzikë të Kolë Roshit dhe tekst të Veneranda Avgustinit, e cila mbetet një nga pikat më të ndjeshme dhe më të vlerësuara të repertorit të tij.
Këngëtari aq i dashur për publikun, Suad Shaptafi, shpreh gjithashtu një konsideratë të admirueshme për Afrim Çobin, duke e vlerësuar si një ndër bashkëpunëtorët më të çmuar në rrugëtimin e tij artistik.
Mirënjohje të thellë ai shpreh edhe për këngëtaren Adelina Marku, me të cilën, përveç performancave të shumta nëpër gëzime familjare e dasma, ka sjellë në dritë edhe duete mjaft të pëlqyera.
Mozaiku i dueteve të Suadit është vërtet i pasur; mes tyre vlen të veçohen bashkëpunimet me këngëtarin Gëzim Salaj (Mjeshtër i Madh), si dhe me këngëtaren e mirënjohur Alma Velaj, e po ashtu edhe me Elisabeta Markun e të tjerë.
Në arritjet dhe sukseset e tij, një mbështetje të fuqishme e profesionale kanë edhe kolegët e pandarë të orkestrës, Florian Filipi dhe Behar Kasemi, të cilët i japin shpirt çdo interpretimi.
Një përkrahje të fuqishme dhe plot kujdes Suadi ka gjetur gjithmonë te z. Gëzim Brahusha në “Art Center”, si president i TV “Blue Sky”. Ky televizion ka qenë një shtyllë mbështetëse në çdo edicion të organizuar në këtë qendër kulturore e artistike, siç është “Sofra e Shqipes”, edicionet e së cilës kanë shtrirë jehonën e tyre deri në Amerikë, apo në “Hitet verore”, ku artisti u nderua me “Çmimin e Publikut”. Ky kujdes i vazhdueshëm ka qenë jetik, duke pasur parasysh se pjesa më e konsiderueshme e videoklipeve të tij mbajnë vulën dhe realizimin e TV “Blue Sky”.
Përveç kësaj, Suad Shaptafi ka bashkëpunuar mjaft mirë në realizimin e klipeve edhe me “Power Media”, teksa flet me konsideratë të lartë edhe për “Mjeshtren e Madhe”, aktoren brilante të humorit Zyliha Miloti, prania e së cilës i ka dhënë një shkëlqim të veçantë videoklipeve të tij.
Karriera artistike e këngëtarit Suad Shaptafi ka vijuar me ritëm intensiv dhe sukses të lartë edhe në “Festivalin Mbarëkombëtar” të Gjirokastrës, ku shkëlqeu me interpretimin e tij pranë ansambleve artistike.
Në këtë rrugëtim të pasur, vlen të përmenden edhe “Netët e Klipit” në Tiranë dhe Kaçanik, ku Suadi, nën logon e SHKA “Ana e Malit”, u vlerësua me “Vendin e Parë”.
Mbi të gjitha, Suadi mbetet përherë një urë lidhëse dhe i pranishëm në të gjitha aktivitetet kulturore që organizohen me dashuri në Krajë.

Nga skenat lokale te diaspora dhe recitalet e ardhshme
Për vite me radhë, prania e tij në festa e gëzime ka dhuruar atmosferë dhe ka zgjuar admirim të madh. Kjo ndihet veçanërisht në dasma, ku vlen të theksohet se dëshira e përhershme e emigrantëve ka qenë që në gëzimet e tyre të kenë pikërisht këngëtarin e tyre të preferuar, Suad Shaptafin. Përgjatë gati dy dekadave, zëri i tij ka udhëtuar nga dasmat e Anës së Malit e rrethinat e Shkodrës, deri në skenat e Evropës, Amerikës dhe Australisë së largët, duke u bërë një zë i dashur për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Shaptafi ka qenë pjesë aktive e aktiviteteve kulturore në Anën e Malit dhe në diasporë, duke marrë pjesë në koncerte dhe manifestime shqiptare në Mal të Zi dhe jashtë tij. Në një aktivitet të madh kulturor në Anën e Malit, “Diaspora në vendlindje”, ai u dallua ndër këngëtarët kryesorë që argëtuan qindra spektatorë.
Gjithashtu, Suad Shaptafi është vazhdimisht i ftuar i përhershëm në “Sofrën Shkodrane”, pa u shkëputur asnjëherë edhe nga koncertet e suksesshme të zhvilluara nga “Bejta shkodrane”.
Së shpejti, ky këngëtar me një karrierë tashmë të admirueshme do të kurorëzojë këtë rrugëtim artistik duke realizuar recitalin e tij të parë në Ulqin, si dhe në Teatrin “Migjeni” në Shkodër.

Të fundit

më të lexuarat