
Ndoshta do të ketë lexues që, sapo të shohin titullin e këtij shkrimi, do të mendojnë se bëhet fjalë për një retorikë të zakonshme, për fjalë që janë thënë e përsëritur shumë herë për korrupsionin. Por, pavarësisht se sa shpesh flasim për këtë plagë të shoqërisë, e vërteta mbetet e njëjtë: nëse nuk e marrim seriozisht dhe nuk e luftojmë secili në mënyrën e vet, herët a vonë, faturën e pasojave do ta paguajmë të gjithë. Sepse korrupsioni nuk e dëmton vetëm shtetin apo ekonominë, por prek jetën e përditshme të qytetarëve, shpresat e të rinjve dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Prandaj, kjo nuk duhet të mbetet vetëm një temë për të cilën flasim, por një problem që kërkon ndërgjegjësim dhe përgjegjësi nga secili prej nesh.
Kur flasim për korrupsionin, duhet të kuptojmë se ai nuk është një dukuri e re. Ky fenomen i ka shoqëruar shoqëritë njerëzore që nga lashtësia dhe ka lënë pasoja të rënda në shtete e qytetërime të ndryshme, që i ka çuar në shkatërrim. Prandaj, vështrimi nga historia na ndihmon të kuptojmë se çfarë ndodh kur korrupsioni depërton në institucionet e shtetit dhe bëhet pjesë e sistemit.
Po cilat kanë qenë shenjat e korrupsionit në të kaluarën?
Një nga shembujt më domethënës është Perandoria Romake. Edhe pse ishte një nga fuqitë më të mëdha të historisë për shumë shekuj, korrupsioni kontribuoi në dobësimin e institucioneve të saj. Ryshfeti në administratë, blerja e votave, pasurimi i paligjshëm i zyrtarëve, shpërdorimi i fondeve publike dhe rritja e pabarazisë ekonomike dëmtuan besimin e qytetarëve te shteti dhe e dobësuan atë nga brenda.
Një shembull tjetër është Perandoria Osmane, e cila sundoi për pesë shekuj në trojet tona dhe më gjerë. Në periudhën e fundit të ekzistencës së saj, korrupsioni u përhap në administratë dhe në strukturat shtetërore. Shitja e posteve publike, ryshfeti, nepotizmi, keqmenaxhimi i burimeve shtetërore dhe taksat e larta që rëndonin mbi popullin e dobësuan efikasitetin e institucioneve dhe shtuan pakënaqësinë ndaj pushtetit.
Natyrisht, rënia e këtyre perandorive u ndikua edhe nga faktorë të tjerë politikë, ekonomikë dhe ushtarakë. Megjithatë, historia na mëson se korrupsioni, kur bëhet pjesë e sistemit, i dëmton institucionet, thellon pabarazinë dhe dobëson themelet e shtetit.
Fatkeqësisht, korrupsioni nuk i përket vetëm së kaluarës. Edhe sot, në shumë shtete të botës, ai ka marrë hov të madh dhe, ajo që është edhe më shqetësuese, shpesh shfaqet hapur, sikur të jetë bërë një dukuri normale e jetës politike dhe shoqërore. Po shohim pakënaqësi gjithnjë e më të mëdha te qytetarët, veçanërisht te të rinjtë e shumë vendeve në botë, të cilët po e humbin besimin tek institucionet dhe te mundësitë për të ndërtuar një të ardhme të drejtë në vendin e tyre.
Kur të rinjtë shohin se në vendin e tyre shpesh përparojnë ata që kanë para, lidhje dhe mbështetje politike, ata e humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje. Kjo sjell zhgënjim, pakënaqësi dhe, për shumë prej tyre, vendimin për t’u larguar nga vendi. Ky duhet të jetë një alarm për çdo shtet, sepse kur të rinjtë humbin besimin te drejtësia dhe te mundësitë për një jetë më të mirë, rrezikohet jo vetëm e ardhmja e tyre, por edhe e gjithë shoqërisë.
Pasojat e korrupsionit janë të rënda. Sepse paratë që duhet të shërbejnë për ndërtimin e shkollave, spitaleve e rrugëve, si dhe për krijimin e vendeve të punës, përfundojnë në xhepat e pushtetarëve të korruptuar. Si pasojë, rritet papunësia, përhapet varfëria dhe ngadalësohet zhvillimi i vendit.
Korrupsioni dëmton edhe drejtësinë dhe besimin tek institucionet. Kur ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, krijohet një ndjenjë padrejtësie dhe pasigurie. Shenjat e korrupsionit mund të dallohen në jetën e përditshme: pasurimi i pajustifikuar i zyrtarëve dhe i individëve të tjerë, punësimet pa meritë, ryshfetet për shërbime publike, mungesa e transparencës dhe vendimet e padrejta. Përballë kësaj gjendjeje, rol të rëndësishëm duhet të luajnë mediet e pavarura, institucionet e drejtësisë dhe vetë qytetarët.
Lufta kundër korrupsionit kërkon ligje të forta, institucione të pavarura dhe zbatim të paanshëm të ligjit. Po aq i rëndësishëm është edukimi i brezave të rinj me vlera si ndershmëria, përgjegjësia dhe respekti për ligjin. Qytetarët duhet të raportojnë rastet e korrupsionit dhe të refuzojnë të bëhen pjesë e tij. Por mbi të gjitha, ata që mbajnë përgjegjësi publike duhet të japin shembull me veprimet e tyre dhe të mos qëndrojnë mbi ligjin.
Në përfundim, korrupsioni është një plagë kancerogjene që e shkatërron shtetin, dëmton ekonominë dhe cenon mirëqenien e shoqërisë. Prandaj, lufta kundër tij nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë, por duhet të shndërrohet në përgjegjësi dhe veprim konkret. Vetëm përmes ndershmërisë, drejtësisë, transparencës dhe përgjegjësisë mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe një shtet më të fortë për brezat që do të vijnë.
