Të ndarë në tri klube të ndryshme

Deputetët Nikollë Camaj dhe Artan Çobi janë pjesë e klubit të deputetëve të Forumit Shqiptar, ku veprojnë bashkë në Kuvend. Deputeti Mehmed Zenka vepron në klubin e deputetëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe të Iniciativës Qytetare Kroate bashkë me Adrijan Vuksanoviqin, ndërsa deputeti Ilir Çapuni është anëtar i klubit të veçantë të deputetëve, me kryetare Jevrosima Pejoviqin

Nga gjithsej 81 deputetë sa ka Kuvendi i Malit të Zi, katër i përkasin partive politike shqiptare.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit, deputetët shqiptarë bëjnë pjesë në tre klube të ndryshme parlamentare. Kështu deputetët Nikollë Camaj dhe Artan Çobi janë pjesë e klubit të deputetëve të Forumit Shqiptar, ku veprojnë bashkë në Kuvend. Deputeti Mehmed Zenka vepron në klubin e deputetëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe të Iniciativës Qytetare Kroate, bashkë me Adrijan Vuksanoviqin, ndërsa deputeti i koalicionit Aleanca Shqiptare (Partia Demokratike, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Lëvizja për Tuz) Dr. Ilir Çapuni është anëtar i klubit të veçantë të deputetëve, me kryetare Jevrosima Pejoviq.
Për t’i ofruar lexuesit një pasqyrë mbi organizimin e deputetëve shqiptarë brenda Kuvendit të Malit të Zi, “Koha javore” u është drejtuar për këtë çështje deputetëve shqiptarë.
Deputeti Ilir Çapuni nuk e cilëson këtë si ndarje, por thekson se ky është një organizim brenda Kuvendit.
“Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi vijnë me prapavijë të ndryshme zgjedhore dhe lista të ndryshme zgjedhore, dhe kjo rrjedhimisht ia dikton edhe veprimtarinë dhe organizimin politik në kuvend e gjetiu”, sqaron Çapuni, duke shtuar se “nuk mund të quhet ‘ndarje’, por organizim logjistik brenda institucionit të Kuvendit”.
I pyetur nëse ndarja në klube të ndryshme ka ndikim në peshën dhe fuqinë negociuese që deputetët shqiptarë do të kishin në vendimmarrje, po të ishin të bashkuar në një klub të vetëm, Çapuni shprehet se “nuk është ndarje siç e quani ju, por organizim në klube. Falë këtij organizimi, deputetët shqiptarë mund të pyesin tri pyetje kryeministrit në të njëjtën seancë, mund të marrim më shumë pjesë në takime dhe forume të ndryshme”.
Më tej ai shton se ata “kanë fuqi më shumë kështu”.

“Nuk është ndarje, siç e quani ju, por organizim në klube. Falë këtij organizimi, deputetët shqiptarë mund të pyesin tri pyetje kryeministrit në të njëjtën seancë, mund të marrim më shumë pjesë në takime dhe forume të ndryshme”, shprehet deputeti Ilir Çapuni


“Me sa di, në asnjë forum nuk i kemi dalë njëri-tjetrit kundër, por kemi mbështetur dhe mbrojtur pozicionet e njëri-tjetrit”, nënvizon Çapuni.
Sa i përket mënyrës se si koordinohen deputetët shqiptarë në përfaqësimin e shqiptarëve, duke bërë pjesë në klube të ndryshme parlamentare, deputeti Ilir Çapuni thotë se “edhe krahas listave të ndryshme zgjedhore dhe obligimeve të marra ndaj votuesve, shqiptarët në Kuvend koordinohen, e kjo shihet në qëndrimet e përbashkëta, iniciativat e përbashkëta, ligjet dhe amandamentet e përbashkëta dhe veprimtarinë e përbashkët”.
Në fund, si shembullin më të mirë ai përmend përfaqësimin vitin e kaluar gjatë “mbrojtjes së Ulqinit nga tendenca për megainvestim”.
Ndërkaq, deputeti i Forumit Shqiptar Artan Çobi për gazetën “Koha javore” thotë se, aktualisht deputetët shqiptarë janë të organizuar në klube të ndryshme parlamentare, “si pasojë e rrethanave zgjedhore dhe rregullave teknike të Kuvendit, dhe kjo ndarje shpesh fragmenton mesazhin tonë politik”.
“Klubi ynë i deputetëve përbëhet nga dy deputetë të listës sonë dhe kemi qenë të hapur edhe për të tjerët që të na bashkohen, por ata kanë vlerësuar ndryshe”, shprehet Çobi.
I pyetur nëse ndarja në klube të ndryshme ka ndikim në peshën dhe fuqinë negociuese që deputetët shqiptarë do të kishin në vendimmarrje, po të ishin të bashkuar në një klub të vetëm, Çobi shprehet se nuk ka dyshim se ndarja në klube të ndryshme e zbeh peshën e tyre specifike në vendimmarrje.
“Nëse do të ishim të bashkuar në një klub të vetëm, fuqia jonë negociuese do të ishte më e madhe. Një bllok unik i deputetëve shqiptarë do të shërbente si një faktor kyç dhe i pashmangshëm për çdo shumicë parlamentare, duke garantuar që kërkesat tona të mos jenë thjesht pjesë e marrëveshjeve në letër, por prioritete të patjetërsueshme të agjendës shtetërore”, thotë deputeti Artan Çobi.

