Më 30 tetor 2026, shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Triesh pati kënaqësinë të mirëpresë përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të një nisme të rëndësishme që synon mbështetjen e arsimit shqip dhe pasurimin e bibliotekave të shkollave fillore.
Ky donacion përbën një kontribut të vlefshëm për pasurimin e fondit bibliotekar dhe krijimin e mundësive më të mira për nxënësit që të kenë qasje në literaturë të përshtatshme, duke nxitur interesimin për librin, leximin dhe zhvillimin e kulturës së të lexuarit.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore. Stafi pedagogjik i shkollës e priti delegacionin nga Ambasada e Shqipërisë, në krye me znj. Meri Shehu. Nxënësit dhe stafi i shkollës u kujdesën që mysafirët t’i prisnin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i mirëpritur me veshje kombëtare shqiptare dhe me ushqime tradicionale, të cilat pasqyronin mikpritjen, traditën dhe vlerat kulturore të kësaj treve. Kjo pritje ishte një dëshmi e bukur e lidhjes së brezave të rinj me kulturën, zakonet dhe identitetin tonë kombëtar.
Gjatë këtij takimi, shkolla shprehu mirënjohje të sinqertë për këtë nismë dhe për përkrahjen e treguar ndaj këtij institucionit arsimor. Në shenjë falënderimi dhe respekti, shkolla u dorëzoi mysafirëve një fletëfalënderim, përmes të cilit shprehu vlerësimin për këtë kontribut dhe për kujdesin e treguar ndaj nxënësve dhe shkollës.
Përtej vlerës materiale, ky donacion mbart një rëndësi të veçantë arsimore dhe kulturore. Libri mbetet një nga mjetet më të rëndësishme në formimin intelektual dhe shpirtëror të fëmijëve, ndërsa biblioteka shkollore është një hapësirë ku kultivohet dija, zhvillohet imagjinata dhe forcohet dashuria për gjuhën dhe kulturën tonë.
Shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Triesh shpreh falënderimet më të përzemërta për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë, për këtë nismë dhe mbështetje të vazhdueshme. Gjeste të tilla janë dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit institucional dhe e përkushtimit të përbashkët për të ardhmen e brezave të rinj.
Donika Lulgjuraj
