Në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin u bë përurimi i dynumërshit 19-20 (2025/2026) të revistës vjetore për shkencë, art dhe kulturë “Dija”, botim i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi. Ky aktivitet mblodhi krijues, studiues, gazetarë dhe dashamirës të librit.
Veprimtarinë e drejtoi udhëheqësja e Bibliotekës, Ardita Rama, e cila në fjalën përshëndetëse theksoi rëndësinë e bibliotekës si institucion i dijes, kujtesës dhe komunikimit kulturor. “Biblioteka nuk është vetëm një institucion ku ruhen dhe lexohen libra. Ajo është një vatër e dijes, një hapësirë e dialogut kulturor dhe një pikëtakim mes brezave, ideve dhe përvojave njerëzore”, theksoi ajo.
Rama vlerësoi veçanërisht faktin që përurimet e revistës “Dija” janë zhvilluar ndër vite pikërisht në këtë bibliotekë, duke e cilësuar këtë vazhdimësi si dëshmi të bashkëpunimit të natyrshëm ndërmjet institucioneve të librit dhe botimeve kulturore.
Në vijim, kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, prim. dr. Gani Karamanaga, foli për historikun dhe jetëgjatësinë e revistës “Dija”, duke rikujtuar se numri i parë i saj doli në vitin 2003, pas themelimit të shoqatës.
Ai veçoi kontributin e Gazmend Çitakut, Hajro Ulqinakut dhe të tijin në mbajtjen gjallë të kësaj reviste ndër vite. Gjithashtu, përmendi kontributin e kryeredaktorëve që kanë drejtuar botimin në periudha të ndryshme, përfshirë Muhamet Nikën dhe profesorin e ndjerë Simë Dobreci.
“’Dija’ ka arritur të mbijetojë gjatë gjithë këtyre viteve falë përkushtimit dhe punës së njerëzve që kanë qëndruar pranë saj”, theksoi Karamanaga, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së botimeve kulturore.
Kryeredaktori Gazmend Çitaku falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe e cilësoi këtë botim si një jubile modest, por domethënës, duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat është përballur revista gjatë rrugëtimit të saj.
Në fjalën e tij, Çitaku ngriti edhe çështjen e domosdoshmërisë së botimeve periodike, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen, zhvillimin dhe transmetimin e dijes.
“Periodikët e specializuar në fushat e shkencës, kulturës dhe artit përbëjnë një nga shtyllat më të rëndësishme të ruajtjes, zhvillimit dhe transmetimit të dijes njerëzore”, u shpreh ai.
Sipas Çitakut, revistat kulturore dhe artistike kontribuojnë në demokratizimin e dijes, ndërsa në rrafshin kombëtar luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës, traditës dhe veçanërisht të trashëgimisë kulturore.
Ndërkaq, Sami Flamuri prezantoi përmbajtjen e numrit të ri, i cili përfshin 223 faqe me poezi, prozë, ese, studime shkencore, punime historike, gjeografike dhe materiale kushtuar traditës. Në këtë numër janë përfshirë autorë shqiptarë, ballkanikë dhe botërorë, si dhe studime mbi historinë dhe trashëgiminë e Ulqinit dhe trevave shqiptare.
Një përshëndetje të veçantë mbajti edhe shkrimtari nga Kosova, Neki Lulaj, i cili vlerësoi organizimin dhe rëndësinë e takimeve të tilla për afrimin dhe bashkëpunimin ndërmjet krijuesve shqiptarë, pavarësisht hapësirës ku jetojnë dhe veprojnë.
Pas pjesës zyrtare, të pranishmit vazhduan bashkëbisedimin në një koktej tradicional ulqinak, të përgatitur nga Mustafa Canka.
Përurimi i numrit të ri të “Dijes” ishte një rast për të vlerësuar punën shumëvjeçare të krijuesve dhe studiuesve që kanë kontribuuar në këtë botim, i cili prej vitit 2003 mbetet një hapësirë e rëndësishme e promovimit të dijes, krijimtarisë dhe identitetit kulturor shqiptar në Mal të Zi dhe më gjerë.
Dafina Teliqi – Rexha
