Tradita dhe identiteti i Krajës përballë sfidave të zhvillimit

Më 14 dhe 15 nëntor 2026, Ostrosi u bë pikëtakim i traditës, kulturës dhe mikpritjes, me rastin e mbajtjes së edicionit të 18-të të manifestimit tradicional ”Festa e Gështenjave“, që edhe këtë vit mblodhi banorë të zonës dhe vizitorë nga vende të ndryshme, duke promovuar pasurinë kulturore, prodhimet vendore dhe veçoritë autentike të Krajës.
E organizuar nga Bashkësia Lokale e Ostrosit, me mbështetjen e Komunës së Tivarit dhe Organizatës Turistike të Tivarit, kjo veprimtari tashmë është shndërruar në një simbol të rëndësishëm të identitetit të kësaj treve dhe një mundësi për të prezantuar traditat që ruhen dhe përcillen ndër breza.
Përgjatë dy ditëve u ndërthurën prodhimet tradicionale, krijimtaria artistike dhe programi muzikor. Në skenë u paraqitën artistët Blerim Marshiqi, Muzafer Koliqi dhe Afërdita Demaku.
Përtej karakterit festiv dhe promovues të Festës së Gështenjave, kryetari i Bashkësisë Lokale të Ostrosit dhe njëri prej organizatorëve të manifestimit, Beqir Berjashi, ngriti edhe disa shqetësime që lidhen me sfidat e prodhuesve vendorë, mungesën e fuqisë punëtore dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale.
”Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e gështenjave këtë vit kanë mbetur pa u mbledhur, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Ky është një problem që po bëhet gjithnjë e më shqetësues për prodhuesit, pasi një pjesë e madhe e prodhimit rrezikon të mbetet e pashfrytëzuar”, u shpreh ai.
Lidhur me rëndësinë e këtij manifestimi, Berjashi thotë se përmes Festës së Gështenjave nuk afirmojnë vetëm gështenjën, por të gjitha prodhimet vendore dhe potencialet bujqësore të Krajës.
“Ky manifestim duhet të shihet jo vetëm si një festë tradicionale, por edhe si një mundësi konkrete për të mbështetur prodhuesit, për të zgjeruar tregun dhe për të krijuar perspektivë më të mirë ekonomike për banorët e kësaj treve“, u shpreh ai, duke shtuar se manifestimi “Festa e Gështenjave” duhet të ketë mbështetje më të madhe nga të gjitha strukturat institucionale, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë shtetëror, në veçanti nga Ministria e Bujqësisë.
Rëndësinë e kësaj veprimtarie për promovimin e trashëgimisë dhe valorizimin e potencialeve të Krajës e theksoi edhe nënkryetarja e Komunës së Tivarit, Tanja Spiçanoviq.
”Festa e Gështenjave është një mundësi për të prezantuar autenticitetin e këtij rajoni, pasurinë e traditës së tij, produktet vendore dhe, natyrisht, njerëzit që me punën dhe përkushtimin e tyre ruajnë identitetin e kësaj zone. Për Komunën e Tivarit, manifestime të tilla kanë një rëndësi të veçantë, sepse kontribuojnë në valorizimin e potencialeve lokale“, ka deklaruar ajo.
Stendat e shumta me prodhime vendore ishin ndër pjesët më të vizituara të manifestimit. Prodhuesit e Krajës prezantuan frytet e punës së tyre. Këto stenda përbënin një mundësi të mirë jo vetëm për shitjen dhe promovimin e prodhimeve, por edhe për t’u njohur vizitorët me pasurinë bujqësore dhe gastronomike të Krajës.
Njëri prej prodhuesve pjesëmarrës ishte edhe Enver Gjençiq, i cili për gazetën ”Koha javore“ foli për pjesëmarrjen e tij të katërt në këtë manifestim, interesimin e vizitorëve dhe rëndësinë e promovimit të prodhimeve vendore.
”Edhe këtë herë jam paraqitur me prodhime vendore të Krajës, duke sjellë gështenja, qepë, fiq, mollë japani dhe produkte të tjera karakteristike të zonës. Çmimet nuk janë shumë të larta, megjithëse gjithmonë mbetet të shihet se sa janë të kënaqur blerësit. Interesimi është i mirë, njerëzit ndalen, pyesin dhe blejnë produktet tona. Për mua, krahasuar me vitin e kaluar, këtë edicion e shoh më të mirë, pasi ka më shumë vizitorë dhe një interesim më të madh për manifestimin“, u shpreh ai.
Një dimension të veçantë kulturor manifestimit i dha edhe konkursi letrar dhe artistik, i cili synon të nxisë krijimtarinë, të promovojë talentet e reja dhe të mbajë gjallë lidhjen e artit me trashëgiminë dhe identitetin e Krajës. Konkursi letrar, i cili ka një traditë më të gjatë në kuadër të manifestimit, u shoqërua edhe me konkursin e artit figurativ, që këtë vit u organizua për të tretin vit radhazi.
Për rëndësinë dhe ecurinë e këtij konkursi, tematikën e sivjetme dhe vlerësimin e punimeve, foli Korab Kraja, anëtar i komisionit vlerësues.
”Konkursi letrar është aktiviteti që i ka rezistuar më së gjati kohës dhe që tradicionalisht është organizuar në kuadër të këtij manifestimi. Ndërsa konkursi i artit figurativ këtë vit shënon edicionin e tretë dhe ka rezultuar mjaft i suksesshëm, me një pjesëmarrje të kënaqshme dhe punime shumë kreative e me vlera artistike”, u shpreh ai.
Kraja tregoi se tema e sivjetme ishte ‘Ubla’, e cila u trajtua si në punimet letrare, në prozë dhe poezi, ashtu edhe në krijimet e artit figurativ.
“Tema ndryshon nga viti në vit, ndërsa këtë herë u përzgjodh ‘Ubla’, duke pasur parasysh se ajo ndërthur trashëgiminë materiale dhe jomateriale të Krajës. Në përgjithësi, temat e konkursit lidhen gjithmonë me trevën e Krajës, me historinë, traditën dhe identitetin e saj.
Si anëtar i komisionit vlerësues, mund të them se konkursi i këtij viti ishte mjaft i frytshëm për të gjithë pjesëmarrësit, si për ata nga Kraja, ashtu edhe për krijuesit që vijnë nga treva të tjera”, u shpreh ai.
Sipas tij, pjesëmarrja në këtë konkurs është në rritje nga viti në vit, gjë që dëshmon interesimin gjithnjë e më të madh për krijimtarinë letrare dhe artistike, si dhe rëndësinë që ka ky aktivitet në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Krajës.
Komisioni vlerësoi me çmime punimet më të mira në të dyja kategoritë: të artit figurativ dhe të krijimtarisë letrare. Në kategorinë e artit figurativ, Çmimi kryesor (për ciklin e lartë) iu nda punimit me shifrën “17022011”, kurse në ciklin e ulët vendi i parë i takoi punimit me shifrën “ED201309”, vendi i dytë “555B” dhe vendi i tretë “52015”.
Në kategorinë e punimeve letrare, me Çmimin e Parë u vlerësua punimi me shifrën 230701, me Çmimin e dytë “lind2005”, ndërsa Çmimin e tretë e ndanë punimet me shifrat “Harapi” dhe “V1J2L3MA”.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat