Nga samiti i Procesit të Berlinit, të mbajtur në Budvë më 22 tetor 2026, u njoftua se shtetet e rajonit i përkasin Evropës, por edhe se ka ende shumë punë përpara tyre.
Kancelari gjerman Fridrih Merc (Friedrich Merz) ka thënë se jetojmë në një kohë imperializmi gjeopolitik dhe se Ballkani Perëndimor nuk duhet të bëhet një zonë ku fuqitë e mëdha konkurrojnë për ndikim.
“Vetëm një perspektivë e përbashkët, e cila përfshin aksesin në tregun e vetëm evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian, mund të sigurojë stabilitetin e shumëpritur për të gjithë rajonin. Se sa urgjente mbetet kjo çështje, tregohet nga lufta brutale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, të cilën e diskutuam edhe sot”, u ka thënë ai gazetarëve në Milloçer të Malit të Zi.
Vendet e Ballkanit Perëndimor politikisht i përkasin Evropës, ka shtuar Merc, duke theksuar se për një kohë të gjatë kjo ishte vetëm një frazë për fjalime të rastit, por se disa hapa konkretë janë ndërmarrë në muajt e fundit.
“Mali i Zi është në rrugën më të mirë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian së shpejti. Vendet e tjera duhet ta ndjekin atë”, ka thënë kancelari gjerman.
Nikoqiri i takimit të liderëve, kryeministri malazez Millojko Spajiq, theksoi se shteti i tij i qasej detyrës së kryesuesit me përgjegjësi, duke i vënë interesat e përbashkëta të rajonit mbi prioritetet e ngushta kombëtare.
Ai nënvizoi se Mali i Zi beson se suksesi i shteteve fqinje hap mundësi shtesë edhe për zhvillimin e tij, prandaj bashkëpunimi rajonal duhet t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve dhe ekonomisë.
Kryeministri malazez i bëri thirrje Bashkimit Evropian të tregojë qartësi dhe vendosmëri kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit, duke e vlerësuar atë si një proces historik që shkon përtej lidhjes së thjeshtë institucionale të shteteve.
“Zgjerimi është ribashkimi i kontinentit tonë. Është shtrirja e premtimit për liri, siguri dhe mundësi tek evropianët, vendi i të cilëve në shtëpinë tonë të përbashkët ende nuk është realizuar. Në kohë ndryshimesh, Evropa ka vetëbesimin të marrë vendime historike. Forca e saj qëndron te cilësia e jetës që e kanë mundësuar demokracia, sundimi i ligjit dhe solidariteti”, ka thënë Spajiq.
Në fokus të samitit në Milloçer ishin rritja ekonomike, konkurrueshmëria dhe siguria. Në të morën pjesë të gjithë liderët e vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues të shteteve të tjera evropiane që marrin pjesë në proces: Gjermanisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Francës, Greqisë, Italisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, kryeministri i Serbisë Gjuro Macut dhe i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto. Po ashtu edhe përfaqësues të institucioneve të BE-së, si Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të organizatave rajonale.
Në samit pati një shtrëngim duarsh ndërmjet kryeministrave të Malit të Zi dhe Kroacisë, Millojko Spajiq dhe Andrej Plenkoviq, të cilët kanë bërë të ditur se është arritur përparim në çështjet kontestuese ndërmjet dy vendeve në procesin e anëtarismit të Malit të Zi në BE.
Procesi i Berlinit është një nismë ndërqeveritare që bashkon gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një grup shtetesh anëtare të BE-së, Mbretërinë e Bashkuar dhe Komisionin Evropian. Qëllimi i tij është forcimi i bashkëpunimit rajonal, i integrimit ekonomik dhe i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe përshpejtimi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fokus është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal me rreth 18 milionë banorë.
Samiti vjetor në Milloçer shënoi edhe përmbylljen e kryesimit njëvjeçar të Malit të Zi me këtë proces.
(Kohapress/REL)