“Nëse do të ishim të bashkuar në një klub të vetëm, fuqia jonë negociuese do të ishte më e madhe. Një bllok unik i deputetëve shqiptarë do të shërbente si një faktor kyç dhe i pashmangshëm për çdo shumicë parlamentare, duke garantuar që kërkesat tona të mos jenë thjesht pjesë e marrëveshjeve në letër, por prioritete të patjetërsueshme të agjendës shtetërore”, thotë deputeti Artan Çobi


Ai më tej shprehet se bashkimi i bën faktor, ndërsa ndarja i bën thjesht pjesëmarrës.
“Ne në Forumin Shqiptar e kemi cekur gjithmonë nevojën e bashkëpunimit mes përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend, dhe jo rrallë edhe kemi qenë unikë në shumë qëndrime, por nuk mund të ndikojmë në agjendën politike të subjekteve të tjera dhe mënyrën se si e konceptojnë ata veprimtarinë politike”, thekson Çobi.
Lidhur me koordinimin e deputetëve shqiptarë në përfaqësimin e shqiptarëve, duke qenë pjesë e klubeve të ndryshme parlamentare, Çobi thotë se parimisht koordinimi ekziston, por duhet të kalojë nga një vullnet individual në një strategji të përbashkët.
“Pavarësisht se cilat parti përfaqësojmë apo në cilat klube ulemi fizikisht, ne kemi detyrim moral dhe politik ndaj votuesit shqiptar që të jemi një trup i vetëm kur bëhet fjalë për të drejtat tona vitale, infrastrukturën në zonat tona dhe mbrojtjen e pasurive tona natyrore e kulturore”, thekson ai.
Për Çobin uniteti i veprimit është e vetmja rrugë e cila siguron që zëri i shqiptarëve të mos mbetet një jehonë në korridoret e Kuvendit, por një forcë që ndryshon realitetin.
“Mendoj se ka ardhur koha që sovrani të lirohet nga disa paragjykime lidhur me politikën dhe të marrë në dorë situatën. Gjëja e parë është të kërkojë llogari për votën te përfaqësuesit e vet dhe t’i mbajë ata përgjegjës se si e kanë përdorur besimin e tyre gjatë mandatit. Kjo do të sillte një mënyrë komplet tjetër e veprimit politik të partive shqiptare, e me këtë edhe rezultate më të mira të punës së tyre”, u shpreh deputeti Artan Çobi.
Lidhur me këtë temë, gazeta “Koha javore” i ka dërguar pyetje me shkrim edhe deputetit Mehmed Zenka, por deri në momentin e hyrjes së gazetës në shtyp nuk ka marrë përgjigje prej tij.
Gazetari, publicisti dhe analisti Ali Salaj thekson se klubi i deputetëve nga radhët e pakicës shqiptare çdoherë është formuar mbi nevojën e avancimit, mbrojtjes dhe përfaqësimit të denjë në Kuvendin e Malit të Zi.
“Deputetët shqiptarë me vizionin e vet duhet të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve që komuniteti ballafaqohet ndër vite në shtetin e Malit të Zi. Mirëpo, si pasojë e mosmarrëveshjeve mes partive politike shqiptare deputetët nuk arritën të mblidhen rreth një klubi të përbashkët”, thotë Salaj.
Duke folur nëse ndikon kjo shkapërderdhje në peshën politike dhe ndikimin e përfaqësuesve shqiptarë në proceset vendimmarrëse në Kuvend, Salaj thotë se ky veprim mund të ndikojë negativisht në realizimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve dhe të shkaktojë pengesa në investimet e duhura në rajonet ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi.
“Po ashtu, kjo shkapërderdhje e panevojshme është politikisht e gabuar dhe e dëmshme dhe pa dyshim ndikon për të keq tek elektorati shqiptar në Malin e Zi”, shprehet ai.
Gazetari dhe analisti Mustafa Canka për gazetën “Koha javore” shprehet se ekzistojnë një numër arsyesh se për çfarë do të ishte mirë që deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi të kishin një grup të vetëm parlamentar.
“Kjo do të tregonte për pjekurinë, organizimin e tyre politik dhe do të konfirmonte forcën e tyre. Nga ana tjetër, po flasim për një sistem shumëpartiak. Partitë politike shqiptare morën pjesë në zgjedhjet e fundit në tri kolona dhe luftuan për të njëjtin elektorat. Pra, ato ishin rivale, siç janë dhe në nivelin lokal. Të bashkuara janë vetëm në karriget e Qeverisë, e cila është e dobët dhe joefektive. Prandaj, bashkëpunimi është i nevojshëm dhe i domosdoshëm”, thekson ai.
Në pyetjen se a ndikon kjo shpërndarje në peshën politike dhe ndikimin e përfaqësuesve shqiptarë në proceset vendimmarrëse në Kuvend, Canka thekson se kjo ndikon patjetër.
“Nëse nuk janë tashmë në të njëjtin klub, mendoj se duhet të bashkëpunojnë më ngushtë kur bëhet fjalë për çështje specifike me rëndësi për shqiptarët. Kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme në situatën aktuale politike në Mal të Zi dhe në rajon. Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve duhet të luajë një rol më të madh në këtë drejtim”, shprehet Canka.
T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat