Ulqini sërish kryeqytet i miqësisë

“Mondiali i Miqësisë nuk është thjesht një takim jugonostalgjik, por është një fabrikë e së ardhmes për rininë tonë. Ne dëshirojmë t’u tregojmë fëmijëve se sporti, respekti reciprok dhe bashkëjetesa janë rruga e vetme e duhur“, nënvizon Pavle Pepgjonoviq, duke i ftuar të gjithë qytetarët e Ulqinit e më gjerë t’i bashkohen kësaj feste madhështore nën moton universale: “Vetëm dashuria na nevojitet“

Nga data 9 deri më 11 tetor 2026, Ulqini do të shndërrohet sërish në epiqendrën e sportit, nostalgjisë dhe bashkimit rajonal. Edicioni i pestë jubilar i “Mondialit të Miqësisë“ premton të jetë më i madhi, më emotivi dhe më gjithëpërfshirësi i mbajtur deri më sot. Kjo ngjarje unike, e cila tashmë i ka kapërcyer kufijtë lokalë e kombëtarë për t’u kthyer në një lëvizje të mirëfilltë kulturore e njerëzore, do të mbledhë në qytetin bregdetar të Ulqinit dhjetëra legjenda të sportit, gazetarë, artistë e humanistë nga e gjithë ish-Jugosllavia.
Ideatori dhe shpirti lëvizës i këtij manifestimi, Pavle Pepgjonoviq, në një bisedë për Radio Ulqinin, ndau detajet e këtij organizimi madhështor, duke theksuar se sekreti i suksesit qëndron te vetë njerëzit e Ulqinit.
“Ky manifestim nuk ka një organizator të vetëm apo zyrtar, sepse organizatori i vërtetë është vetë populli. Janë qytetarët e Ulqinit, nënat, motrat, sipërmarrësit e të rinjtë që hapin dyert e shtëpive dhe zemrave pa kërkuar asgjë në kthim“, shprehet ai.
Për këtë edicion janë siguruar qindra akomodime falas dhe janë mobilizuar mbi 600 vullnetarë lokalë për t’u ofruar mysafirëve mikpritjen tradicionale ulqinake.
Edicioni i sivjetshëm do të hapet të premten, më 9 tetor 2026, në orën 19:00, në Qendrën për Kulturë, me një mbrëmje të veçantë komemorative të titulluar “Heronjtë nuk na braktisin kurrë“. Kjo mbrëmje do t’u kushtohet figurave të shquara sportive e kulturore që janë ndarë nga jeta, por që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në edicionet e kaluara apo në historinë e sportit rajonal: Ivan Gudelj, Bozho Koprivica, Goran Sukno, Dushko Vujosheviq dhe Drazhen Dalipagiq.
Përmes pesë dokumentarëve të shkurtër dhe fjalimeve prekëse nga anëtarë të familjeve e emra të mëdhenj të sportit si Ivica Shurjak, Milivoje Bebiq, Igor Millanoviq, Peter Vilfan e Zhelko Jerkov, Ulqini do t’u bëjë një nderim dinjitoz këtyre figurave.
E shtuna (10 tetor 2026) do të jetë dita qendrore e manifestimit. Për herë të parë, ceremonia zyrtare e hapjes do të zhvillohet në kalanë e lashtë të Ulqinit, pranë Kullës së Balshajve, nga ku do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionet rajonale, e shoqëruar edhe me një video mesazh nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Programi i ditës do të vijojë me veprimtari të ngjeshura kulturore: promovimin e librit “Haxhija sa Kosheva“ të autorit Branko Tomiq, kushtuar legjendës së futbollit Faruk Haxhibegiq; premierën e dokumentarit “Moca”, kushtuar legjendës së Partizanit, Momçillo “Moca“ Vukotiq, në prani të familjes së tij; në mbrëmje manifestimi ”Martinja“ në bashkëpunim me kantinën ”Kutjevo“ nga Kroacia dhe Ambasadën e Kroacisë, shoqëruar nga ansamble tamburistësh dhe grupe muzikore malazeze.
Dita e fundit, e diel (11 tetor 2026), do të nisë me premierën e librit “Zhoc“, kushtuar trajnerit më të trofeshëm të basketbollit evropian, Zhelko Obradoviq. Më pas, delegacionet e mysafirëve do të realizojnë një vizitë turistike në pikat më të bukura natyrore e historike të qytetit, duke u ndalur në ishullin e Adës e në bregun e Bunës. Aty do të organzohet një sofër e pasur me gatime tradicionale ulqinake të përgatitura nga punëtorët e “Rivierës së Ulqinit” si dhe promovimi e degustimi i vajit të ullirit ulqinak.
Ngjarja do të kurorëzohet të dielën mbrëma në Qendrën për Kulturë me shfaqjen e dokumentarit për yllin e NBA-së dhe basketbollit kroat, Dino Ragja, i cili do të jetë i pranishëm personalisht për një panel diskutimi me publikun, të udhëhequr nga gazetari i njohur Drago Qosiq. Manifestimi do të mbyllet me një spektakël fishekzjarresh mbi qiellin e Ulqinit.
Ky edicion jubilar ka zgjuar një interesim të jashtëzakonshëm mediatik. Përveç Radio Televizionit të Malit të Zi që do ta transmetojë drejtpërdrejt, në Ulqin do të jenë të pranishme ekipe televizive nga e gjithë rajoni, përfshirë Radio Televizionin e Kosovës, televizionin shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe media nga Kroacia, Sllovenia, Serbia e Maqedonia e Veriut. Kjo do t’i japë Ulqinit një dritare të jashtëzakonshme promovimi turistik e kulturor në prag të sezonit vjeshtor.
“Mondiali i Miqësisë nuk është thjesht një takim jugonostalgjik, por është një fabrikë e së ardhmes për rininë tonë. Ne dëshirojmë t’u tregojmë fëmijëve se sporti, respekti reciprok dhe bashkëjetesa janë rruga e vetme e duhur“, përfundoi Pepgjonoviq, duke i ftuar të gjithë qytetarët e Ulqinit e më gjerë t’i bashkohen kësaj feste madhështore nën moton universale: “Vetëm dashuria na nevojitet“.

Eliana Peku

Të fundit

më të lexuarat