
Ulqini i vjetër
Jemi duke pirë kafe te Burimi, Asllan Bisha edhe unë. Në afërsi është kafeneja “Bonita”, në anën tjetër studioja e Shaqos, kurse sipër Beledija e vjetër e rrëzuar, ndërsa pak më poshtë Xhamia e Mezgjahut. Këtë pjesë e kemi quajtur gjithmonë si mjedisin e Ulqinit të vjetër. Këtu është kufiri ndërmjet pjesës bregdetare dhe kontinentale të qytetit.
Duke ecur në drejtim të bregut të detit, djathtas është Meterizi dhe Limani. Në anën e majtë fillon Pinjeshi që vazhdon deri te Pylli i Pishave.
Në pjesën qendrore është rruga kryesore në fund të së cilës është Prroni dhe Rana me shëtitoren dhe Plazhin e Vogël. Kalaja në anën e djathtë dhe gadishulli Suka e rrumbullakojnë gjirin e Ulqinit.
Duke ecur përpjetë, në anën e majtë është Mëhalla e Re qendrore, kurse djathtas lagjja Meraja.
Lumi Buna
Duke filluar prej liqenit të Shkodrës, Buna si lumë ndër më të pasurit në Evropë i takon popullit shqiptar, të cilin pa dëshirën tonë e ndanë në dy shtete. Ajo i takon Shqipërisë dhe Malit të Zi, por në të dy brigjet e saj jetojmë ne shqiptarët.
Asllan Bisha fëmijërinë e kaloi pikërisht në afërsi të lumit Buna dhe liqenit të Shasit.
Qysh atëherë fillon frymëzimi i tij për të shkruar, kërshëria për të ditur se çka ndodh në anën tjetër të Bunës në kohën e monizmit kur ishin të ndërprera lëvizjet ndërmjet popullit shqiptar.
Liqeni dhe qyteti i lashtë i Shasit do ta inspirojnë më vonë atë për të shkruar për të kaluarën e lashtë të këtij vendi.
Shkolla fillore në Katërkollë
Vazhdimi i shkollimit në këtë shkollë, të cilën e ngriti në një nivel të lartë drejtori legjendar Junuz Divani, do të jetë një shkallë për edukimin e mëtejshëm të Asllanit të ri, duke vazhduar shkollimin në Kosovë ku do të formohet si intelektual i veçantë i cili vendlindjen e ka në shpirt dhe në zemër.
Vendlindja e tij – Ulqini
Asllani gjithmonë thotë se vendlindja e tij nuk është vetëm në Lisën, ku ai ka lindur, por në të gjithë Ulqinin.
“Jam krenar që tërë jetën punova në shkollën fillore në afërsi të Kalasë së vjetër. Aty punova një pjesë të madhe si arsimtar i gjuhës shqipe dhe tri vitet e fundit, para pensionit, në bibliotekën e shkollës”, vazhdon ai.
Afërsia e Kalasë e tërheq gjithmonë Asllanin. Shpeshherë hynte brenda dhe në pjesën e sipërme të Kalasë që ne e quajmë Shkalaja (Citadela), gjeti tempullin e sakrificës të cilin ma tregoi dhe e vendosa në librin tim “Pazari i Gjytetit”.
“Nusja e detarit”, kryevepra e tij
Shpeshherë më pyesin se për çka flas me Asllanin?! Unë ju përgjigjem se flasim për libra. Asllanin e kam pasur tërë këto vite konsulent për librat e mi. Unë Asllanit i ndihmova që në dekadën e fundit vuajtjet shëndetësore t’i përballojë më lehtë.
Për fund, e vlerësoi romanin “Nusja e detarit” si veprën e tij më të suksesshme dhe njëkohësisht një ndër veprat letrare më origjinale në letërsinë e shqiptarëve në Malin e Zi.
Romanin “Nusja e detarit” dhe ngjarjet rreth tij në imagjinatën time i vendosa në Fushën e Qehajës, në fund të Kalasë.
Asllan Bishës i uroj jetë të gjatë!
