76 për qind egrave të anketuara kanë përjetuardhunë në familje

Hulumtimi me 100 gra nga Ulqini evidenton mungesë informacioni për shërbimet e ndihmës dhe mosbesim në mbrojtjen institucionale. Pas 25 vitesh veprimtari, organizata kërkon mbështetje të rregullt financiare për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve

Rezultatet shqetësuese të një hulumtimi mbi dhunën ndaj grave dhe nevoja për financim të qëndrueshëm të shërbimeve të mbrojtjes ishin në qendër të tryezës së rrumbullakët të organizuar nga SOS Telefoni Ulqin, të premten, më 16 tetor 2026, në kuadër të përmbylljes së projektit “Gra të sigurta – Komunitete të fuqizuara”.
Hulumtimi përfshiu 100 gra nga komuna e Ulqinit, prej të cilave 63 për qind jetojnë në zona rurale. Sipas rezultateve të prezantuara, 76 për qind e të anketuarave deklaruan se gjatë jetës kishin përjetuar ndonjë formë të dhunës në familje, 86 për qind nuk dinin cilat institucione dhe shërbime ofrojnë ndihmë, ndërsa 67 për qind nuk besonin se institucionet do t’u siguronin mbrojtjen e duhur.
Shqetësues është edhe fakti se 43 për qind e grave të anketuara nuk i njohin fyerjet, poshtërimin, kërcënimet dhe kontrollin si forma të dhunës.
Drejtoresha ekzekutive e SOS Telefonit Ulqin, Hatixhe Nelaj, sqaroi se rezultatet pasqyrojnë përvojat e grave të përfshira në hulumtim dhe nuk mund të përgjithësohen për të gjitha gratë e komunës.
“Shumë gra vazhdojnë të heshtin, jo sepse nuk kanë nevojë për ndihmë, por sepse kanë frikë nga pasojat, nuk dinë ku të drejtohen ose nuk besojnë se do të marrin mbrojtjen që u nevojitet”, theksoi ajo.
Frika, turpi, varësia ekonomike dhe mungesa e transportit, veçanërisht për gratë në zonat rurale, u evidentuan si pengesa kryesore për kërkimin e ndihmës. Në tryezë u kërkua koordinim më i mirë ndërmjet policisë, Qendrës për Punë Sociale, institucioneve shëndetësore, gjykatave dhe prokurorisë, si dhe reagim në kohë, vlerësim serioz të rrezikut dhe zbatim të masave mbrojtëse.
Ligjëruesja Bilana Zekoviq nga SOS Telefoni Podgoricë vuri në dukje se dhuna nuk mund të trajtohet si çështje private familjare, por si shkelje e të drejtave të njeriut që kërkon reagimin e institucioneve dhe të shoqërisë.
Një nga kërkesat kryesore ishte sigurimi i financimit të rregullt për shërbimet bazë të SOS Telefonit Ulqin. Nelaj bëri të ditur se kujdestaritë telefonike janë mbuluar vullnetarisht për 25 vjet dhe kërkoi që Komuna e Ulqinit të shqyrtojë mundësinë e një buxheti të posaçëm vjetor për funksionimin e organizatës.
Mbështetja do të mundësonte vazhdimësinë e pranimit të rasteve, këshillimit dhe orientimit të grave, si dhe shoqërimin e tyre pranë institucioneve gjatë procedurave të mbrojtjes.
“Çdo grua që kërkon ndihmë meriton më shumë sesa një premtim. Ajo meriton mbrojtje reale, siguri dhe drejtësi”, përfundoi Nelaj, duke theksuar se ndihma nuk duhet të varet vetëm nga kohëzgjatja e projekteve.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat