Mali i Zi dhe Shqipëria kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që krijon një kanal të drejtpërdrejtë për trajtimin e ankesave të qytetarëve ndaj autoriteteve publike të vendit tjetër. Marrëveshja u firmos në Tiranë nga Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, Endrit Shabani, dhe Mbrojtësi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Malit të Zi, Sinisha Bjekoviq.
Gjatë vizitës në Tiranë, ditën e enjte (8 tetor 2026) dy delegacionet u pritën edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Marrëveshja parashikon krijimin e pikave të kontaktit në secilin institucion, në mënyrë që ankesat e shtetasve dhe rezidentëve ndaj administratës së vendit fqinj t’i përcillen drejtpërdrejt institucionit homolog për trajtim sipas kompetencave përkatëse.
“Qytetari që has një problem me administratën përtej kufirit shpesh nuk di ku të drejtohet. Kjo marrëveshje i jep një adresë. Për dy vende që negociojnë anëtarësimin në BE, ky është bashkëpunim praktik, jo ceremonial”, ka thënë Shabani.
Nga ana e tij, Bjekoviq është shprehur se bashkëpunimi synon të forcojë perspektivën e përbashkët evropiane dhe të kontribuojë në avancimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë të drejtat e fëmijëve, parandalimin e torturës, mosdiskriminimin, të drejtat e pakicave kombëtare, të drejtat e migrantëve dhe diasporës, mbrojtjen e mjedisit, si edhe të drejtat digjitale.
Delegacionet shkëmbyen gjithashtu përvoja mbi punën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe angazhimin në rrjetet ENNHRI, GANHRI dhe IOI.
Kjo marrëveshje vjen pas asaj tripalëshe të avokatëve të popullit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe është pjesë e bashkëpunimit rajonal të ombudsmanëve në Ballkanin Perëndimor. Sipas avokatëve të popullit të dy vendeve, synimi i radhës është publikimi i një raporti të përbashkët vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut në rajon.(Kohapress)
