Qeveria e Malit të Zi paralajmëroi në muajin shtator të këtij viti ndryshime në sistemin e pagave, të cilin e ka emërtuar si “Euromodel” dhe që pritet të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm. Ky model u prezantua më 17 shtator 2026 nga kryeministri Millojko Spajiq, i cili bëri të ditur se ai parasheh paga minimale neto prej 1.000 euro për vendet e punës që kërkojnë arsim fillor ose më të ulët, 1.250 euro për ato që kërkojnë arsim të mesëm dhe 1.400 euro për vendet e punës që kërkojnë arsim të lartë.
Për të vlerësuar realizueshmërinë financiare të këtij modeli, ndikimin e tij në financat publike dhe sektorin privat, si dhe qëndrueshmërinë e tij afatgjatë, morëm mendimin e një eksperti të ekonomisë dhe financave dhe të një përfaqësuesi të Unionit të Punëdhënësve të Malit të Zi.
Driton Gjokaj, ekspert i ekonomisë dhe financave, në prononcimin për gazetën “Koha javore” vlerëson se zbatimi i paralajmëruar i “Euromodelit” në Mal të Zi paraqet një sfidë të konsiderueshme fiskale, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për rritjen e pagave minimale, por për një ndryshim më të gjerë të mënyrës së financimit të pagave, pensioneve si dhe financimit të vetëqeverisjeve lokale, duke menduar këtu edhe për Komunën e Tuzit.
“Sa i përket Komunës së Tuzit, shqetësimi kryesor është mundësia që, në të njëjtën kohë, të përballet me zvogëlimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat e personave fizikë dhe me rritjen e shpenzimeve për paga në administratën lokale, institucionet dhe ndërmarrjet publike.
Shpresoj që ligji i ri për financimin e vetëqeverisjeve lokale (që është pjesë e paketës së Euromodelit) të mos aprovohet, në mënyrë që të ruhen përqindjet ekzistuese të tatimit mbi të ardhurat e personave fizikë, dotacionet si dhe të Fondit Egalizues”, thotë ai.
Nëse aprovohet ky ligj, Gjokaj shpreson se Qeveria do të tregojë përgjegjësi duke siguruar një mekanizëm alternativ dhe të qëndrueshëm financimi për Komunën e Tuzit, por edhe për komunat e tjera “në të cilat ulën përqindjet aktuale, në formë kompensimi financiar, në rast se ndryshimet ligjore sjellin uljen e përqindjes së të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat e personave fizikë që i takojnë komunës. Kjo do të ishte e domosdoshme për të garantuar stabilitetin buxhetor, vazhdimësinë e shërbimeve publike dhe realizimin e projekteve zhvillimore dhe infrastrukturore të Tuzit”.
Sipas Gjokajt, çështja kryesore nuk është nëse shteti mund t’i sigurojë paratë për vitin e parë, por nëse mund ta financojë këtë reformë në mënyrë të qëndrueshme për pesë, dhjetë apo më shumë vite, pa krijuar presion të papërballueshëm mbi deficitin buxhetor dhe borxhin publik.
“Nga këndvështrimi i financave publike, rreziku kryesor i zbatimit të ‘Euromodelit’ është krijimi i një deficiti strukturor buxhetor, nëse rritja e shpenzimeve për paga dhe pensione nuk shoqërohet me rritje të qëndrueshme të të ardhurave publike. Në këtë rast, reforma mund të ketë një efekt zinxhir: rritje të shpenzimeve buxhetore, zgjerim të deficitit, nevojë për huamarrje shtesë dhe, përfundimisht, rritje të borxhit publik”, shprehet Gjokaj.
Për Malin e Zi, shton ai, kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme, sepse modeli parashikohet të fillojë në janar të vitit 2027.
“Pagat duhet të rriten mbi baza reale dhe të qëndrueshme ekonomike, duke qenë të ndërlidhura drejtpërdrejt me rritjen e produktivitetit, krijimin e vlerës së shtuar dhe kapacitetin real të ekonomisë për të përballuar këtë rritje”, thekson Gjokaj.
Ai më tej vlerëson se rritja e pagave dhe ulja e kontributeve ka edhe efekte pozitive, sepse rrit standardin e jetesës, por thekson se rritja e standardit të jetesës duhet të mbështetet në rritjen e kapacitetit ekonomik të vendit dhe jo në rritjen e vazhdueshme të detyrimeve të buxhetit. “Përndryshe, përfitimet afatshkurtra mund të shoqërohen me kufizim të investimeve publike, rritje të borxhit dhe presion fiskal mbi gjeneratat e ardhshme”, nënvizon Gjokaj.
Investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik, shton ai, janë parakushte për rritjen e ardhshme të të ardhurave publike.
Gjokaj sugjeron se Qeveria do të duhej të mendonte për ndonjë fond të veçantë për financimin e reformës (të krijohet një mekanizëm financiar që do të mbështetet në të ardhura të qëndrueshme tatimore dhe në kursimet nga rritja e efikasitetit të administratës publike).
Duke pasur parasysh Komunën e Tuzit, Gjokaj thotë se është veçanërisht e rëndësishme që në kuadër të kësaj reforme të garantohet edhe qëndrueshmëria financiare e pushtetit lokal, përmes ruajtjes së të ardhurave ekzistuese ose krijimit të mekanizmave adekuatë të kompensimit.
“Në fund, një reformë e qëndrueshme duhet të sjellë rritje të standardit të jetesës, pa cenuar stabilitetin e financave publike, kapacitetin investues të komunave dhe mundësitë zhvillimore të gjeneratave të ardhshme”, përfundon Gjokaj.
Nga ana tjetër, Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi e mbështet rritjen e pagave por shpreh rezerva për mënyrën dhe dinamikën e zbatimit të modelit të propozuar. Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Koha javore” flet Filip Llazoviq, zëvendëssekretar i përgjithshëm i UPMZ-së.
“Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi e mbështet plotësisht rritjen e pagave dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, por konsiderojmë se mënyra dhe dinamika e realizimit të këtyre synimeve duhet të jenë në përputhje me mundësitë reale të ekonomisë. Shqetësimi ynë kryesor lidhet me faktin se modeli i propozuar nuk është rezultat i dialogut social paraprak dhe se efektet e tij nuk janë shqyrtuar mjaftueshëm nga perspektiva e sektorëve të ndryshëm dhe kategorive të ndërmarrjeve”, shprehet Llazoviq.
Për këtë arsye, shton ai, i kemi propozuar qeverisë një model alternativ të rritjes së pagave minimale, që përfshin një periudhë të përshtatshme kalimtare dhe masa mbështetëse për ekonominë.
“Konsiderojmë se është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje që do të mundësojë rritjen e standardit jetësor të të punësuarve, duke ruajtur njëkohësisht konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e veprimtarisë afariste. Modeli i propozuar nënkupton një rritje të konsiderueshme të kostove të punës, ku barra më e madhe mund t’u bie ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat kanë kapacitete të kufizuara për t’u përshtatur”, shprehet ai.
Ai më tej sqaron se rritja e pagave minimale krijon presion edhe për korrigjimin e pagave të tjera, gjë që sipas tij, i rrit më tej kostot e afarizmit.
“Nëse një rritje e tillë nuk shoqërohet me rritjen e produktivitetit, ekziston rreziku i uljes së investimeve, rritjes së çmimeve, humbjes së konkurrueshmërisë, por edhe i ngadalësimit të punësimit dhe rrezikimit të vendeve ekzistuese të punës. Qëllimi ynë nuk është të kundërshtojmë nevojën për rritjen e pagave, por të insistojmë në qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë”, nënvizon Llazoviq.
Ai bën të ditur se Unioni i Punëdhënësve tashmë i ka dorëzuar Qeverisë propozimet konkrete, duke përfshirë një model alternativ të rritjes së pagave minimale, një periudhë kalimtare për përshtatje dhe një paketë prej 13 masash për mbështetjen e ekonomisë.
“Konsiderojmë se është e domosdoshme të sigurohet zbatimi gradual i zgjidhjeve të reja, me stimuj fiskalë dhe lehtësimin e barrës së afarizmit, si dhe masa që do të nxisin investimet, digjitalizimin dhe rritjen e produktivitetit. Po aq e rëndësishme është të punohet në uljen e barrës administrative, luftimin e ekonomisë informale dhe krijimin e një mjedisi të parashikueshëm të biznesit. Besojmë se rritja e qëndrueshme e pagave mund të sigurohet vetëm përmes një ekonomie më të fuqishme dhe më produktive, prandaj insistojmë në vazhdimin e dialogut social të hapur dhe të argumentuar”, përfundon Llazoviq.
Ndërkaq, në takimin e mbajtur të mërkurën, më 11 nëntor 2026, mes kryeministrit Millojko Spajiq dhe përfaqësuesve të Unionit të Punëdhënësve të Malit të Zi, Qeveria rikonfirmoi qëndrimin për zbatimin e “Euromodelit” sipas propozimit fillestar.
T. Ujkaj
