Plazhi i Vogël dhe ujërat e detit të Ulqinit ishin të shtunën (24 tetor 2026) mikpritësit e manifestimit të njohur sportiv, rekreativ dhe gastrokulturor “Lignjada”. Kjo ngjarje e veçantë mblodhi një numër të madh adhuruesish të detit, peshkimit dhe traditës bregdetare, duke sjellë energji të reja dhe festë për të gjithë pjesëmarrësit.
Gara, e cila filloi në orën 15:00 dhe zgjati deri në orën 19:00, u zhvillua në një atmosferë të shkëlqyer festive. Në këtë edicion të tretë morën pjesë gjithsej 24 ekipe – 18 prej të cilave peshkuan nga barkat, ndërsa 6 të tjera nga bregu. Përveç peshkatarëve vendas nga Ulqini, manifestimi pati edhe karakter rajonal, pasi mblodhi dashamirës të peshkimit edhe nga Tivari, Petrovaci e Tivari.
Ideatori dhe organizatori kryesor i këtij manifestimi, Zoran Doçiq – Zoki, i lindur dhe i rritur në Ranë, shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen masive dhe për faktin se kjo ngjarje vazhdon të ruajë frymën e miqësisë dhe lidhjen e ngushtë me detin.
Nga ana tjetër, një nga organizatorët e këtij aktiviteti, Stefan Rabrenoviq, vuri në dukje rëndësinë e veçantë që pati pjesëmarrja e moshave të reja.
“Në garë morën pjesë 4-5 djem të rinj, rreth moshës dhjetëvjeçare. Entuziazmi dhe shkëlqimi në sytë e tyre na japin shpresë se brezat e ardhshëm do të vazhdojnë ta duan detin dhe të ruajnë me krenari këtë traditë tonën”, u shpreh ai.
Të gjithë garuesit më të rinj u shpërblyen për përkushtimin e tyre, ndërsa dhuratat dhe pajisjet sportive për ta u siguruan nga një dyqan special i peshkimit. Ndër pjesëmarrësit më të rinj u dalluan Rade Knezheviq, Lluka Knezheviq, Matija Rabrenoviq, Matija Zhivanoviq, Vasilije Bevenja, Filip Bevenja e të tjerë.
Megjithëse kushtet atmosferike dhe deti nxorën sfida për peshkatarët, zënia e kallamarëve ishte e kënaqshme. Pas përfundimit të garës dhe matjes zyrtare të peshës së peshkut, në orën 19:30, u shpallën edhe fituesit kryesorë:
Vendi I: Ekipi “Tornado” (Rasim, Muhamed, Sajo) me një peshë totale prej 1.820 gramësh.
Vendi II: Ekipi “Kvin” (Donat, Admir) me peshë totale 1.184 gramë.
Vendi III: Ekipi “Nautika” (Egzon, Enarit) me peshë totale 664 gramë.
Çmimi special për kallamarin më të madh të zënë i takoi Zoran Mlladenoviqit (ekipi “Samostalni”), i cili zuri një ekzemplar me peshë prej 324 gramësh.
Pas pjesës zyrtare dhe ndarjes së çmimeve, aktiviteti u shndërrua në një festë të vërtetë popullore në breg të detit. Të gjithë të pranishmit patën mundësinë të shijojnë kallamarë të skuqur, të përgatitur me mjeshtëri, shoqëruar me birrë të ftohtë dhe tingujt e ngrohtë të muzikës qytetare mediterane nga kllapa e mirënjohur “Assa Voce”.
Organizatorët shprehën falënderime të veçanta për të gjithë sponsorët dhe mbështetësit e kësaj mbrëmjeje, përfshirë Organizatën Turistike të Ulqinit, Komunën e Ulqinit, Hotelin “Otrant”, Hotelin “Plaza”, Caffe Bar “Avenue”, Caffe Bar “Buongiorno”, CD Shop “Loud”, Restorantin “Mishko”, kompaninë “Ledo” dhe Birrën e Podgoricës.
Eliana Peku
