Dënimi i mësimdhënësve më të dalluar shqiptarë

Pasojat e seminarit, jo vetëm për ata që morën pjesë në diskutime por edhe për të gjithë arsimtarët shqiptarë, sidomos për ata që nuk janë shprehur direkt kundër diskutimeve, nuk i kanë dënuar diskutuesit ose nuk kanë folur në mbledhjet e OTHLK-së, ishin të mëdha. Shumë arsimtarë u dënuan me përjashtim nga LKJ ose më masë partiake “parapërjashtim” ose “vërejtje”, ndërsa një numër i caktuar u përjashtuan nga procesi mësimor duke i larguar nga puna. U përjashtuan nga procesi arsimor profesorët më të dalluar të gjimnazit dhe shkollave fillore në komunën e Ulqinit dhe kështu kuadri arsimor, në atë moment, u dobësua shumë

Hajrullah Hajdari

(vijon nga numri i kaluar)
Ajo që ka ngjarë në seminar ka shkaktuar komente dhe reagime të shumta të qytetarëve dhe të disa pjesëmarrsëve në seminar. Duke menduar se lidhur me këtë mjafton ajo që është thënë në fillim, përkatësisht se është në pyetje manifestimi i llojit të vet të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, këtu megjithatë do të përmendim komentin e një pjesëmarësi në seminar. Ai përshtypjet e veta i shfaq kështu: “Seminari ka pasur për qëllim që të zhvillohet shqyrtimi publik i paraprojektit të planprogramit në fushën e letërsisë dhe historisë shqiptare. Sidoqoftë, ai e ka tejkaluar qëllimin e vet dhe ka marrë rrjedhë tjetër. Nga thelbi i atyre ngjarjeve shihet se ka shumë të pakënaqur dhe se aty ka prapavijë”.
Kur kanë filluar diskutimet, kur diskutuesit e parë kanë filluar të japin mendimet dhe sugjerimet e veta për planprogramin, nga të pranishmit, herë pas here është krijuar atmosferë e tillë që në disa momente ka përngjarë në një masë të simpatizuesve të padisiplinuar. Për shembull, kur Mehdi Alaj, arsimtar nga Katërkolla, ka diskutuar për nevojën e nxjerrjes së një dispozite me të cilën prapashtesat “viq” dhe “iq” në mbiemrat e shqiptarëve do të hiqeshin, shumica e të pranishmëve janë ngritur duke brohoritur: ashtu është, ashtu është, ashtu duhet. Ndërsa të tjerët, të cilët pasivisht kanë shikuar dhe kanë qenë të përmbajtur, i kanë ftuar të ngriten e të mos heshtin etj.
Gjatë pushimit janë ndarë në grupe dhe janë marrë vesh se për çka dhe për cilat çështje kush do të diskutojë. Diskutimet kanë qenë të përgatitura me aq mjeshtëri saqë para ligjit nuk kanë mundur të jenë përgjegjës, por siç kemi mundur të vërejmë, prapavija e gjithë kësaj ka qenë shumë e fëlliqur dhe armiqësore, dhe se në thellësinë e shpirtrave të tyre fshihet nacionalizmi i vrazhdë.
Në fund, ja edhe disa vëzhgime.
Punonjësit e arsimit, për të cilët kemi folur këtu, pas seminarit janë sjellë në mënyrë shumë arrogante. Nuk kanë munguar as lavdërimet e disave, sepse kanë thënë ato që mendojnë dhe ndiejnë dhe se të gjithë shqiptarët duhet të sillen në atë mënyrë dhe të luftojnë për të drejtat dhe afirmimin e tyre e kështu me radhë. Të njëjtën gjë ata e kanë treguar edhe në mbledhjen e fundit të OB të LK-së të Qendrës Shkollore, ku edhe një herë ka ardhur në shprehje orientimi i tyre politik. Në të vërtetë, ai ishte edhe një shans i tyre që të përsërisin edhe një herë paraqitjen e tyre në seminar, e disa edhe t’i zgjerojnë pikëpamjet e tyre në politikën aktuale e cila është shqyrtuar në seminar.
Për rrjedhën e mbledhjes së OBLK-së dhe qëndrimet e këtyre personave nuk kemi përgatitur informatë të zgjeruar, sepse jemi pajtuar që ta paraqesin shokët të cilët në emër të Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste kanë marrë pjesë në mbledhje.
Ditët e fundit, në Qendrën Shkollore ka pasur disa ngjarje të cilat njeriu nuk mund t’i shkëpusë nga mendja për lidhjen e mundshme të këtyre personave me atë çfarë ka ngjarë aty. Pikërisht, ka të bëjë me tre raste në godinën e Qendrës Shkollore, ku janë regjistruar grafite dhe emblema armiqësore. Së pari, në një nga mjediset higjienike të shkollës, është gjetur emri Enver Hoxha, pastaj në një vend më të dukshëm, Enver, Kosova Republikë dhe së fundi është gjetur kryqi i grremçuar, po ashtu në vend më të dukshëm.
Shumë punonjës të arsimit, për të cilët këtu është bërë fjalë, në dukje ishin të tronditur dhe të pakënaqur kur mësuan se kjo kishte ndodhur, por, thënë të drejtën, nuk u besohet. Përndryshe, pse t’u besohet kur dihet se të gjithë albanologët e Qendrës Shkollore refuzojnë të zhvillojnë mësimin sipas planprogramit të propozuar, megjithëse ekziston një mundësi dhe nevojë për të mësuar atë që nuk anashkalohet nga programi i ri; është faktike se ka pasur raste të nxitjes së pjesëmarrësve për deklarata nacionaliste, kështu që pse t’u besojmë atyre?!
Në fund, këtu nevojitet të përmendim se kohët e fundit janë shpeshtuar rastet e këndimit të këngëve nacionaliste nëpër kafene, në gazmende familjare, në autobusët e nxënësve etj., e cila tregon nevojën e përforcimit të punës politike në terren”, thuhet në informatë.
Sipas procesverbalit të Organizatës Themelore të Lidhjes Komuniste (OTHLK) të shkollës fillore “Boshko Strugar” në Ulqin, mbajtur më 10 nëntor 1981, seminari më tepër ka shërbyer për të treguar mendimet e tyre nacionaliste dhe tendencioze. (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ. 1981, Procesverbal nga mbledhja e sekretariatit të OTHLK-së të shkollës fillore “Boshko Strugar” në Ulqin, në të cilën u shqyrtuan vlerësimet e nxjerra për seminarin e mbajtur të punonjësve të arsimit) Pyetjet drejtuar organizatorëve të seminarit kanë qenë provokative, sidomos ditën e dytë kur shumica e pjesëmarrësve me duartrokitje frenetike kanë miratuar diskutimet e disa arsimtarëve shqiptarë, ashtu që është krijuar përshtypja se të drejtat nacionale janë reduktuar aq shumë në këtë komuna saqë përfaqësuesit nga Titogradi janë shikuar si shpëtimtarë tek të cilët duhet të ankohen. Në vargun e çështjeve provokative, OTHLK e kësaj shkolle numëron këto çështje:

