Ulqini, burim i pashtershëmfrymëzimi për artistët shqiptarë

Gjatë pesë ditëve të zhvillimit të saj, 45 piktorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora sollën në telajo bukuritë e natyrës, peizazhet karakteristike, veshjet popullore, traditat dhe elementet e veçanta të qytetit të Ulqinit. Rreth 100 punime artistike u realizuan dhe u paraqitën në kuadër të këtij edicioni, duke dëshmuar edhe një herë se Ulqini mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi për krijuesit

Ulqini mirëpriti nga data 8 deri më 12 tetor 2026 edicionin e dhjetë të Kolonisë së Piktorëve “Ulqini në telajo”, një aktivitet tashmë tradicional që bashkon artistë nga të gjitha trevat shqiptare dhe përmes artit pamor promovon trashëgiminë kulturore, peizazhet dhe identitetin e kësaj treve.
Kolonia u organizua nga Instituti i Librit dhe i Promocionit – Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Organizatës Turistike të Ulqinit dhe Komunës së Ulqinit.
Gjatë pesë ditëve të zhvillimit të saj, 45 piktorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora sollën në telajo bukuritë e natyrës, peizazhet karakteristike, veshjet popullore, traditat dhe elementet e veçanta të qytetit të Ulqinit. Rreth 100 punime artistike u realizuan dhe u paraqitën në kuadër të këtij edicioni, duke dëshmuar edhe një herë se Ulqini mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi për krijuesit.
Aktiviteti përmbyllës u kurorëzua me ekspozitën e punimeve të realizuara gjatë kolonisë, ku artistët dhe të pranishmit patën mundësinë të shijonin nga afër larminë e krijimeve dhe këndvështrimet e ndryshme artistike për Ulqinin. Në ceremoninë përmbyllëse u mbajtën edhe fjalë përshëndetëse nga organizatorët dhe përfaqësuesit e artistëve pjesëmarrës.
Njëri ndër ideatorët dhe themeluesit e kolonisë së piktorëve në Ulqin, Fatmir Toçi theksoi në fjalën përshëndetëse se Instituti i Librit dhe i Promocionit arriti të organizojë edicionin e dhjetë të kësaj kolonie.
“Është një dëshirë e përhershme e piktorëve që, kur bëhen programet vjetore në fundvit për vitin e ardhshëm, gjithmonë pyetja është: ‘Kur e kemi Ulqinin?’ Kjo tregon që Ulqini është gjithmonë një burim i pashtershëm frymëzimi për njerëzit e artit, jo vetëm të pikturës, por për të gjitha llojet e artit”, u shpreh ai.
Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, në fjalën e saj përshëndetëse e cilësoi ceremoninë përmbyllëse si një nga më të bukurat e realizuara ndër vite.
“Ja ku i erdhi fundi edhe Kolonisë së dhjetë ‘Ulqini 2026’, por në fakt është një nga ceremonitë më të bukura që kemi realizuar, pikërisht në mjediset e Hotelit ‘Llolla’ në Ulqin. Falënderoj 45 artistët, një nga një, që morët pjesë në këtë koloni dhe ju përgëzoj për punët jashtëzakonisht të bukura që keni ekspozuar sot dhe që do t’i shijojmë të gjithë së bashku. Ju falënderoj, sepse jeni bërë pjesë e Institutit të Librit dhe Promocionit gjatë gjithë këtyre viteve, që prej vitit 2014 e këtej, dhe na keni ndjekur në çdo lidhje që kemi bërë së bashku me vendet më të bukura ku banojnë shqiptarët”, tha ajo.
Sipas Toçit, Ulqini zë një vend të veçantë, në radhë të parë në zemrat tona, por edhe në punimet e artistëve.
“E di që gjatë këtyre dhjetë viteve janë prodhuar mbi 1000 piktura, mbi 1000 tablo që tregojnë apo kanë rikrijuar pjesë të veçanta të Ulqinit dhe bukurive të tij. Ju jam mirënjohëse për këtë, unë dhe i gjithë Ulqini, bashkë me banorët e tij”, nënvizoi ajo.
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, përshëndeti artistët pjesëmarrës dhe organizatorët, duke vlerësuar vazhdimësinë e këtij aktiviteti dhe rëndësinë e tij për jetën kulturore të Ulqinit dhe të komunitetit shqiptar.
“E kemi filluar me Fatmirin dhe Irenën dhe arritëm në vitin e dhjetë. Vitet kalojnë shpejt dhe me rëndësi është që ne të vazhdojmë. Është një organizim shumë interesant, jo me vlerë materiale, por me vlerë artistike dhe kulturore. Janë vlera të cilat mbeten të pavdekshme. Unë i falënderoj shumë Irenën dhe Fatmirin për gjithë këtë organizim dhe vullnet që kanë për të vazhduar këtë aktivitet këtu në qytetin e Ulqinit, ku shqiptarët janë të pranishëm nga të gjitha trevat. Uroj që të keni kaluar ditë të bukura. Këtë aktivitet do ta vazhdojmë me përkrahjen tonë dhe të të gjitha institucioneve të tjera që kanë kontribuuar në realizimin e tij”, theksoi ai.

Artistët vlerësojnë traditën, bashkëpunimin dhe miqësinë e krijuar ndër vite
Në emër të piktorëve pjesëmarrës nga Kosova, Veli Blakçori falënderoi nikoqirët, organizatorët, pjesëmarrësit dhe vizitorët për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e aktivitetit, duke vënë në pah atmosferën kolegjiale që e karakterizoi koloninë.
Ndërsa Agron Polovina, në emër të piktorëve pjesëmarrës nga Shqipëria, vlerësoi kontributin e Institutit të Librit dhe Promocionit në zhvillimin e arteve pamore, ruajtjen e traditës dhe promovimin e bukurive natyrore e kulturore shqiptare.
“Falënderojmë Institutin e Librit dhe Promocionit, të cilët tashmë janë një nga institucionet më të rëndësishme që mbështesin dhe kontribuojnë veçanërisht në zhvillimin e arteve vizive në rajon, me rreth 110 koloni të realizuara. Është një kontribut i jashtëzakonshëm, që i përket jo vetëm zhvillimit të arteve vizive në përgjithësi, por edhe ruajtjes dhe zhvillimit të traditës. Është edhe një mënyrë e veçantë që kanë zgjedhur për promovimin e natyrës së bukur shqiptare, por edhe të traditës dhe historisë, nëpërmjet arteve vizive. Artistët kanë qenë krijues dhe kjo koloni na krijon edhe miqësi të reja, përmes shkëmbimit të përvojave dhe nisjes së bashkëpunimeve të reja”, u shpreh ai.
Në emër të piktorëve nga Mali i Zi, Agron Ujkashi nënvizoi se kjo është një ndër kolonitë më të mëdha që mbahen në trojet shqiptare.
“Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë koloni tradicionale. Falënderoj artistët të cilët në tablotë e tyre pasqyrojnë bukuritë e qytetit tonë”, u shpreh ai.
Përmes telajove të tyre, piktorët rikrijuan Ulqinin në dimensionet e tij më të bukura, duke ndërthurur natyrën me trashëgiminë, traditën me bashkëkohësinë dhe kujtesën me përjetimin artistik. Veshjet popullore, peizazhet, bregdeti dhe veçoritë e jetës së kësaj treve u shndërruan në motive që pasqyrojnë jo vetëm bukurinë e qytetit, por edhe identitetin e tij kulturor.
Në mesin e 45 piktorëve, pjesë e edicionit të dhjetë të kolonisë ishin edhe disa piktorë shqiptarë nga Mali i Zi: Agron Ujkashi, Artan Kurti, Fadile Kajoshaj, Mevlida Salaj etj.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat