Tri partitë politike shqiptare në Tuz – Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar – zyrtarizuan marrëveshjen për unifikimin politik në një subjekt të përbashkët, Forumin Shqiptar, gjatë kuvendit të mbajtur në Tuz, më 31 tetor 2026.
Në këtë kuvend, të cilin Forumi Shqiptar e quajti Kuvendi i Bashkimit, u bë edhe zgjedhja e strukturave drejtuese të këtij subjekti politik. Kështu, kryetar i Forumit Shqiptar u zgjodh Nik Gjeloshaj, nënkryetar i parë Ivan Ivanaj, nënkryetar i dytë Artan Çobi, kurse Ferhat Dinosha u zgjodh kryetar nderi.
Kryetari i sapoemëruar i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, në një postim në rrjetin social Fejsbuk, është shprehur se rrugëtimi i tyre nuk ka qenë as i lehtë, as i shkurtër.
“Ka pasur sakrifica, vendime të vështira e sfida të shumta, por kurrë nuk kemi hequr dorë nga ajo që kemi besuar. Arritëm ta bëjmë Tuzin komunë më vete, ta fuqizojmë zërin politik të shqiptarëve dhe të fitojmë të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen tonë”, ka thënë ai.
Gjeloshaj ka shtuar se “sot u bë realitet edhe ideali im më i madh politik. Pas themelimit të Komunës së Tuzit dhe ngritjes së përmendores së Skënderbeut në Tuz, sot u përmbush edhe një tjetër synim madhor: bashkimi i politikës shqiptare”.
Për Gjeloshajn, kjo është shumë më tepër se një arritje politike, është përmbushja e një ëndrre së cilës i ka kushtuar vite të jetës.
“Mirënjohje të veçantë kam për diasporën tonë, e cila ishte ndër themeluesit e Forumit.
Faleminderit bashkëpunëtorëve të mi, familjes sime dhe të gjithë atyre që besuan në ne edhe në ditët më të vështira. Pa ta, nuk do t’i kishim arritur fitoret tona”, thekson Gjeloshaj.
Bashkimi ynë, shton ai, nuk është kërcënim për askënd, por garanci për shqiptarë më të fuqishëm dhe për një Mal të Zi më të drejtë e më evropian.
“Nuk dua që gjeneratat tona të mbahen mend për postet që kemi pasur, por për të drejtat që kemi fituar, veprat që kemi lënë pas dhe ndarjet që kemi kapërcyer”, shprehet Gjeloshaj.
Në këtë kuvend janë zgjedhur edhe organet drejtuese të subjektit të ri politik, si dhe janë miratuar dokumentet programore të tij.
(Kohapress)
