Koha javore: Znj. Deceviq, cili ka qenë fokusi i angazhimit tuaj si shoqatë gjatë muajve të fundit dhe cilat kanë qenë rezultatet konkrete të punës gjatë kësaj periudhe?
S. Deceviq: Muajt e fundit fokusi ynë ka qenë në ofrimin e shërbimeve të drejtpërdrejta për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, si dhe në përmirësimin e sistemit të mbështetjes përmes avokimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Vetëm gjatë muajve prill dhe maj kemi realizuar rreth 500 sesione individuale, ku janë angazhuar psikologia, logopedia, punonjësja sociale dhe dy asistente personale. Në nivel vjetor kjo përkthehet në afro 2 000 sesione, të gjitha pa pagesë për familjet.
Një tjetër fokus i rëndësishëm është pjesëmarrja jonë në projektin rajonal “Special”, i cili synon të përmirësojë mbështetjen për nxënësit me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor. Përmes hulumtimit me fëmijë, prindër dhe mësimdhënës kemi identifikuar nevojën për më shumë mbështetje individuale, përgatitje për jetë të pavarur dhe mundësi më të mira punësimi pas përfundimit të shkollimit.
Në konferencën e organizuar në prill, në kuadër të projektit “Vizibile, të barabarta dhe të fuqizuara”, u theksua edhe rëndësia e adresimit të sfidave specifike me të cilat përballen vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara.
Koha javore: Nga nismat dhe aktivitetet e realizuara së fundmi, cilat konsideroni se kanë pasur ndikim më të madh te fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre?
S. Deceviq: Ndikimin më të madh e kanë pasur shërbimet individuale profesionale, sepse ato u përgjigjen drejtpërdrejt nevojave të secilit fëmijë. Përmes mbështetjes së psikologes, logopedes, punëtores sociale dhe asistenteve personale, kemi parë përparim në komunikim, socializim, zhvillimin e aftësive dhe rritjen e pavarësisë së fëmijëve.
Po aq i rëndësishëm ka qenë edhe ndikimi te familjet. Prindërit ndihen më të mbështetur, marrin këshillim profesional dhe nuk ndihen të vetëm në përballjen me sfidat e përditshme. Kur mbështetet familja, përfiton edhe vetë fëmija.
Koha javore: Cilat janë disa prej vështirësive më të theksuara me të cilat vazhdojnë të përballen fëmijët me aftësi ndryshe, por edhe familjet e tyre, për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë dhe për t’u përfshirë plotësisht në shoqëri?
S. Deceviq: Edhe pse janë bërë hapa përpara, sfidat mbeten të shumta. Ende mungojnë shërbimet e mjaftueshme dhe të vazhdueshme, sidomos në komunitetet më të vogla siç është komuna e Tuzit. Familjet shpesh përballen me kosto të larta në mungesë të Qendrës ditore. Po ashtu, vërehet mungesa e mbështetjes profesionale dhe ballafaqimi i prindërve me procedura të ndërlikuara administrative.
Një tjetër sfidë është përfshirja reale në arsim dhe në jetën shoqërore. Fëmijët ende hasin barriera fizike, sociale dhe paragjykime, ndërsa pas përfundimit të shkollës mungojnë mundësitë për aftësim profesional dhe punësim.
Koha javore: Duke u bazuar në përvojën tuaj shumëvjeçare në sektorin joqeveritar, sa mendoni se këta fëmijë dhe familjet e tyre kanë sot mbështetjen e nevojshme nga institucionet?
S. Deceviq: Institucionet kanë bërë disa përparime dhe ka më shumë vetëdijesim se më parë, por ende nuk mund të themi se mbështetja është e mjaftueshme. Shumë shërbime vazhdojnë të varen nga projektet e organizatave joqeveritare, ndërsa ato duhen të jenë pjesë e sistemit publik dhe të jenë të qasshme për çdo fëmijë, pavarësisht vendbanimit apo gjendjes ekonomike të familjes.
Ne besojmë se nevojitet bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet institucioneve, komunave dhe organizatave të shoqërisë civile për të krijuar një sistem të qëndrueshëm mbështetjeje.
Koha javore: Pas gjithë këtyre viteve angazhim, cili është mesazhi juaj për institucionet dhe shoqërinë në drejtim të mbështetjes dhe përfshirjes së fëmijëve me aftësi ndryshe?
S. Deceviq: Mesazhi im është që fëmijët me aftësi të kufizuara nuk kanë nevojë për keqardhje, por për mundësi të barabarta. Ata kanë potencial, talente dhe dëshirë për të qenë pjesë aktive e shoqërisë, nëse u krijohen kushtet e duhura. Dhe këto kushte duhet t’i krijojnë të punësuarit në institucionet publike dhe vetëqeverisjen lokale.
Institucionet duhet të investojnë më shumë në shërbime cilësore dhe të qëndrueshme, ndërsa shoqëria duhet të punojë për eliminimin e paragjykimeve dhe krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse.
Në fund të fundit, mënyra se si i trajtojmë fëmijët më të cenueshëm tregon nivelin e zhvillimit dhe humanizmit të shoqërisë sonë.
Bisedoi: Toni Ujkaj
