Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka zgjedhur Justina Shiroka – Pulën presidente të re, mesnatën ndërmjet të martës dhe të mërkurës (6/7 tetor 2026), në minutat e fundit të afatit kushtetues, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo u zgjodh presidente me 81 vota në rundin e parë, kundërkandidatja e saj, deputetja e PDK-së Eliza Hoxha fitoi një votë, ndërsa dy vota ishin në pavlefshme, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në minutat e para të 7 tetorit.
Marrëveshja për votimin e presidentes së të re të Kosovës përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.
Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre tek institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.
Shiroka Pula, 72 vjeçe, u betua si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.
Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.
Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka – Pula është ekonomiste me profesion dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës si gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.
Me zgjedhjen e saj, Shiroka – Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit, ndërsa presidenti i shtatë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat