
Lajmi i hidhur e pikëllues, si furtunë u përhap në trojet shqiptare dhe me gjerë se të enjten, më 23 prill 2026, ka vdekur në Prishtinë, në moshën 90-vjeçare, akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar Rexhep Qosja.
Lajmin e trishtë e kumtoi nipi i tij Valjet Rexhepi, duke shkruar në Facebook se Qosja vdiq dhe u varros të enjten në Prishtinë, në një ceremoni private familjare, duke theksuar se “Me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja, dhe se familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”
Në nderim të jetës së Qosjes, në Kosovë më 24 prill 2026 ishte ditë zie.
Rexhep Qosja u lind më 25 qershor 1936, në fshatin Vuthaj të komunës së Gucisë, ku e kreu ciklin e ulët (I-IV), ndërsa atë të lartin (V-VIII) në Shkollën fillore në Guci, para se të shpërngulej në Kosovë, ku e mbaroi shkollën normale në Prishtinë në vitin 1959, ndërsa në vitin 1964 i përfundoi studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Gjatë viteve 1967-1968 specializoi shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës me temën “Asdreni – jeta dhe vepra e tij”. Pas doktorimit, më 1972 u zgjodh, njëherë bashkëpunëtor i lartë e pastaj këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor joordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku ishte drejtues i studimeve të shkallës së tretë për filologji.
Prej vitit 1972 deri më 1981, Rexhep Qosja ishte drejtor i Institutit Albanologjik.
Akademiku Rexhep Qosja, pa dyshim ishte një nga figurat më të rëndësishme të mendimit shqiptar bashkëkohor, një emër kyç në letërsinë, kritikën dhe debatet publike shqiptare. Shkrimtar, studiues dhe akademik me ndikim të gjerë, duke lënë gjurmë të thella në zhvillimin e kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. U formua si një nga intelektualët më të spikatur të hapësirës shqiptare, duke ndërtuar një karrierë të gjatë në fushën e studimeve letrare dhe publicistike.
Veprimtaria e Rexhep Qosjes u shtri në disa fusha, duke përfshirë kritikën letrare, studimet shkencore, romanin dhe esenë. Ai është autor i një sërë veprash që kanë ndikuar në mënyrën si lexohet dhe interpretohet letërsia shqipe. Ndër veprat më njohura të tij përmendet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, si dhe studime të shumta mbi historinë e letërsisë dhe figurat kryesore të saj.
Në punën e tij shkencore, Qosja është marrë gjerësisht me analizën mbi autorë të rëndësishëm si Naim Frashëri dhe Ismail Kadare, duke kontribuuar në thellimin e kritikës letrare shqiptare.
Përveç veprimtarisë akademike, Rexhep Qosja është njohur edhe si një nga zërat më të fuqishëm dhe shpesh polemik në debatet publike shqiptare. Ai ka trajtuar çështje që lidhen me identitetin kombëtar, historinë, kulturën dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri. Qëndrimet e tij kanë nxitur diskutime të gjera në opinionin publik, duke e vendosur shpesh në qendër të polemikave intelektuale.
Siç u tha edhe më lart, Qosja ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës dhe një figurë e rëndësishme në jetën akademike në Kosovë. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku ka kontribuuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe studimeve albanologjike. Në dekada, ai është shquar si një nga studiuesit më të rëndësishëm të historisë së letërsisë shqipe dhe kritikës moderne.
Në karrierën e vet krijuese e vepruese, Rexhep Qosja ka qenë i ngarkuar me shumë detyra e funksione të rëndësishme në lëmi dhe fusha të shumënumërta. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e Re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i kryesisë së këtij delegacioni. Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës, në kohën kur kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.
Rexhep Qosja mbetet një figurë qendrore e botës akademike dhe kulturore shqiptare, një intelektual që ka shoqëruar për dekada zhvillimet e shoqërisë shqiptare me mendimin dhe analizën e tij kritike. Në një kohë kur debati publik shpesh dominohet nga zërat e momentit, trashëgimia e tij qëndron si një pikë referimi për reflektim të thellë dhe qasje intelektuale ndaj realitetit shqiptar.
Rexhep Qosja në veprimtarinë e vet të bujshme dhe të begatë letrare është marrë edhe me prozë: tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë. Veprat “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Dramat e tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra të ish-Jugosllavisë dhe në Evropë. Shkrimet e tij publicistike, të botuara në shtypin kroat e slloven kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve, duke filluar nga viti 1981, shënojnë fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë. Veprat dhe analizat e tij vazhdojnë të jenë referencë për studiues, studentë dhe lexues të interesuar për letërsinë dhe identitetin shqiptar.
Rexhep Qosja ishte i angazhuar edhe në jetën politike. Ai politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambuje në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqje nga kryesia e LDB-së, pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.
Gjatë karrierës së tij, Rexhep Qosja ka marrë vlerësime dhe çmime të ndryshme për kontributin në kulturën dhe shkencën shqiptare. Por mbi të gjitha, ai konsiderohet si një nga intelektualët që ka ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e mendimit kritik shqiptar.
Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër e Tepelenë.
Edhe pse nuk u varrose në varrezat e vendlindjes të cilën e deshe, e çmove dhe e respektove shumë, ku i kalove pushimet verore, pusho i qetë në shtëpinë e përmotshme në Prishtinë, ku e kalove por edhe ia kushtove pjesën më të madhe të jetës dhe punës, misionar i nderuar, akademik Rexhep Qosja!
