Çmim special për filmin ku luan
aktori Alban Ukaj

Filmi “Tori and Lokita”, në të cilin luan aktori nga Kosova, Alban Ukaj, ka triumfuar me një çmim në edicionin e 75-të të Filmit të Kanës.
Dardennet me “Tori and Lokita” kanë fituar Çmimin Special të këtij edicioni jubilar.
“Tori dhe Lokita” është një tregim, në stilin e vëllezërve Dardenne, për dy fëmijë afrikanë, që kërkojnë letra në Belgjikë.
I pyetur se si ka shkuar puna me regjisorët Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, aktori Ukaj përgjigjet se puna me ta është një shkollë aktrimi më vete.
“Në xhirime ata janë si mësues, janë si miq të mirë dhe janë regjisorë të mëdhenj. Gjithashtu, ata janë nga intelektualët më të mëdhenj që kam takuar ndonjëherë në jetën time dhe me të vërtetë unë e bëra edhe një shkollë të re të aktrimit kur punova me ta”, shprehet Ukaj.
Sipas tij, të dy regjisorët janë çdoherë kërkues.
“Kur punoni me këta dy regjisorë, nuk janë vërtet të rëndësishme pamjet nga afër, por e gjithë historia. Pra, gjëja më e rëndësishme është të tregosh historinë sepse ti je pjesë e asaj historie”, ka thënë Ukaj.
“Bëhu i sinqertë, aq sa të mundesh”, kjo është ajo që mësova nga Jean-Pierre dhe Luc Dardenne.
Kjo është hera e dytë që aktori Alban Ukaj shkon në Kanë me vëllezërit Dardenne. Ai mori pjesë për herë të parë në Festivalin e 61-të të Filmit në Kanë në vitin 2008 me filmin e tyre “Lorna’s Silence”.
Festivali më i madh i filmit në botë ka nisur më 17 maj dhe është mbyllur me ndarjen e çmimeve më 28 maj.

(Kohapress/KultPlus)

Të fundit

më të lexuarat