Në kabinetin e kryetarit të Komunës së Ulqinit është nënshkruar Memorandumi i bashkëpunimit dhe mbështetjes financiare ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe Bashkësisë Islame të Ulqinit, përmes të cilit sigurohen mjetet për blerjen e tokës që do të shërbejë për zgjerimin e varrezave islame ”Sallaku” në lagjen Pinjesh.
Memorandumin e kanë nënshkruar kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe kryetari i Mexhlisit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, Blerim Bajraktari.
Sipas marrëveshjes, vlera e përgjithshme e blerjes së tokës është 101.250,00 euro, shumë të cilën Komuna e Ulqinit do ta mbulojë në tërësi. Pagesa do të realizohet në dy këste, në përputhje me dinamikën e marrëveshjes dhe procedurat ligjore e buxhetore.
Zgjerimi i hapësirës pranë varrezave ekzistuese në Pinjesh pritet të krijojë rreth 600 vende të reja për varrim. Sipas kryetarit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, Blerim Bajraktari, kjo hapësirë do të mundësojë përmbushjen e nevojave të besimtarëve myslimanë për një periudhë prej 10 deri në 15 vjet.
Mungesa e hapësirave në varrezat ekzistuese ka qenë prej kohësh një shqetësim për komunitetin lokal, ndërsa ky investim synon të sigurojë një zgjidhje afatgjatë për këtë çështje.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, pas nënshkrimit të memorandumit, u shpreh se vendimi për mbështetjen financiare është marrë pas kërkesës së Bashkësisë Islame, të paraqitur gjatë kësaj vere.
”Sot kemi nënshkruar Memorandumin ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe Mexhlisit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, përmes të cilit do ta ndihmojmë Bashkësinë Islame në blerjen e hapësirës për zgjerimin e varrezave. Pas kërkesës së tyre, të cilën e kanë paraqitur gjatë kësaj vere, si Komunë kemi marrë vendim pozitiv. Besoj se ky është një hap i rëndësishëm që do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të kenë kushte më të mira. Një problem që lidhet me mungesën e vendeve për varrim do të marrë kështu zgjidhje për disa vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për një marrëveshje përmes së cilës Komuna e Ulqinit do ta mbështesë Bashkësinë Islame me një shumë prej rreth 100 mijë eurosh”, deklaroi Nimanbegu.
Me këtë marrëveshje, Komuna e Ulqinit dhe Bashkësia Islame synojnë të krijojnë kushte më të përshtatshme për kryerjen me dinjitet të riteve fetare dhe ceremonive mortore, duke adresuar një nevojë konkrete të qytetarëve.
Dafina Teliqi – Rexha
