Të kujdesemi për mendjen, të dëgjojmë zemrën dhe të mos harrojmë njëri-tjetrin

Një nga momentet më domethënëse ishte paraqitja e pemës simbolike, e zbukuruar me gjethe ku nxënësit kishin shkruar mesazhe të fuqishme për shëndetin mendor. Çdo gjethe përcillte një mendim, një ndjenjë dhe një thirrje për më shumë dashuri, mirësi, respekt e kujdes ndaj njëri-tjetrit. Pema u vizatua nga profesoresha Amanda Dushaj së bashku me nxënësit e saj

Me rastin e Ditës së Shëndetit Mendor, ora e dytë mësimore në shkollën fillore “Bashkimi” në Skorraq të Hotit iu kushtua një teme me rëndësi të veçantë për çdo njeri: shëndetit mendor, mirëqenies emocionale dhe kujdesit për njëri-tjetrin.
Prej disa muajsh, drejtor i shkollës është zgjedhur Luigj Dukaj, i cili udhëheq me përkushtim procesin mësimor dhe aktivitetet shkollore, duke nxitur një mjedis ku nxënësit jo vetëm mësojnë, por edhe rriten, bashkëpunojnë dhe zhvillojnë vlerat njerëzore.
Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik. Të jesh mirë mendërisht do të thotë të ndihesh i dëgjuar, i kuptuar dhe i pranuar. Do të thotë të kesh guxim të flasësh për ndjenjat, të kërkosh ndihmë kur e ke të nevojshme dhe të kuptosh se askush nuk duhet të përballet i vetëm me vështirësitë e jetës.
Ligjëratën e mbajti psikologia nga Malësia, Marina Camaj, e cila përmes bashkëbisedimit me nxënësit i përfshiu ata në diskutime dhe reflektime, duke i ndihmuar të kuptojnë më mirë rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor, respektit, mirëkuptimit dhe mbështetjes së ndërsjellë.
Programin e udhëhoqi me profesionalizëm nxënësja e shkëlqyer e klasës IX, Rina Junçaj, e cila i dha aktivitetit një rrjedhë të bukur dhe një atmosferë të veçantë.
Një nga momentet më domethënëse ishte paraqitja e pemës simbolike, të zbukuruar me gjethe ku nxënësit kishin shkruar mesazhe të fuqishme për shëndetin mendor. Çdo gjethe përcillte një mendim, një ndjenjë dhe një thirrje për më shumë dashuri, mirësi, respekt e kujdes ndaj njëri-tjetrit. Pema u vizatua nga profesoresha Amanda Dushaj së bashku me nxënësit e saj.
Kjo pemë nuk ishte thjesht një punim artistik, por një simbol i gjallë i bashkimit, shpresës dhe solidaritetit. Ashtu siç pema ka nevojë për rrënjë të forta dhe kujdes që të rritet, edhe fëmijët kanë nevojë për dashuri, siguri, mbështetje dhe fjalë të mira që të zhvillohen të shëndetshëm emocionalisht.
Aktiviteti u përgatit nga Parlamenti i Nxënësve, i cili prej shumë vitesh udhëhiqet me përkushtim nga profesoresha e gjuhës angleze, Kristina Lekoçaj. Përmes këtij organizimi u dëshmua edhe një herë rëndësia e përfshirjes së nxënësve në veprimtari që nxisin ndërgjegjësimin, përgjegjësinë dhe ndjeshmërinë ndaj çështjeve që prekin jetën e tyre të përditshme.
Veprimtaria u zhvillua në sallën e shkollës “Bashkimi”, në praninë e drejtorit, stafit pedagogjik dhe nxënësve, duke krijuar një atmosferë bashkëpunimi dhe reflektimi mbi rëndësinë e shëndetit mendor.
Sepse ndonjëherë, pas një buzëqeshjeje fshihet një shqetësim, pas heshtjes një dhimbje, e pas një sjelljeje të pazakontë një thirrje për ndihmë. Prandaj, është e rëndësishme të mësojmë t’i dëgjojmë fëmijët, t’i kuptojmë dhe t’u krijojmë hapësirë të sigurt për të shprehur atë që ndiejnë, pa frikë dhe pa paragjykime.
Shëndeti mendor nuk është temë që duhet kujtuar vetëm në një ditë të caktuar. Ai kërkon vëmendje çdo ditë – në familje, në shkollë dhe në shoqëri. Një fjalë e mirë, një dorë e shtrirë, një dëgjim i sinqertë mund të bëjnë ndryshimin në jetën e dikujt.
Të kujdesemi për shëndetin mendor do të thotë të kujdesemi për njeriun. Sepse çdo fëmijë meriton të rritet me dashuri, të ndihet i sigurt, të dëgjohet dhe të kuptojë se nuk është kurrë vetëm.

Valbona Gojçaj – Gjokaj

Të fundit

më të lexuarat