Prioritet për qytetin tonë

Në këto rrethana, kur objekti ekzistues është i amortizuar, ishte më se e nevojshme të fillojë ndërtimi i një objekti të ri me hapësira dhe kushte më të mira, për punë dhe qëndrim të fëmijëve. Por edhe objekti i ri është planifikuar vetëm për 125 fëmijë! Kopshti i ri do ta zbusë pak mungesën e hapësirave, por kapaciteti i paraparë nuk do të lejojë përfshirjen e të gjithë fëmijëve të vendosur për momentin nëpër shtëpi private

Lumnije Bisha

Dita e Ulqinit u kremtua me investime të reja në infrastrukturën shkollore, vizion dhe shpresë për një të ardhme më të ndritur. Kështu, më 2 prill 2026 në Kollomzë u vendos gurthemeli i objektit të ri për fëmijët e Qendrës Ditore “Sirena”. Ndërkaq, më 9 prill 2026 në Fushën e Ulqinit, kryetari i Komunës Genci Nimanbegu së bashku me ministren e Punëve Publike, Majda Axhoviq, ministren e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit Angjella Jakshiq – Stojanoviq dhe ministrin e Financave Novica Vukoviq vendosën gurthemelin për ndërtimin e kopshtit të ri.
Një investim i tillë është pritur për vite me radhë. Janë dashur të kalojnë plot 47 vite që në Ulqin të fillojë ndërtimi i një kopshti të ri për fëmijët parashkollorë.
Godina e kopshtit ekzistues është e tipit montazh, donacion nga shteti austriak për fëmijët e Ulqinit me rastin e tërmetit të vitit 1979. Ajo funksionon për qëndrim gjysmëditor dhe ka kapacitet vetëm për 120 fëmijë, ndërkohë që numri i fëmijëve të regjistruar këtë vit në Institucionin Publik Parashkollor “Solidariteti” është mbi 500 fëmijë. Mungesa e hapësirave bëri të pamundur regjistrimin në kopsht të të gjithë fëmijëve të interesuar. Prandaj ishim të detyruar që disa grupe të fëmijëve të mësojnë në shtëpi private të marra me qira, me kushte minimale për punë.
Në këto rrethana, kur objekti ekzistues është i amortizuar, ishte më se e nevojshme të fillojë ndërtimi i një objekti të ri me hapësira dhe kushte më të mira, për punë dhe qëndrim të fëmijëve.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit shpalli tenderin për ndërtimin e objektit të ri, ku do të rritet numri i përfshirjes së fëmijëve me rritjen e hapësirave dhe krijimin e kushteve optimale për punë.
Populli thotë “Më mirë vonë se kurrë! Shpresa vdes e fundit!”
Por edhe objekti i ri është planifikuar vetëm për 125 fëmijë! Kopshti i ri do ta zbusë pak mungesën e hapësirave, por kapaciteti i paraparë nuk do të lejojë përfshirjen e të gjithë fëmijëve të vendosur për momentin nëpër shtëpi private. Megjithatë, le të shpresojmë që projekti i filluar të përfundojë në afatin e paraparë, në muajin tetor të vitit të ardhshëm.
Investimi në institucione parashkollore, shkolla dhe arsim është investim në të ardhmen e shoqërisë dhe brezave të rinj. Institucionet parashkollore luajnë një rol kyç në zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Në këto institucione fëmijët mësojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, t’i ndajnë lodrat dhe hapësirën, të shprehin emocionet, zhvillojnë gjuhën, komunikimin, kreativitetin, të menduarin logjik…
Objektet parashkollore ofrojnë një mjedis të sigurt dhe edukativ për fëmijë, prindërve mbështetje në rritjen e sigurt të fëmijëve. Prandaj le të jetë ky një fillim i mbarë për të gjithë ne.
Punimet në këto objekte dëshirojmë të ecin mbarë, të bëhet punë cilësore dhe të përfundojnë brenda afatit të caktuar kohor. Po ashtu që inaugurimi i këtyre dy objekteve të hapë rrugë për investime të reja në objekte shkollore, salla, pishina, fusha sportive, kënde për lojëra në çdo cep të Ulqinit, sepse fëmijët tanë e meritojnë.
Me dashuri, përkujdesje, edukim dhe mbështetje institucionale të rrisim fëmijë të lumtur!

(Autorja është edukatore në IPP “Solidariteti” – Ulqin)

Të fundit

më të lexuarat