  • Duhet të mësohet më shumë Skënderbeu sesa Njegoshi;
  • Duhet të mësohet më shumë historia shqiptare sesa historia e kombeve dhe kombësive;
  • Duhet t’u kushtohet kujdes më shumë shkrimtarëve shqiptarë sesa shkrimtarëve të kombeve dhe kombësive tona;
  • Duhet të rregullohet me ligj që librat amzë të udhëhiqen në gjuhën shqipe dhe letërnjoftimet po ashtu duhet të jenë në gjuhën shqipe etj.

Pasojat e seminarit
Pasojat e seminarit, jo vetëm për ata që morën pjesë në diskutime por edhe për të gjithë arsimtarët shqiptarë, sidomos për ata që nuk janë shprehur direkt kundër diskutimeve, nuk i kanë dënuar diskutuesit ose nuk kanë folur në mbledhjet e OTHLK-së, ishin të mëdha. Shumë arsimtarë u dënuan me përjashtim nga LKJ ose më masë partiake “parapërjashtim” ose “vërejtje”, ndërsa një numër i caktuar u përjashtuan nga procesi mësimor duke i larguar nga puna. U përjashtuan nga procesi arsimor profesorët më të dalluar të gjimnazit dhe shkollave fillore në komunën e Ulqinit dhe kështu kuadri arsimor, në atë moment, u dobësua shumë.
Mirëpo, ndërhyrja në planprogramet mësimore, shkurtimi i tyre apo cungimi i njësive mësimore për letërsinë dhe historinë shqiptare, është humbja më e madhe e pësuar në këto seminare, pasojat e të cilit nuk janë eliminuar edhe sot e kësaj dite.
Seminari dhe masat e ndërmarra pas seminarit, qoftë ndaj arsimtarëve apo planprogrameve shkollore patën ndikim negativ te masat e gjera të qytetarëve shqiptarë. Të indinjuar për masat e rrepta ndaj arsimtarëve shumë të rinj ranë fli e provokimeve të njerëzve të “besueshëm” apo të Sigurimit Shtetëror, duke u akuzuar e dënuar për nacionalizëm dhe shovinizëm shqiptar. Si pasojë, shumë qytetarë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare në Mal të Zi e lëshuan vendin e tyre, kështu që karvani i shpernguljeve po rritej nga dita në ditë. (vazhdon)

(Marrë nga libri “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990)”), Art Club, Ulqin, 2021)

Të fundit

më të lexuarat