Koha javore: Si e vlerësoni furnizimin me ujë në komunën e Ulqinit gjatë këtij sezoni veror? A ka qenë më i mirë apo më problematik krahasuar me vitet e mëparshme?
A Zaga: Besojmë se këtë sezon furnizimin me ujë e kemi përballuar në mënyrë shumë të mirë, veçanërisht në zonën urbane të qytetit. Kemi pasur disa problematika në zonat rurale, për të cilat do të flas edhe në vazhdim, por në zonën urbane furnizimi ka qenë në një nivel të kënaqshëm, sidomos duke pasur parasysh kushtet specifike të këtij sezoni. Një rol të rëndësishëm ka pasur edhe bashkëpunimi me Ujësjellësin Rajonal. Kemi bashkëpunuar ngushtë për të siguruar një furnizim sa më të qëndrueshëm për qytetarët dhe turistët.
Koha javore: Cilat kanë qenë problemet kryesore që kanë shkaktuar ndërprerje ose furnizim jo të rregullt me ujë gjatë muajve të verës?
A. Zaga: Problemi kryesor këtë vit ka qenë rënia e kapaciteteve të burimeve ujore, si pasojë e mungesës së reshjeve për disa muaj me radhë. Kemi pasur një situatë hidrologjike jashtëzakonisht të vështirë. Burimet kanë pasur shumë më pak ujë në dispozicion dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që në disa zona kemi pasur furnizim jo të rregullt.
Koha javore: Në fshatin Bore, ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ndikuar në furnizimin me ujë. Sa shpesh ka ndodhur kjo dhe çfarë masash ka marrë ndërmarrja?
A. Zaga: Sa i përket furnizimit me energji elektrike të stacionit të pompave në Lisën-Bore, bëhet fjalë për një linjë të tensionit të lartë nga Katërkolla drejt stacionit të pompave, e cila është realizuar nga Ujësjellësi në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit në vitet e mëparshme.
Për mirëmbajtjen e këtij rrjeti ekziston një bashkëpunim ndërmjet Ujësjellësit dhe ndërmarrjes përgjegjëse për energjinë elektrike, pasi bëhet fjalë për një linjë të tensionit të lartë ku mund të ndërhyjnë vetëm ekipet kompetente.
Këtu nuk bëhet fjalë për fajësime. Defektet janë pjesë e funksionimit të çdo rrjeti. Ajo që është e rëndësishme është që të reagojmë sa më shpejt dhe defekti të riparohet në kohën më të shkurtër të mundshme.
Në përgjithësi, këtë vit nuk kemi pasur një numër të madh të ndërprerjeve të energjisë që kanë ndikuar në furnizimin me ujë. Problematikat kryesore janë paraqitur gjatë periudhës së zjarreve dhe tani, në përfundim të sezonit, për shkak të defekteve të zakonshme që mund të ndodhin në rrjetin elektrik.
Megjithatë, Ujësjellësi po punon në dy drejtime për të krijuar zgjidhje alternative. Në bashkëpunim me Komunën po punohet në një projekt për mundësinë e vendosjes së gjeneratorëve, ndërsa është përgatitur edhe një projekt për vendosjen e paneleve solare.
Koha javore: Si është situata aktualisht në zonat Millë, Krythë, Kllezën dhe vendbanimet përreth?
A. Zaga: Situata në këto zona ka qenë e lidhur kryesisht me një minimum hidrologjik që nuk është parë prej shumë vitesh. Burimet në këtë periudhë kanë pasur shumë pak ujë dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që ka ndikuar në furnizim.
Menjëherë pas përfundimit të plotë të sezonit do të bëjmë një vlerësim të detajuar të gjendjes së krijuar gjatë verës. Do t’i analizojmë të gjitha problematikat dhe do të përcaktojmë ndërhyrjet që janë të nevojshme.
Koha javore: Kur pritet të vihet në funksion rezervuari i Brajshës dhe çfarë ndikimi pritet të ketë në sistemin e furnizimit me ujë?
