
Dënimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë e kanë vendosur në sprovë Kosovën dhe institucionet e saj, më të vështirën deri tani që prej përfundimit të luftës dhe shpalljes së pavarësisë. Kjo ndodh në një situatë të krizës së thellë politike në Kosovë, kur institucionet shtetërore kryesore nuk funksionojnë me kapacitet të plotë ligjor.
Kosova ka hyrë në një rrugë pa krye falë papërgjegjësisë së klasës së saj politike, e cila nuk po di të dalë nga kriza politike ku e ka futur vendin. Si rëndom, forcat politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për situatën, pa marrë përgjegjësinë e tyre, por e vërteta është se të gjitha partitë kryesore, pa përjashtim, kush më shumë e kush më pak, janë fajtore për qorrsokakun ku e kanë çuar vendin.
Gjëja më e keqe është se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, në vend që t’i bashkojë shqiptarët, është kthyer në një luftë brendashqiptare, dhe atë jo vetëm politike. Skenat e dhunës së protestuesve në rrugët e Prishtinës dhe kundër institucioneve shtetërore të Kosovës janë imazhi më i keq që mund t’i përçohet botës. Ata që thirren në emër të UÇK-së nuk e kanë të drejtën të bëjnë çdo gjë, përfshirë aktet e dhunës ndaj institucioneve të Kosovës dhe pjesëtarëve të organeve të sigurisë.
Edhe pse nuk është momenti për të gjetur fajtorin, nuk mund të mohohet fakti se situata në Kosovë pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata është pasojë e miopisë politike pikërisht të disa prej atyre që ndodhen në Hagë, të cilët pranuan kompromiset në dëm të shtetit të Kosovës, siç është edhe krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës nëpërmjet një ligji të veçantë dhe ndryshimeve kushtetuese. Në anën tjetër, UÇK-ja dhe lufta e drejtë e saj nuk mbrohen në forma folkloristike, me këngë dhe muzikë. Kjo formë e tejkaluar e shprehjes së pakënaqësisë dhe kundërshtisë mund të shërbejë vetëm për konsum të brendshëm, më tepër mediatik, sesa të prodhojë ndonjë efekt real.
Në këtë situatë tejet të vështirë dhe serioze për të ardhmen e saj, Kosova po tregon në sytë e ndërkombëtarëve se nuk di të vetëqeveriset, pa ndihmën dhe mbështetjen e jashtme. Lufta për ndërtimin e institucioneve është një luftë e përhershme, bile e përjetshme. Ajo është më e vështirë sesa lufta e vërtetë, e cila mund të zgjasë një ditë, një muaj, një vit apo edhe më shumë. Por ajo dihet që do të përfundojë një ditë.
Por as bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’i lajë duart nga ky qull ku e kanë futur Kosovën, qoftë për shkak të presionit për formimin e Dhomave të Specializuara, qoftë për shkak të Kushtetutës e cila falë boshllëqeve të saj lë shteg për keqintepretimin dhe keqpërdorimin e saj në rastin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe mjaft raste të tjera.
Sot Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për institucione të qëndrueshme. Ajo nuk e ka luksin të zhvillojë zgjedhje për çdo vit apo dy herë në vit. Prandaj kompromisi politik ndërmjet forcave kryesore politike është e vetmja zgjidhje për të dalë nga qorrsokaku ekzistues dhe mosrrezikimi i shtetësisë së Kosovës. Tekefundit, Kosova nuk është pronë e askujt, por vetëm e qytetarëve të saj.
