Organizata komunale “Kryqi i Kuq” në Tuz organizoi një aktivitet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese “Tetori Rozë”, duke u mundësuar disa grave kryerjen falas të ekografisë së gjirit.
Sanella Dreshaj nga kjo organizatë shprehet për “Koha javore” se ky aktivitet ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit të gruas.
“Përmes mundësimit të ekografive falas, dëshirojmë t’i mbështesim gratë dhe t’i inkurajojmë që t’i kushtojnë më shumë rëndësi vizitave mjekësore të rregullta, pasi zbulimi i hershëm i karcinomës së gjirit mund të shpëtojë jetë”, thotë ajo.
E pyetur se cilat janë pengesat kryesore që i bëjnë gratë të ngurrojnë të kryejnë kontrolle të gjirit dhe si mund të ndihmojnë nisma të tilla për t’i kapërcyer ato, Dreshaj thekson se ndër pengesat kryesore janë frika, mungesa e informacionit dhe vështirësitë financiare.
“Përmes nismave të tilla, synojmë t’ua lehtësojmë grave qasjen në kontrolle dhe t’u tregojmë se nuk janë vetëm, por kanë mbështetjen tonë”, thotë Dreshaj.
Gjatë kësaj bisede, ajo përcjell mesazhin e saj për gratë dhe vajzat, duke theksuar rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit të gjirit.
“Mesazhi ynë është që të mos e lënë pas dore shëndetin e tyre. I inkurajojmë të kujdesen për veten, të kryejnë kontrolle të rregullta dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë. Kujdesi për veten është dashuri për jetën”, porosit Sanella Dreshaj nga Organizata komunale “Kryqi i Kuq” në Tuz.
E pyetur nëse kjo organizatë synon që nisma të tilla të organizohen edhe në të ardhmen, Dreshaj shprehet se dëshira e tyre është që aktivitete të tilla të vazhdojnë, në përputhje me mundësitë që kanë.
Ajo thotë se ndërgjegjësimi dhe solidariteti nuk duhet të kufizohen vetëm në muajin tetor, “por të jenë pjesë e angazhimit tonë gjatë gjithë vitit”.
Fushata ndërgjegjësuese e ‘Tetorit Rozë’ organizohet çdo vit me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimin e hershëm të sëmundjes, si dhe për t’i inkurajuar gratë që të kujdesen për shëndetin e tyre.
t. u.