A. Zaga: Sa i përket rezervuarit të Brajshës, aktualisht kompania “Jedinstvo” është duke zhvilluar punimet për realizimin e këtij projekti, i cili financohet nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me Bankën Gjermane KfW. Punimet dhe realizimi i projektit mbikëqyren nga Komuna e Ulqinit.
Për këtë arsye, për informacionet zyrtare lidhur me afatet e përfundimit të punimeve dhe vënien në funksion të rezervuarit, përgjegjës është sekretariati komunal përkatës.
Nga këndvështrimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit bëhet fjalë për një projekt me rëndësi të veçantë për sistemin e furnizimit me ujë. Presim që, pas përfundimit të punimeve dhe vënies në funksion, rezervuari të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të furnizimit, veçanërisht gjatë periudhave me konsum të shtuar.
Koha javore: Sa janë humbjet e ujit në rrjetin e ujësjellësit të Ulqinit?
A. Zaga: Humbjet e ujit në rrjet janë një problem me të cilin përballet çdo sistem i vjetër i ujësjellësit dhe edhe ne jemi duke punuar vazhdimisht për reduktimin e tyre. Sipas të dhënave që kemi, jemi pothuajse në një mesatare me komunat e tjera në Mal të Zi sa i përket humbjeve në rrjet. Megjithatë, kjo mbetet një nga fushat ku duhet të vazhdojmë të investojmë.
Koha javore: A ka ndërmarrja një sistem të organizuar të furnizimit me cisterna për familjet që mbeten pa ujë?
A. Zaga: Po. Që nga fillimi i sezonit, Ujësjellësi ka organizuar furnizimin me cisterna në zonat ku kemi pasur probleme me furnizimin me ujë. Jemi munduar që në mënyrë të vazhdueshme t’u dalim në ndihmë qytetarëve që kanë raportuar mungesë uji.
Çdo kërkesë që kemi pranuar është trajtuar sipas nevojës dhe mundësive që kemi pasur në terren. Ky sistem i furnizimit me cisterna vazhdon edhe tani.
Koha javore: Cili është plani konkret i ndërmarrjes për përmirësimin e furnizimit me ujë pas përfundimit të sezonit?
A. Zaga: Pas përfundimit të sezonit, prioritet do të jenë të gjitha zonat ku gjatë këtij viti nuk kemi pasur furnizim normal me ujë. Do të bëjmë një analizë të plotë të situatës, do të identifikojmë problemet konkrete në secilën zonë dhe më pas do të përcaktojmë ndërhyrjet që duhet të realizohen.
Ndërmarrja e Ujësjellësit, në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, konkretisht me Sekretariatin për Veprimtari Komunale, është duke punuar edhe në realizimin e disa projekteve të rëndësishme. Përveç projektit për gjeneratorët, po punohet në realizimin e projektit për furnizimin me ujë të fshatrave Rashtishë, Kravar dhe Krruç, ndërsa janë duke përfunduar edhe fazat e realizimit të projektit për fabrikën e ujit të pijshëm.
Të gjitha këto projekte kërkojnë kohën e nevojshme për projektim, përgatitjen e dokumentacionit dhe sigurimin e financimit.
Koha javore: Si është gjendja financiare e ndërmarrjes? A ka borxhe ndaj furnitorëve apo detyrime që ndikojnë në investime dhe në funksionimin e sistemit?
A. Zaga: Sa i përket gjendjes financiare, mund të themi se ndërmarrja është stabile dhe po punojmë që ky stabilitet të ruhet edhe në periudhën e ardhshme.
Njëkohësisht, jemi duke shlyer disa nga detyrimet dhe borxhet e krijuara në periudhat e mëparshme, përfshirë edhe detyrimet për kontribute. Ky proces po zhvillohet në mënyrë të planifikuar, duke ruajtur paralelisht funksionimin e rregullt të ndërmarrjes dhe vazhdimësinë e investimeve në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e sistemit.
Bisedoi: Dafina Teliqi – Rexha
