Parku “Teuta” në Ulqin, në ditën e fundit të muajit tetor ishte pikë takimi për qytetarët, vizitorët dhe prodhuesit vendas, falë organizimit të edicionit të pestë të manifestimit tradicional “Shporta e Vjeshtës”. Në një ambient me ngjyra, aroma dhe shije të stinës, aktiviteti mblodhi dhjetëra ekspozues, familje me fëmijë, qytetarë nga Ulqini dhe mysafirë nga qytete të tjera.
Manifestimi u organizua nga Komuna e Ulqinit, përkatësisht Sekretariati për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit, me synimin e promovimit të prodhimit vendas, mbështetjes së fermerëve dhe ndërthurjes së bujqësisë me traditën dhe turizmin.
Edhe pse fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej gjatë dy ditëve, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike të paralajmëruara, organizatorët vendosën që i gjithë programi të përqendrohej në një ditë, më 31 tetor 2026. Megjithatë, kjo nuk e zbehu interesimin e pjesëmarrësve dhe vizitorëve, të cilët patën mundësi të shijonin një program të pasur dhe një ofertë të larmishme vendase.
Në stendat e ekspozuesve spikatën produktet karakteristike të zonës, si vaji i ullirit, përpunimet e ndryshme të ullirit, agrumet, shega, reçelet, lëngjet natyrale, verërat dhe gatimet tradicionale. Krahas produkteve ushqimore, vizitorët patën mundësi të shohin edhe punime artizanale, objekte druri dhe krijime të tjera të realizuara me dorë.
Fëmijët patën mundësi të merrnin pjesë në lojëra, punëtori krijuese dhe aktivitete muzikore, ndërsa të rriturit shijuan specialitetet tradicionale dhe u njohën nga afër me ofertën e prodhuesve lokalë.
Hapjen zyrtare të aktivitetit e bëri kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme në ruajtjen e traditës dhe forcimin e lidhjes mes komunitetit dhe tokës ku jeton. Ai theksoi se “Shporta e Vjeshtës” nuk është vetëm një panair i produkteve vendore, por edhe një mënyrë për të promovuar punën e fermerëve dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të qytetit.
Ndërkohë, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, u shpreh se kjo ngjarje përfaqëson një mundësi të mirë për promovimin e prodhimeve cilësore vendase, si për banorët, ashtu edhe për turistët që e vizitojnë qytetin. Ai falënderoi ekspozuesit dhe pjesëmarrësit, duke u uruar të gjithëve një sezon vjeshte të mbarë.
Rëndësinë e manifestimit për mbështetjen e prodhuesve lokalë e vuri në pah edhe Arta Muça, sekretare e Sekretariatit për Bujqësi Zhvillim Rural dhe Ekologji në Komunën e Ulqinit. Sipas saj, ky aktivitet krijon hapësirë për prezantimin e produkteve që përfaqësojnë identitetin bujqësor dhe gastronomik të kësaj treve. Ndër produktet më karakteristike të këtij edicioni përmendim agrumet, shegat, produketet e vajit të ullirit dhe gështenjat.
Në emër të prodhuesve vendas, të pranishmëve iu drejtua Rrok Lulgjuraj, i cili falënderoi organizatorët për mundësinë e krijuar për fermerët dhe prodhuesit lokalë që të prezantojnë punën dhe produktet e tyre para qytetarëve dhe vizitorëve. Ai vlerësoi rëndësinë e manifestimeve të tilla për promovimin e prodhimit vendas, duke theksuar se prodhuesit kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme institucionale, në mënyrë që të zhvillojnë veprimtarinë e tyre, të ruajnë traditën dhe të rrisin vlerën e produkteve vendore. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për organizimin e “Shportës së Vjeshtës”, duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme për të vënë në pah përkushtimin dhe punën e prodhuesve të zonës.
Fëmijët dhe të rinjtë i dhanë ngjyrë programit festiv
Përveç panairit, një vend të rëndësishëm në program zuri edhe pjesa kulturore-artistike, e cila solli në skenë fëmijë, nxënës dhe të rinj nga institucionet arsimore dhe shoqëritë kulturore-artistike të qytetit.
Programi u hap me paraqitjen e pjesëmarrësve nga Qendra Ditore “Sirena”, të cilët u mirëpritën me duartrokitje nga publiku. Më pas, atmosferën festive e vazhduan vogëlushët nga kopshtet “Solidariteti”, “Arushi Pu” dhe “Xixëllonja”, të cilët përmes paraqitjeve të tyre sollën gëzim dhe gjallëri në skenën e manifestimit.
Pjesë e programit ishin edhe nxënësit e Shkollës së Muzikës dhe Baletit, të cilët prezantuan talentin e tyre artistik përmes muzikës dhe vallëzimit.
Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe nxënësit e shkollave fillore “Boshko Strugar”, “Marshall Tito”, “Bedri Elezaga” dhe “Marko Nuculloviq”, si dhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Përzier “Vëllazërim-Bashkim”.
Mesazhi i manifestimit ishte edhe promovimi i trashëgimisë përmes brezave të rinj, të cilët me pjesëmarrjen e tyre jo vetëm pasuruan programin, por treguan se traditat mund të ruhen dhe të përcillen edhe përmes formave moderne të edukimit dhe krijimtarisë.
Programi vazhdoi me paraqitjet e shoqërive kulturore-artistike dhe ansambleve, të cilat sollën në skenë vallet tradicionale dhe elemente të folklorit. Para publikut u prezantuan SHKA “Dolcinium”, Ansambli “Trojet Tona”, SHKA “Sveti Nikolla” dhe grupi “Vallet ilire”.
Përmes valleve, ritmeve dhe kostumeve tradicionale, këto grupe i dhanë manifestimit një dimension të veçantë kulturor, duke rikujtuar pasurinë e trashëgimisë që Ulqini dhe rrethina e tij kanë ruajtur ndër breza.
Përmbyllja e programit u shoqërua me muzikë live nga Acoustic Band dhe ftoi të pranishmit të vazhdonin shoqërimin, t’i vizitonin stendat dhe të shijonin produktet e ofruara nga prodhuesit vendas.
Dafina Teliqi – Rexha
